Ulet kërkesa e individëve për të blerë shtëpi

Kërkesa e individëve për të blerë shtëpi u ul dukshëm në tremujorin e tretë të vitit 2016, pas një rritje dyshifrore në tremujorin e dytë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë shihet se ritmet e kërkesës për të blerë një banesë me hua u ulën me 2.1%, një vit më parë ku tregues ishte 11.4%. Banka pohon se preferenca e individëve është zhvendosur dukshëm në kredinë konsumatore. Në tremujorin e tretë, interesi për të marrë këtë lloj huaje ka shënuar rritje me 36%, nga 27% që ishte në tremujorin e dytë dhe nga 26% që ishte në tremujorin  parë. Banka e Shqipërisë, në vrojtimin e konsumatorëve, vërejti se balanca e konsumatorëve për blerje të mëdha shënoi rënien më të madhe që nga tremujori i parë i vitit 2015. Balanca e blerjeve të mëdha nga konsumatorët shënoi -62 pikë përqindje, nga 60.9 që ishte në tremujorin e tretë. Nga ana tjetër,  Banka e Shqipërisë në raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të 2016 bëri të ditur se 35% e familjeve huamarrëse e kanë marrë kredinë për konsum. Banka intervistoi një kampionin rastësor prej 1,209 familjesh, ku rreth 54% u përkasin zonave urbane dhe 44% zonave rurale. Portofoli i kredisë për banesa ka shfaqur rritje mujore të qëndrueshme dhe norma vjetore e rritjes së tij ka shënuar nivelin 2.5%. Ecuria pozitive e këtij portofoli është ndihmuar nga promocionet e shumta të bankave në mbështetje të financimit të individëve për blerje banese. Në tremujorin e dytë, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 5.2%, pas rritjes me 11.3% një tremujor më parë. indeksi i qirasë së banesave vijon të jetë me rënie edhe në tremujorin e tretë për të pestin tremujor radhazi.