Thiago Silva, Juve ëndërron goditjen me kosto zero

Nuk është thjesht një dëshirë, por një objektiv konkret. Përveçse po monitoron situatën rreth Alex Witsel, në radarët e Juventusit nga lojtarët që u përfundon kontrata është edhe Thiago Silva.
Bardhezinjtë janë gati të futen në garën për mbrojtësin brazilian, që në fund të sezonit pritet të jetë lojtar i lirë. 32-vjeçari nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën me Paris Saint Germain dhe është në kërkim të një aventure të re.
Juventusi beson se mund të realizojë një tjetër goditje me parametër zero, ashtu si ka ndodhur në të kaluarën me lojtarë si Pirlo, Pogba apo edhe Khedira. Megjithatë “Zonja e Vjetër” nuk do ta ketë të lehtë, pasi konkurrenca për Thiago Silvën është e madhe. Në garën për kapitenin e kampionëve të Francës janë edhe Reali i Madridit dhe Milani.
Spanjollët janë në kërkim të alternativave cilësore në repartin difensiv dhe braziliani ofron garanci dhe klas. Për Thiago Silvën interesohet edhe Milani, që kërkon ta rikthejë në ekipin kuqezi, nga ku u largua në vitin 2012 për shifrën e 46 milionë eurove. Ankandi është hapur, pavarësisht se jemi vetëm në javët e para të sezonit.