Sekuestrohen në Greqi 132 kg kanabis që vinte nga Shqipëria

Policia e Janinës ka sekuestruar 132 kg kanabis që vinte nga Shqipëria, ndërsa janë arrestuar dy shqiptarë dhe dy grekë. Bëhet e ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, policia ka ndaluar në afërsi të Janinës automjetin e drejtuar nga dy të rinj, një djalë e një vajzë të moshës 20 dhe 17 vjeç. Në automjet janë gjetur 132 kg kanabis, të ambalazhuar në 96 paketa. Një patrullë policie ka ndaluar edhe një automjet tjetër, që shërbente si pararojë e çiftit që transportonte drogën. Edhe drejtuesi e pasagjeri i automjetit të dytë janë arrestuar. Nga hetimet e deritanishme rezulton se automjeti ishte vjedhur në Athinë. Sipas shifrave zyrtare, në më shumë se 20 raste të proçeduara nga autoritetet policore të Janinës, që nga fillimi i vitit janë sekuestruar më shumë se 1 ton drogë, kryesisht kanabis.
Po ashtu një ditë më parë, policia greke ka asgjësuar një grup kriminal, që sillte drogë nga Shqipëria, për ta shitur në tregun vendas. Në qytetin e Janinës janë arrestuar tre shtetas grekë, ndërsa po kërkohen dy bashkëpunëtorë të tyre, njëri prej të cilëve shqiptar. Policia thotë se kishte arritur të identifikojë pjesëtarët e grupit pas një pune hetimore të organizuar. Nga survejimet ka rezultuar se drogën e sillte nga Shqipëria shtetasi shqiptar, duke shfrytëzuar rrugëkalime të vështira në terrenin e thyer malor të kufirit. Aty droga merrej në dorëzim nga dy prej grekëve, të cilët e fshihnin në një zonë pyjore të Janinës dhe duar duar e transportonin në Athinë. Pas arrestimit të tyre, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 38.2 kilogramë kanabis. Policia sekuestroi edhe tre automjete që përdoreshin për transportin e drogës.