Për komunistët e rinj të luksit

Silvi BARDHI

Nëntor 2014: “Kreu i qeverisë Rama, hapi sot dyert e fortesës së diktatorit Enver Hoxha”, ishte ky lajmi i një prej mediave mbështetëse të qeverisë, pas promovimit të “BunkArt”. Fjali e cila vë përballë paraleles, kreun e qeverisë dhe fortesën e diktatorit.
Shumë kush mund të thotë se kjo nuk tregon asnjë simbolikë, madje po përdoret me keqdashësi në mënyrë politike, është ide lehtë e manipulueshme dhe një akuzë për kredo personale. Por jo. Sot në media, teksa po ndiqja shfletimin e gazetave, dëgjoj një lajm i cili automatikisht më vërtetoi fuqinë politike dhe intelektuale që gëzon aristokracia vieneze. Austria vendos të shembë shtëpinë ku ka lindur Adolf Hitler.
Pas disa tentativave për të mos e lënë këtë shtëpi të kthehet në vend kulti, qeveria austriake e cila drejtohet nga e majta, i jep fund debateve se ç’duhej të bëhej me një godinë të braktisur prej shumë vitesh. Lajmi u konfirmua nga ministri austriak i Punëve të Brendshme, Wolfgang Sobotka. Mund të imagjinohet nëse ky ministër, do të ndërtonte pranë selisë së tij në rrugën “Herrengasse”, simbolin nazist, e pas kësaj mijëra austriakë, gjermanë, polakë, hebrej, të niseshin drejt ministrisë për ta shkatërruar simbolin famëkeq? Sigurisht që nuk imagjinohet, por në Shqipërinë tonë, po.
Më 8 dhjetor 2014, opozita organizoi protestë përpara Kryministrisë, duke vazhduar më tej tek Ministria e Brendshme, për një arsye të vetme, të cilën sot, vendet e zhvilluara në Europë, nuk e imagjinojnë dot. Përpara ministrisë, ishte ndërtuar një bunker. Simboli i tiranisë, frikës, hiles, pabesisë, fantazisë së shfrenuar të sulmeve imagjinare nga armiqtë borgjezë. Ruhet ende me forcën shtetërore, në formën e saj më të ftohtë, të frikshme, si një fantazëm e së kaluarës.
Menjëherë pas ardhjes së Rilindjes në pushtet, fuqia e simboleve komuniste, veteranët enveristë, fotoja dhe parullat e diktatorit, gjetën terrenin e përshtatshëm. Në muajt e parë të qeverisjes, Rilindja u shfaq krahë për krahë me komunistët dhe foton e diktatorit. Këto imazhe tregonin qartësinë e mendësisë së premtimeve të Ramës në fushatën e vitit 2013. “Këtij vendi i duhet ndryshim rrënjësor i sistemit”.
Pas denoncimit nga qytetarët, qeveria e mohoi të ishin ftuar prej tyre, por kuadrati i aparatit fotografik, nuk la vend për dyshime, ndonëse nuk kërkohet një ftesë zyrtare, pasi heshtja është formë aprovimi. Me të njëjtën forcë me të cilën mbijeton bunkeri tek Ministria e Brendshme, me të njëjtën forcë u la i lirë parakalimi i komunistëve atë 5 maj. Parakalim të cilën ata e zhvillojnë edhe sot, në ditëlindjen e tij, duke i kënduar këngët partizane, si ajo që na mësonin në kopësht “Malet me blerim mbuluar, plotë me bukuri”. Qesharakë sigurisht. T’i rikthehemi fortesave të fantazisë së sëmurë të dikatorit, të cilat sot më shumë se kurrë kanë mbrojtje shtetërore.
Vërtetë në Austri shtëpia e diktatorit Adolf Hiler nuk do të ekzistojë më, por në rrënojat e saj historianët dhe ekspertët sugjerojnë të ngrihet një ndërtesë për çështje arsimore, ndërsa të tjerë kanë kërkuar për depolitizimin e plotë të kësaj godine. Pesë ditë më parë, në lagjen Palorto, në shtëpinë ku lindi diktatori, ishte krijuar enkas në oborr ceremonia e përkujtimit të lindjes së tij. Pra, në Shqipërinë tonë, nuk ka vullnetin askush të mendojë si europian, si i moderuar, si antikomunist. Shtëpia e diktatorit, mbahet në këmbë, shërben si vend kulti dhe simbol komunist.
Ç’është me e tmerrshmja, kjo shtëpi ka forcuar themelet e saj, duke u kthyer po nga Rilindja në Muze Etnografik. Në një vend si ky i yni, ku një shqiptar, vrau, pushkatoi me gjyq dhe pa gjyq, zhduku me varr dhe pa varr, vrau gra shtatzëna, persekutoi, torturoi, përçudnoi, grabiti pronën dhe pasurinë në kushtet e torturës, çmendi, la në varfëri të skajshme popullin e tij, ç’duhet të themi, ç’duhet të mendojmë?
Ndërkohë që pushteti i rilindjes refuzon me forcë të shkëputet nga glorifikimi i komunizmit ne si shoqëri a do të duhej të reagonim si europianë për të dënuar komunizmin dhe krimet e tij? Si mund të na pranojë Evropa në këto kushte. Ndaj jemi kaq larg të qenit vend aspirant për në Bashkimin Europian, për sa kohë enverizmin ka disa që nuk e heqin dot nga institucionet e as nga shpirti i tyre. Për sa kohë të ketë pushtetar që tenton të mbajë ngjallë një të vdekur, ai nuk shërben më si drejtues shteti, por dashnor i përjetshëm i krimeve të diktaturës.