Maturantët drejtohen tek privati, si u mashtruan nga Rama-Nikolla

Më 8 shtator, duke reaguar ndaj një deklarate të ish-kryeministrit Berisha, Lindita Nikolla do t’i siguronte maturantët: “brenda 10 ditësh të gjithë maturantët do të kenë mundësi të regjistrohen”. Kanë kaluar fiks 10 ditë dhe kaosi me regjistrimet vazhdon. Është mbyllur faza e dytë dhe mijëra vende vazhdojnë të jenë bosh në universitetet publike. 50% e kuotave ka mbetur pa mbyllur.
Të dhënat e publikuara më herët nga Lapsi.al flasin për 2600 kuota janë të lira në Universitetin e Tiranës, ku janë regjistruar gjithsej 2 700 maturantë nga mbi 5 300 kërkesa. Në Universitetin e Mjekësisë janë të lira 450 kuota, pra më shumë se gjysma. Në Fakultetin e Ekonomisë mbeten të lira rreth 2/3 e kuotave të pranimit, ose 776 kuota të paplotësuara.
Numri i kuotave të paplotësuara për secilën degë përkatësisht është: 265 në degën Financë, 279 në degën Administrim Biznes, 156 në degën Informatikë Ekonomike dhe 76 në degën Ekonomik. Maturantët që nuk regjistrohen në asnjë nga degët ku janë shpallur fitues në datat 17-18 tetor, në fazat pasardhëse humbasin të drejtën e studimit në degët që nuk janë regjistruar. Regjistrimet do të vazhdojnë me faza 48-orëshe, deri në datën 27 tetor.
Në disa programe studimi të Mjekësisë, sipas rektorit Arben Gjata, ka zero të regjistruar. Më 21 shtator, në një takim me aplikantë e pedagogë, Lindita Nikolla do t’u jepte një garanci edhe më të fortë maturantëve, se në fazën e dytë do të kishte marrë fund çdo shqetësim i tyre. “Raundi i dytë i aplikimeve fillon në datën 23 shtator. Fillon në një situatë krejtësisht të re, që ka krijuar përmbyllja e raundit të parë. Keni të gjitha mundësitë që të rivlerësoni zgjedhjen tuaj falë transparencës së raundit të parë dhe të mësoni që merita dhe transparenca në raundin e dytë të jetë fituese. Përpara se të shikojmë të gjithë prezantimin që një grup të rinjsh ka mundësuar për ju këtë portal, më lejoni të falënderoj institucionet e Arsimit të Lartë, rektoratet dhe dekanët, duke qenë e sigurt që edhe raundi i dytë dhe spostimi i vijës së kuqe, do të përmbyllet me sukses. Nuk ka vend për dilema, por për përqendrim për të marrë të gjithë informacionin në të gjitha rrugët dhe për të vijuar më pas me raundin e dytë, për të plotësuar 75% të vendeve që kanë mbetur të lira nga raundi i parë i pranimeve në universitete”, siguronte ministrja Nikolla.
Kryeministri Edi Rama i foli me tone të sigurta Jozefina Topallit në Parlament, kur ajo çoi në foltore foton e një maturantje të dhunuar nga policët, përpara Kuvendit.  “Kush ngeli pa të drejtë studimi? Asnjë nuk ngelet pa të drejtë studimi. As edhe një nuk ngelet pa të drejtë studimi, nga ata që kanë aplikuar dhe plotësojnë kushtet. Dhe është thënë një herë, është thënë dy herë, është thënë tre hërë, është thënë vazhdimisht që, nuk do mbetet asnjë vend bosh. Pra, janë kuotat e përcaktuara dhe janë aplikuesit. Dhe kur unë fola për 27 200 aplikues, fola për të gjithë aplikuesit e arsimit të lartë, sepse thoni çfarë të doni se unë nuk kompleksohem, unë nuk i ndaj universitetet në të nënës apo të njerkës, pavarësisht se financohen nga shteti apo privati. Ama është e sigurtë se universitetet publike ofrojnë ekzaktësisht 25 mijë vende”, deklaronte Rama.
Faza e dytë jo vetëm nuk e zgjidhi problemin, siç premtonte ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama, kur maturantët u ngritën në protestë para zyrës së kryeministrisë, por provoi se ky sistem ishte i dështuar. Më kot u përpoqën Rama e Nikolla të bënin ndryshime të momenteve të fundit. Më kot, premtoi Rama në një takim me fermerë të Myzeqesë se do të ndryshonte edhe sistemi në arsimin e mesëm, pasi më në fund kishte konstatuar se nga aty kishin lindur problemet me aplikimet.
Më kot u shty me dy ditë faza e dytë e aplikimit. Më kot u dhanë shpresë me takime të sajuara me maturantë, që ishin regjistruar në fazën e parë, me emisione televizive, me konferenca shtypi. Sot, mijëra studentë nuk kanë mundur të regjistrohen në degët e përzgjedhura në universitetet publike. Pas kaosit të shkaktuar në fazën e parë, ata u janë drejtuar dyerve të universiteteve private, ku paguajnë shuma të kripura vetëm për të mos humbur studimet e larta. “Ky ishte edhe qëllimi i këtij kaosi”, thotë PD “që të favorizoheshin universitetet private”. Regjistrimet po i japin të drejtë opozitës.

Kolapsi me shpalljen e fituesve

Këtë vit akademik pati një kolaps me shpalljen e fituesve për në universitet për shkak të aplikimit të një sistemi të ri. Edhe pse ministrja e Arsimit dhe Kryeministri Rama premtuan që nuk do të mbeteshin maturantë pa shkollë sepse kishte kuota të shtuara, sërish në fazën e dytë rezultoi që nxënës me mesatare mbi 9 nuk kanë fituar asnjë program studimi. Procesi i maturës shtetërore këtë vit ka pësuar disa ndryshime që kanë të bëjnë jo vetëm me procesin e përzgjedhjes së fituesve, por edhe me aplikimin në sistemin online. Kjo do të thotë që, nëse vitin e kaluar tek formulari A1 aplikohej vetëm për universitetet publike tashmë në këtë aplikim përfshihen edhe universitetet private. Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, në kuadër të autonomisë kriteret do t’i vendosin universitetet. Këto të fundit nuk kanë një formulë të njëjtë për pranimet pasi një universitet mund t’i japë mesatares 50% dikush tjetër 30% etj. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit thuhej që në datën 29 korrik niste procesi i hedhjes së notave mesatare në sistem. Nga data 29 e deri në ditën e aplikimit, sipas kalendarit për qark a qytet, për të gjithë maturantët do të hidhej nota mesatare në sistem.
Nëse vitin e kaluar, kishte shumë rëndësi përzgjedhja për 10 preferencat, por sidomos renditja e tyre, sivjet nuk kishte përzgjedhje sipas preferencave të para. Këtë vit, në rast se një maturant e gjen emrin mbi vijën e kuqe, në disa degë njëherësh, ai e merr vendimin vetë për njërën prej tyre. Pra, nuk ka rëndësi renditja e degëve. Ndërkohë, raundi i dytë rinis nga e para. Kur një maturant e sheh që nuk ka fituar në asnjë degë, bën renditjen e re për të fituar universitetin. Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Kjo lloj formule solli një amulli totale në radhët e maturantëve që prisnin të vijonin ëndrrën e tyre për të ndjekur studimet e larta.