Maskat grabisin 15 milionë lekë në një supermarket në Maliq

Persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur 15 milionë lekë në një supermarket në qendër të qytetit të Maliqit. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm ku persona të maskuar janë futur në supermarket dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur paratë dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Kjo është e pesta grabitje që bëhet në këtë biznes, ndërsa autorët nuk janë zbuluar në asnjë rast.
Personat e maskuar, pasi kanë hapur derën kanë dëmtuar kamerat e sigurisë të supermarketit në pronësi të R.K, 52 vjeç, banues në Maliq. Autorët kanë marrë 13 milionë lekë dhe 1 mijë euro si dhe një sasi stekash cigare të markave të ndryshme.
Supermarketi, i cili vidhet për të pestën herë, ka pasur të instaluar një sistem survejimi me 19 kamera, por grabitësit, bashkë me mallrat, kanë vjedhur edhe serverin e kamerave, duke e vështirësuar punën e policisë, për identifikimin e tyre. Vjedhja e supermarketit është kryer brenda pak minutash, pasi, pas rënies së alarmit, ata janë larguar menjëherë me një makinë në drejtim të paditur për policinë. Policia lokale dyshon se vjedhja është kryer nga më shumë se dy persona, të cilët janë të organizuar si grup i strukturuar kriminal.
Ndërkohë, mbrëmjen e së hënës në Bilisht, një hajdut ka hyrë në shtëpinë e 32-vjeçarit G.SH duke e goditur kryefamiljarin e saj. Pasi e ka qëlluar në kokë me ç’i ka ardhur për duarsh, hajduti ia ka mbathur me shpejtësi. Por, policia e ka pikasur dhe është vënë në ndjekje të tij, duke zbuluar se hajduti ishte një 44-vjeçar nga Bilishti, i dënuar më parë për vjedhje, Vasil Kello.
Prej ditësh në mbarë vendin biznese apo dhe banesa kanë rënë pre e grabitjeve, siç ishte edhe rasti më i fundit, në kryeqytet.