Ballina Aktualitet Llalla takon prokurorët e rretheve: Forconi luftën kundër kanabisit

Llalla takon prokurorët e rretheve: Forconi luftën kundër kanabisit

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla zhvilloi dje një takim me të gjithë prokurorët e rretheve në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. Burime nga brenda mbledhjes kanë bërë të ditur se, kreu i akuzës u ka kërkuar drejtuesve të vijojnë normalisht punën, duke patur si prioritet luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe bashkëpunimin me organet e tjera ligjzbatuese në luftën kundër kanabisit. Me ndryshimet e reja kushtetuese, ristrukturohen kompetencat e niveleve drejtuese dhe parashikohen një organizim tërësisht i ri, ku prokurorët e thjeshtë janë vetë zot të çështjeve të tyre.
Llalla u ka kërkuar vartësve të tij që të intensifikojnë punën dhe të mos neglizhojnë asnjë çështje.
“Duhet të intensifikoni punën në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe drogës. Nuk duhet të ketë neglizhencë dhe ulje të cilësisë së punës dhe pse ka nisur zbatimi i reformës. Duhet të bashkëpunoni me policinë dhe çdo institucion ligjzbatues për luftën ndaj kanabisit”, ka deklaruar Llalla.
Në takimin e djeshëm mësohet se u zhvillua edhe një ceremoni simbolike edhe për betimin e tre magjistratëve të rinj, të cilët u dekretuan pak ditë më parë prokurorë nga Presidenti i Republikës.
Mësohet se, Kryeprokurori Llalla ka kërkuar nga prokurorët e rretheve rritjen e bashkëpunimit me policinë dhe organet e tjera ligjzbatuese në luftën kundër kultivimit e trafikut të drogës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Exit mobile version