Landfilli i vdekjes, inspektorati akuzon Veliajn: Kompania u fsheh nga Veliaj

Thellohet skandali i Sharrës: Erion Veliaj e ka mbajtur të fshehur nga Inspektorati i Punës aktivitetin skllavërues që po kryhej me plehrat, ku vdiq një fëmijë.
Në këtë situatë duket se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në përpjekje për të mbuluar gjurmët dhe përgjegjësinë e institucionit që drejton dhe atë personale në skandalin e Sharrës ku u masakrua 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, po përfshin në këtë histori edhe Inspektoratin e Punës që drejtohet nga një eksponent i LSI-së, Dritan Ylli.
Mbrëmjen e së hënës në emisionin “Top Story”, Erion Veliaj kur u pyet për “punën në të zezë” që bëhej në landfillin e mbeturinave, fajësoi Inspektoratin e Punës që nuk kishte bërë asnjë kontroll në këtë ndërmarrje.
“Kompania që u paraqit, nëse provohet, nëse është e vërtetë, që e kanë shkelur Kodin e Punës, le të përgjigjen para drejtësisë. Ky shtet ka inspektorë për çdo gjë, ka Inspektorat të Punës, inspektorët e rregullave të punës të vepronin”, deklaroi dy ditë më parë Veliaj, duke e kaluar topin për ngjarjen e rëndë, te institucioni që drejtohet nga Dritan Ylli i LSI-së.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i këtij të fundit, nëpërmjet një mesazhi dërguar drejtuesit të emisionit.
Sipas Yllit, në rastin konkret nuk ka qenë kompetencë e Inspektoratit të Punës kontrolli i kushteve ku punojnë të punësuarit në Sharrë, por direkt e Bashkisë që ka bërë kontratën me firmën përkatëse.
Për ta sqaruar më tej këtë situatë, “Syri.net” kontaktoi zyrtarisht me Inspektoratin e Punës.
Burime zyrtare na thanë, se prapa gjithë kësaj fshihet një mashtrim i pastër.
“Është e vërtetë që Inspektorati i Punës ka detyrim ligjor që të kontrollojë çdo aktivitet ku ka të punësuar, të indentifikojë nëse ata janë të siguruar dhe kushtet e sigurisë në punë. Por në rastin konkret nuk kishte se si ta kryente këtë, pasi kompania me të cilën kishte nënshkruar kontratë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, për institucionin tonë ‘nuk ekzistonte’. Themi nuk ekzistonte, pasi Bashkia dhe kompania në fjalë, nuk kanë denjuar asnjëherë që të dërgojnë në Inspektorat sipas ligjit, shkresën ku njoftohet fillimi i aktivitetit, numri i punonjësve dhe standardet e sigurisë në punë. Pra, për shtetin ajo kompani ka qenë fantazmë dhe ka ekzistuar vetëm për kryetarin e Bashkisë”, deklarojnë burimet nga Inspektorati i Punës.
Ky zhvillim e thellon edhe më shumë skandalin. Kryetari i Bashkisë ka realizuar një ndërmarrje brenda institucionit që drejton, në kushte ilegale. Profili i punës që do të kryhej në landfillin e Sharrës kërkonte në radhë të parë standarde në kushtet e punës, pasi rrezikshmëria në këto lloj ndërmarrjesh dihet që është e lartë, veçanërisht për helmet që prodhohen nga mbetjet e shumta.
Inspektorati i Punës e ka mësuar ekzistencën zyrtare të këtij aktiviteti, vetëm pas tragjedisë me vdekjen e adoleshentit Gjoklaj. Pas inspektimit të bërë urgjentisht, u vendosën penalitete, vetëm për kushtet e rënda të sigurisë në punë. Kurse për sa i përket punonjësve të shumtë që punonin në “të zezë” dhe nën moshën e lejuar nga ligji, nuk u arrit të evidentohej asnjë rast, për faktin e thjeshtë se kryetari Erion Veliaj kishte nxituar t’i zhdukte të gjitha gjurmët, duke mbyllur me një urgjencë të çuditshme ndërmarrjen dhe duke i shpërndarë të gjithë punonjësit.
Përveç shumë dyshimeve të tjera, tani Erion Veliaj duhet të japë përgjigje, edhe për faktin se përse e ka mbajtur të fshehtë nga Inspektorati i Punës aktivitetin në Sharrë, ku sipas dëshmive që po dalin çdo ditë punonin jo vetëm dhjetëra njerëz pa siguracione dhe masa mbrojtjeje, por edhe shumë fëmijë që shfrytëzoheshin si skllevër.