Ballina Politikë Bashkia mban sekret strukturën organizative, pagat e arsimimin

Bashkia mban sekret strukturën organizative, pagat e arsimimin

Instituti i Studimeve Politike publikoi dje një raport monitorimi mbi respektimin e të drejtës së informimit në qeverisjen vendore. Në raport theksohet se, Bashkia e Tiranës nuk publikon strukturën organizative, pagat, si dhe arsimin e nëpunësve. Mbajtja sekret e këtyre të dhënave ngre mjaft dyshime mbi strukturën që Veliaj ka ngritur në Bashki. Ajo dëshmon po ashtu se ky instiutucion nuk drejtohet si një institucion publik, por si një institucion privat, ku drejtuesi nuk bën asnjë transparencë para publikut. Ndonëse është një detyrim para taksapaguesve Veliaj fsheh të dhëna që janë në interesin e opinionit, i cili kërkon të dijë se si përdoren taksat e tij nga kryetari i Bashkisë.
Vëzhgimi përfshiu 4 bashki të mëdha të vendit, Tiranën, Durrësin, Vlorën e Shkodrën dhe zbuloi një nivel të ulët transparence dhe dëshire për të zbatuar ligjin e informimit publik.
Studimi gjeti se administrata, duke nisur nga drejtuesit e lartë, nuk kanë njohuri për standardet e ligjit mbi të drejtën e informimit publik dhe përgjegjësitë që kanë prej tij.
“Bashkitë kujdesen më shumë për imazhin, sesa për jetësimin e transparencës brenda tyre, në administratë dhe punën e përditshme. Ka tendenca kontrolli zyrtar mbi informacionin, ka fiktivitet dhe përpjekje për ikje nga transparenca, shpesh ka mungesë të vullnetit politik, institucional dhe administrativ për bashki të hapur, institucione të hapura”, pohojnë autorët e studimit.
Bashkia e Durrësit, për shembull, nuk publikon orarin zyrtar të pritjes së ankesave dhe kërkesave. Bashkia e Vlorës nuk publikon arsimin dhe kualifikimin e nëpunësve të saj.
Bashkia Durrës, Tiranë e Vlorë nuk publikojnë në internet vlerën e subvencioneve për ndihmën shoqërore.
Gjatë studimit u konstatua se bashkitë nuk kanë zyra të posaçme për të drejtën e informimit dhe shumë kërkesa nuk vonohen ose nuk marrin përgjigje.
“Administrata publike ende nuk është transparente, por ka nisur të lëvizë. Aktualisht janë caktuar rreth 250 koordinatorë për të zbatuar ligjin e të drejtës së informimit. Disa zyrtarë kanë ende një kulturë të kaluar, sipas të cilës, dokumentet zyrtare janë të shtetit dhe jo të qytetarëve”, tha Besnik Dervishi, komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Instituti i Studimeve Politike bëri thirrje që bashkitë të respektojnë afatet ligjore për kthimin e përgjigjeve ndaj qytetarëve për kërkesa apo informacione të tjera.
Ato duhet të publikojnë online aktet ligjore, vendimet bashkiake, rregulloret e brendshme dhe planet njëvjeçare të punës.
Kështu ato duhet t’u bëjnë të ditur qytetarëve përdorimin e fondeve dhe zbatimin e ligjeve.
Sipas Institutit të Studimeve Politike, bashkitë duhet të hapin zyra të posaçme për të drejtën e informimit, ndërsa komisioneri për të Drejtën e Informimit duhet të ndëshkojë me më shumë gjoba nëpunësit që shkelin programet e transparencës.
Shqipëria kishte një ligj mbi të drejtën e informimit nga viti 1999, i cili nuk ka dhënë fryte dhe as ndonjë kulturë të re në administratën publike. Një ligj i ri u miratua dy vjet më parë, por as ky, vërejnë studiuesit, ende nuk po zbatohet sa dhe si duhet.

Exit mobile version