Basha fton shqiptarët në SHBA të votojnë Suzanna Shkrelin kongresmene

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të votojnë Suzanna Shkrelin, si të parën shqiptaro-amerikane që është nominuar për në Kongresin amerikan. Basha i ka uruar suksese Shkrelit dhe thotë se prania e saj në Kongresin amerikan është krenari për çdo shqiptar kudo që jeton. “Shqiptarët e Amerikës ia kanë dalë që zëri i tyre të dëgjohet në vendin më të madh të demokracisë dhe lirisë. Me pasion e dashuri për çështjen kombëtare ata kanë bërë që çështjet e rëndësishme të kombit tonë të dëgjohen e të marrin mbështetje. Kanë mbështetur kongresmenë e senatorë në zona të ndryshme elektorale dhe këta të fundit e kanë marrë pranë zemrës çështjen shqiptare. Në vijim të kësaj tradite të mirë, uroj që bashkëkombasit tanë të mbështesin zonjushën Suzanna Shkreli. Ajo është e para shqiptaro-amerikane që është nominuar për Congresswoman në SHBA. Suzanna Shkreli është dëshmia e suksesit që kanë arritur shqiptaro–amerikanët. I ftoj të gjithë shqiptarët e Amerikës e ju bëj thirrje në veçanti demokratëve, por dhe çdokujt tjetër, të ndihmojnë me çdo mjet, jo vetëm duke e votuar atë në Distriktin 8 të Miçiganit ku ajo kandidon, por edhe me mbledhje fondesh nga zona të tjera. Suzanna Shkreli përfaqëson çdo shqiptaro-amerikan në SHBA dhe nderon çdo shqiptar anembanë globit. Ne jemi krenarë për Suzanën dhe i urojmë çdo sukses”, shkruan Basha në reagimin e tij.