Analisti serb: Ndarja e Kosovës në tryezën e Ramës në Beograd

Në një analizë të botuar në shtypin serb, analisti Dushan Prokorov, i njohur mirë edhe në qarqe mediatike, shprehet se “Rama është bërë për ne si i shtëpisë në Beograd, po aq sa Azem Vllasi dhe Rrahman Morina”. Duhet theksuar se serbët i konsideronin Vllasin dhe Morinën si marioneta, të cilat thirreshin në Beograd sa herë u duhej autoriteteve.
Po ashtu, analisti serb thotë se vizitat e shpeshta të Ramës dhe miqësia e tij me Vuçiçin nuk garanton stabilitetin në rajon.
Më tej, Prokorov krahason sjelljen e autoriteteve shtetërore serbe kundrejt Ramës me ato të ish-presidentit Tadiç, i cili krijoi marrëveshjen Serbi-Bosnjë-Turqi. Mirëpo siç dihet, kjo marrëveshje ka çuar në tensionimin e situatës dhe në ndarjen faktike të Bosnjës.
A ka shkuar zoti Rama për të ndarë Kosovën në Beograd apo nuk po e kupton lojën?
Gazeta serbe “Veçerne Novosti” lajmëron se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov do të vizitojë Beogradin më 12 dhjetor, si parapërgatitje për vizitën e nivelit të lartë të kryeministrit Dimitri Medvjedev në fillim të 2017-ës. Sipas të përditshmes zyrtarët e lartë rusë do të nënshkruajnë marrëveshje të ndryshme të bashkëpunimit strategjik dhe ekonomik.
Kësisoj, Serbia megjithëse hiqet sikur kërkon integrimin europian dhe “bën mik” kryeministrin Rama, po forcon lidhjet pandërprerë me Rusinë.

Asnjë reagim nga BE për lirimin e Nehat Thaçit

Zyra e Bashkimit Evropian ka konfirmuar se është duke përcjellë nga afër procesin gjyqësor rreth rastit të drejtorit të Policisë së Kosovës për Mitrovicë, Nehat Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Serbi.
Por ata nuk kanë treguar se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë dhe nëse u është kërkuar të ndikojnë tek autoritetet serbe për ta sjellë Thaçin në Kosovë, shkruan “Koha Ditore”.
Autoriteti i vetëm në Kosovë që ka bashkëpunim në vija zyrtare me institucionet e Serbisë është misioni i EULEX-it. Por zyrtarë të këtij misioni nuk kanë komentuar fare në lidhje me rastin.
Kurse ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se institucionet e Kosovës janë angazhuar politikisht e diplomatikisht për lirimin e Thaçit.
Për Bashkimin Evropian, arrestimi i Nehat Thaçit thekson domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit mes Kosovës e Serbisë në komponentin e drejtësisë. Por kanë refuzuar të tregojnë për veprimet që ata kanë ndërmarrë për llogari të institucioneve të Kosovës, në rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë nga Mitrovica.

Rama: Nuk pendohem për Ivo Andriç, e bëra me zemër

-A jeni ju i gatshëm, përveçse për të folur për Kosovën siç thatë deri tani dhe jo në emër të saj, edhe ta ndërmjetësoni Kosovën që ajo të jetë pjesë e tavolinave ku ju jeni?
Nuk ka nevojë Kosova për mua si ndërmjetës, sepse procesi i dialogut ka në krah, apo në të dyja anët Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Unë nuk marr përsipër t’i jap askujt këshilla të pakërkuara. Kemi pasur patjetër momente me udhëheqësit në Kosovë ku kemi diskutuar, jem i konsultuar, por në terma jashtëzakonisht miqësorë, informalë si midis vëllezërish për një çështje që na intereson të gjithëve.

-Pse Ivo Andriç për citatologji?
Pse jo?

-Pse jo Qosja, Kadare, Rugova?
Tani kjo është…

-Sepse është antishqiptar…
Këto janë dokrra hyn si puna e Goran Bregoviçit që pse Goran Bregoviçi duhet të merrte çelësin e qytetit.

-Nuk është e njëjta gjë, se në fund të fundit Bregoviç ishte një këngëtar, ky ka qenë ambasador, një shkrimtar…
Është një muzikant i madh dhe përsëri në funksion të faktit që ne shqiptarët kur miku vjen në shtëpi nuk e pyesim për biografinë. Kështu thotë të paktën Kushtetuta jonë e parë, Kanuni. Kështu që këta patriotët e mëdhenj që rrinë qëmtojnë si ata censorët e kohës së Enverit dhe të Titos mbi detaje që nuk kanë pikë rëndësi bëjnë mirë të marrin e të lexojnë Kanunin.

-Ç’lidhje ka kanuni me Ivo Andriç që njihet për tezat e tij antishqiptare…
Fola për pjesën e parë. Për sa i përket referimit tek Andriçi, unë iu referova një shkrimtari të madh serb dhe nuk citova ndonjë frazë antishqiptare, por një frazë shumë aktuale për procesin ku ne jemi ku ai thotë: “Ka një hapësirë të errët midis frikës dhe shpresës dhe shumë njerëz e kalojnë jetën në këtë errësirë. Duke shkuar drejt shpresës ne mund të dalim nga errësirat”.

Rama: Nuk i marr leje Kosovës të flas në emër të saj

-A i kërkuat ju palës serbe që Kosova të përfaqësohej në takimin e Nishit?
Nuk është një çështje që më takon mua apo Shqipërisë. I takon Kosovës, lidershipit në Kosovë të përcaktojë modalitetet e gjithë procesit të dialogut dhe të përcaktojë nëse në një moment apo në një moment tjetër duhet të jetë apo jo prezente. Tjetër gjë se çfarë mund të mendoj unë nëse do ta vija veten në vendin e tyre. Por unë nuk e vë veten në vendin e tyre, sepse kam shumë respekt për faktin që sot Kosova është një shtet që është i pavarur, ka lidershipin e vet dhe ka të drejtën e plotë që në emrin e saj të flasë vetë. Unë nuk flas në emrin e Kosovës, unë flas për Kosovën dhe për këtë nuk do t’i marr leje askujt.

-Dhe kur flisni për Kosovën, a flisni dhe për gjëra utilitare, siç janë disa elementë të rëndësishëm për vetë kosovarët që ata vetë i kanë renditur siç janë: mospengimi i kalimit nga Kosova në Serbi nëpërmjet Merdares p.sh. i të gjithë shtetasve të tjerë përveç kosovarëve vetë, duke qenë se e trajtojnë kështu një çështje të brendshme ende Kosovën, serbët; pjesëmarrja në CEFTA, prefiksi telefonik i Kosovës, linja e interkonjeksionit, i keni bërë këto biseda me Vuçiç, a po ndihmoni për këto? A po thjesht kërkoni një njohje?
Patjetër, sigurisht që unë i bëj të gjitha bisedat që janë në interes jo thjesht të Kosovës, por janë në interes edhe të Shqipërisë, por janë në interes edhe të Serbisë, sepse për mua duhet bërë çmos që të insistojmë në principin që çdo gjë e mirë që ndodh në njërin nga vendet është një e mirë që ndodh për çdo vend. Edhe vetë momenti i bllokimit të linjës së interkonjeksionit që në fakt është pasojë e një fakti tjetër që përpara se të çelet linja, Kosova duhet të anëtarësohet në agjencinë evropiane të shpërndarjes së energjisë. Është trajtuar nga unë si një nevojë reciproke e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe si nevojë në një proces të fuqizimit të lidhjeve të bashkëpunimit ekonomik rajonal.

-Ata që ju akuzojnë zoti Rama, pak a shumë kanë këtë argument që në fakt ka një logjikë të vetën se mënyra se si sillet zoti Rama në Beograd me ato që çfarë deklaron për Kosovën i shkon për shtat tezave serbe, të cilat duan ta cilësojnë Kosovën një çështje të tyre të brendshme dhe në fakt marrëdhëniet me shqiptarët, ta kenë me Tiranën zyrtare, me Edi Ramën. Ju pse heshtët kur u deklarua për Nish-Durrës pa përmendur Prishtinën?
Asnjëherë nuk kam parë në ndonjë dokument zyrtar që rruga që kryeministri serb e quan “Rruga e Paqes” të jetë Nish-Durrës, gjithmonë është folur Nish-Prishtinë-Durrës, gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë. Këto janë muhabete njerëzish që i japin punë vetes duke bërë patriotin profesionist dhe këto nuk kanë asnjë lidhje me përmbajtjen për të cilën duhet të jemi të gjithë të interesuar.