Tmerr në Tiranë, makina i pret kokën 60-vjeçarit tek po kalonte autostradën

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Një 60-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet, teksa tentoi të kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se, kalimtari u përplas për vdekje nga një makinë me targa AA 730 MP, në afërsi të një qendre tregtare, në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas dëshmitarëve, përplasja ishte aq e fortë, sa makina i preu kokën kalimtarit. Nuk dihet ende identiteti i viktimës, ndërsa policia ka shoqëruar drejtuesin e automjetit.
Viktima ka qëndruar i shtrirë në mes të rrugës për shumë minuta pa shenja jete. Sipas dëshmitarëve, viktima tentoi të kalonte rrugën, kur dritat e autostradës ishin të fikura dhe për pasojë shoferi nuk e vuri re. “Më datë 17.10.2016, rreth orës 19:05, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë një qendre tregtare, një automjet  me targa AA 730 MP që  drejtohej nga shtetasi A. M., ka aksidentuar këmbësorin e seksit mashkull, rreth 60 vjeç, i cili  ka ndërruar jetë në moment si pasojë e plagëve të marra. Grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Drejtuesi i mjetit është ndaluar në flagrancë dhe është shoqëruar nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, një aksident me pasojë vdekjen e një të moshuari është regjistruar rreth një muaj më parë në autostradën Rrogozhinë-Kavajë. Sipas policisë, kalimtari 68 vjeç u përplas teksa tentoi të kalonte në anën tjetër të rrugës. “Jeta osh qef” ka publikuar pamjet e aksidentit tragjik, ku duket qartë këmbësori që vrapon për të dalë në anën tjetër të rrugës, duke mos parë pas dhe aq më tepër në autostradë. Goditja ishte e fortë dhe fatale për jetën e tij.
I afërmi i viktimës, që mundësoi video, shprehet se drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin ka qenë duke udhëtuar me shpejtësinë 240 km/h. Sipas tij, fajtor është drejtuesi i mjetit që po ecte me një shpejtësi shumë të madhe, duke e pasur të pamundur ndalimin e makinës për të shmangur aksidentin fatal.