Reagimi i Diego Costa-s, Conte tregon “dhëmbët”

Edhe kur Chelsea fiton dhe ai shënon, Diego Costa sërish bëhet çështje. Gjatë pjesës së dytë të ndeshjes me Leiçesterin, që përfundoi 3-0 në favor të Bluve të Londrës, thirrjeve të trajnerit Antonio Conte që të hiqte dorë nga veprimet egoiste, sulmuesi i kombëtares spanjolle u është përgjigjur duke bërtitur. “Më hiq nga loja”, madje duke e shoqëruar veprimin e tij edhe me një gjest me duar. Mirëpo trajneri italian veproi sipas mënyrës së tij, e la në fushë deri në përfundim të sfidës.
Kërkesa e sulmuesit për t’u zëvendësuar lidhet edhe me faktin se ai ishte ndëshkuar me një karton të verdhë dhe në një ndeshje disi të tensionuar, rrezikonte të merrte të dytin, e nëse do të ndodhte kështu do të humbistë ndeshjen e radhës kundër Manchester United. Mirëpo Conte në përfundim të takimit të “Stamford Bridge”, shpjegoi me shumë qetësi. “Nëse mendoj se Costa duhet të luajë për 90 minuta, nuk e nxjerr nga loja dhe ai këtë duhet ta kuptojë. Diego është një futbollist me personalitet dhe nëse do të kem mundësi do të mbaj në fushë deri në fund në çdo ndeshje. E di që kemi rrezikuar pak, sepse mund të ndëshkohej dhe të humbiste sfidën me Man.United, por për mua më e rëndësishmja ishte kjo e radhës”, u shpreh Conte.
Më pas italiani i kënaqur me atë që dhanë lojtarët e tij në fushë bën analizën e ndeshjes. “U kam kërkuar lojtarëve të mi që të luajnë me intensitet, ashtu sikurse veprojmë në çdo seancë stërvitore. Jam shumë i kënaqur, sepse kam marrë përgjigje pozitive. Ndaj Leiçesterit kemi zhvilluar ndeshjen tonë më të mirë”, përfundoi Conte.