Mungojnë 11 lojtarë

Borusia Dortmund po përballet me një krizë të paprecedent dëmtimesh. Ndaj Hertës së Berlinit, u dëmtua edhe Marcel Shmelcer, duke çuar në 11 numrin e futbollistëve që trajneri Tuhel nuk do të ketë të gatshëm për duelin ndaj Sporting Lisbonës. Bëhet fjalë për futbollistë të rëndësishëm, pjesa më e madhe e të cilëve do të luanin titullar në radhët e kësaj skuadre dhe që me mungesën e tyre kanë dëmtuar ndjeshëm objektivat që Dortmundi kishte caktuar në këtë edicion.
Në Ligën e Kampioneve, për ekipin gjerman nuk do të jenë të gatshëm Marko Rojs, Gonzalo Kastro, Neven Subotiç, Andre Shyrle, Adrian Ramos, Rafael Guerreiro, Marcel Shmelcer, Sven Bender, Lukash Pishçzek, Sokratis Papastatopulos dhe Erik Durm. Ndërkaq, në fundjavë, për ndeshjen e Bundesligës kundër Ingolshtad, kësaj liste i shtohet edhe talenti Emre Mor, i cili ndaj Hertës u ndëshkua me karton të kuq.
Borussia e Dortmundit është e hapur për të nisur bisedimet me Realin e Madridit për Pierre-Emeric Aubameyang. Shefi ekzekutiv i skuadrës verdhezi, Joakim Watzke la të kuptohet se nëse drejtuesit e Los Blancos do të bëjnë ofertën e duhur, kalimi i 27-vjeçarit në kryeqytetin spanjoll mund të bëhet realitet. “Nëse Reali do të vijë te ne për Aubameyang, jemi të hapur për të biseduar, por nuk do të jetë e lehtë. Dëshirojmë që ai të qëndrojë me ne. Ndryshe nga disa lojtarë të tjerë që janë larguar së fundmi nga Borussia, ai ka kontratë deri në vitin 2020. Kam përshtypjen se edhe ai vetë nuk dëshiron të largohet”, u shpreh Watzke.
Kështu shprehet Warzke, por sulmuesi që këtë sezon ka shënuar 8 gola me Borussian, kurrë nuk e ka fshehur admirimin për Realin e Madridit. Mirëpo përveç Borussias, pengesë për blerjen e Aubameyang nga Los Blanos është edhe FIFA. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv la në fuqi vendimin për pezullimin e merkatos së Realit për shkak të parregullsive me kontratat e minorenëve dhe nëse kjo masë ndëshkimore do të qëndrojë në fuqi, atëherë Reali nuk do të mund të bëjë asnjë blerje gjatë 2017-ës, pra as në janar dhe as verën e vitit të ardhshëm. Përveç klubit spanjoll për sulmuesin nga Gaboni kanë shfaqur gjithashtu interes Manchester City dhe Paris Saint Germain.
Një tjetër element për të cilin Reali interesohet është Gelson Martins i Sportingut të Lisbonës. Sipas “AS”, në ndeshjen e Championsit mes skuadrës portugeze dhe Borussias së Dortmundit, spanjollët do të dërgojnë specalistët e tyre për të vëzhguar evolucionin e 21-vjeçarit, që shkëlqeu pikërisht në “Santiago Bernabeu” në takimin e parë të Championsit, që u fitua 2-1 nga skuadra e Zidan.