Maskat, tre grabitje në një javë në Tiranë, asnjë i arrestuar nga policia

Maskat kanë grabitur sërish nën kërcënimin e armëve një pikë karburanti në rrugën “Isuf Elezi” në kryeqytet. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur pas mesnatës të së dielës ku një i ri, rreth 25 vjeç, i maskuar me kapuç në kokë dhe një shami në fytyrë, pasi ka kërcënuar me armë punonjësin e karburantit, 42-vjeçarin me inicialet H.S i ka vjedhur atij 80 mijë lekë dhe një celular tip “iPhone 6”. Menjëherë pas vjedhjes, autori është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur për policinë.
Ky është rasti i tretë në një javë që grabiten pikat e karburantit në Tiranë. Më 11 tetor, në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë është grabitur një pikë karburanti nga persona ende të paindentifikuar. Dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës i kanë marrë rojes së karburantit, shtetasit A.B, rreth 42 vjeç, 10 000 lekë (të reja) dhe më pas janë larguar.
Ndërsa të dielën e 10 tetorit ka ndodhur një grabitje me armë në një pikë karburanti në Unazë të Re në Tiranë. Një person i paidentifikuar, rreth 16 vjeç, nën kërcënimin e armës i ka marrë xhiron ditore punonjësit të karburantit. Më pas. ai është larguar sëbashku me një person tjetër të paidentifikuar me motor, në drejtim të Sheshit “Shqiponja”.
Ndërsa në ditët e para të muajit tetor, grabitësi kërcënoi me armë dhe mori xhiron ditore të një karburanti në qendër të Tiranës shumë pak metra larg Drejtorisë së Policisë në rrugën “Myslym Shyri”. Sipas burimeve, dyshohet se gjatë muajit shtator i njëjti person ka kryer dhe disa grabitje të tjera në Fushë-Krujë.
Tre rastet e sipërpërmendura janë ende të pazbuluara nga policia. Nuk ka asnjë person të arrestuar për grabitjet seriale të karburanteve në kryeqytet. Megjithëse të gjitha këto grabitje kanë qenë të regjistruara me kamera, Policia e Tiranës nuk ka mundur të identifikojë autorin. Në 6 muajt e parë të këtij viti në Qarkun Tiranë janë regjistruar rreth 2200 krime ndaj pronës.