Kontratat e porosive në eksport, rënie për të dytin tremujor

Kontratat e porosive për eksport shënuan rënie për të dytin tremujor radhazi në sektorin e industrisë sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Treguesi i kontratave porositëse janë një sinjalizues për kërkesën në të ardhmen e afërt. Kontratat në eksport të industrisë shënuan një rënie me 5.1% në tremujorin e tretë të vitit. Burimet nga tregu pohojnë se rënia i dedikohet sektorit të industrisë nxjerrëse ku për shkak të çmimit të ulët dhe mungesës së kërkesës, eksporti i kromit dhe naftës është limituar dukshëm. Pasi në sektorët e tjerë të industrisë, sidomos në atë të fasonit dhe përpunimit, eksportet janë në rritje dyshifrore.
Kontratat e porosive vijojnë të shënojnë balancë negative edhe për sektorët e ndërtimit dhe të industrisë, pavarësisht se hendeku i rënies është ngushtuar ndjeshëm. Pas një rritje sistematike tremujor pas tremujori të paktën në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë raporti se kontratat e reja të eksporteve kanë pësuar një rënie me 23.2%  në tremujorin e dytë, tendencë kjo që vijoi edhe në tremujorin e tretë. Kjo ecuri sinjalizon rënie të eksporteve në periudhën në vijim.
Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT, për periudhën janar-qershor, eksportet shqiptare, krahasuar me një vit më parë u ulën me 5.3%. Sektori i ndërtimit ka pësuar rënien më të madhe të nënshkrimit të kontratave të reja. Banka e Shqipërisë në anketimin që ka bërë me aktorët e tregut ka pohuar se, kontratat porositëse shënuan balancë negative 39% në tremujorin e tretë të 2016. Hajredin Fratari, një ndërtues me përvojë pohon se rënia ka ardhur prej rritjes së kostove në sektor dhe taksave ka frenuar edhe më tej porositë e reja.
Rënie të porosive të reja ka shënuar edhe sektori i industrisë. Në tremujorin e tretë 2016, treguesi ka pësuar rënie me 9.9%, duke ngushtuar disi diferencën e rënies në krahasim me tremujorin e dytë. Edhe pse treguesi i besimit në ekonomi u përmirësua në tremujorin e dytë, bizneset kanë raportuar rënie të fortë të porosive të reja në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke lajmëruar kështu se dobësitë në konsum do të vijojnë edhe në periudhë afatmesme.