KLSH: 200 milionë euro dëmi në buxhetin e shtetit për 2015

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar se dëmi në buxhetin e shtetit për vitin 2015 është  200 milionë euro, ndërsa niveli i borxhit publik është rritur. Duke folur në Komisionin e Ekonomisë në lidhje me realizimin e buxhetit të vitit 2015, kreu i KLSH Bujar Leskaj tha se, rritja ekonomike nuk ka qenë në nivelet e duhura. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode thotë se, kjo rritje do të realizohet me borxhe dhe se është e vogël në krahasim me nivelin e çmimeve. Buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm prej  200 milionë euro. Shifra u bë publike nga kreu i KLSH, Bujar Leskaj gjatë diskutimit të buxhetit faktik për 2015 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Sipas Leskaj, ecuria ekonomike gjatë këtij viti ka qenë jo e qëndrueshme. Leskaj: Nga auditimet e realizuara për efekt të implementimit vetëm të buxhetit të vitit 2015 u konstatuan dëme në shumën 200 mln euro. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ngriti si shqetësim edhe nivelin e lartë të borxhit publik. Leskaj: Për vitin 2015, niveli i borxhit ka arritur në 73.86% dhe është larg trendit që të çon në atë synim strategjik që ne kemi të vitit 2017, prej 65.5%, apo thënë ndryshe është i paarritshëm. Ndërkohë ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, shprehet se rritja e pagave dhe pensioneve do të realizohet me borxhe dhe për më tepër nuk mund të konsiderohet as indeksim. Bode: Kjo do të thotë se niveli i rritjes së çmimeve është më i madh nga sa pretendohet rritja e pagave dhe pensioneve, të cilat janë stopuar dhe në sektorin privat janë përvijuar edhe më të dhimbshme, për shkak të rritjes së presionit për papunësi pranohet një rënie e pagave në sektorin privat. Pra, kemi të bëjmë me një situatë të pamundësisë totale.