KE: Jo importit të plehrave, nuk keni institucione

Komisioni Europian rrëzon qeverinë Rama në lidhje me ligjin e mbetjeve, duke konfirmuar se Shqipëria nuk ka kapacitetet e duhura infrastrukturore për importin e mbetjeve.
Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria nuk e ka infrastrukturën e nevojshme për kontrollin e mbetjeve të importuara. Përmes një reagimi me shkrim pas kërkesës së “ABC News”, Komisioni Evropian kërkon që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane përpara se të nisë importi.
Komisioni Europian konsideron se Shqipëria nuk ka ende infrastrukturën e nevojshme, institucionet dhe sistemet e duhura për monitorimin, kontrollin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve në Shqipëri. Sipas KE-së, ndarja e mbetjeve në Shqipëri nuk ka filluar ende me përjashtime të pakta dhe normat e riciklimit janë shumë të ulëta.
“Shqipëria duhet të bëjë përafrimin me direktivën dhe rregulloret e BE-së, duke lejuar importin e mbetjeve, përmes rritjes së klasifikimit të mbetjeve në burim, riciklimit, mbylljes së derdhjeve të paligjshme, ndërtimit të instalimeve të mbetjeve”, shprehet KE-ja në përgjigjen e drejtuar nga “ABC News” mbi kredibilitetin e importit të mbetjeve në Shqipëri, kur vendi arrin të riciklojë vetëm 30% të mbetjeve të vendit. Në këtë përgjigje, ekzekutivi evropian nënvizon dukshëm dobësitë e Shqipërisë lidhur me kapacitetet për menaxhimin dhe importin e mbetjeve:
“Forcimi dhe zbatimi i ligjit për menaxhimin e mbetjeve është kyç, pavarësisht regjimit të importit të mbetjeve, që është në fuqi aktualisht. Shqipëria duhet të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, si dhe të institucioneve dhe sistemeve për monitorimin, kontrollin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve. Një kujdes i veçantë duhet të tregohet për minimizimin e mbetjeve nëpërmjet parandalimit të mbetjeve, grumbullimit të diferencuar dhe riciklimit. Në këtë kontekst, është i domosdoshëm sigurimi i kapaciteteve administrative dhe teknike së bashku me investimet themelore. Zgjidhja e problemit të mbetjeve në Shqipëri është një çështje serioze dhe kërkon teknikën dhe financat e duhura, vullnetin politik dhe ndërgjegjësimin e publikut”, thuhet në përgjigjen e KE-së.
Komisioni Europian rikujton se, në bazë të progres raportit të vitit 2013 për Shqipërinë thuhet se, “Menaxhimi i mbetjeve mbetet një çështje serioze shqetësuese në Shqipëri. Ndarja e mbetjeve nuk ka filluar ende me përjashtime të pakta dhe normat e riciklimit janë shumë të ulëta. Industria e riciklimit është e sapolindur dhe ka nevojë të importojë materialet e nevojshme të para nga jashtë vendit”. Bashkimi Evropian shprehet i gatshëm për t’i ofruar Shqipërisë legjislacionin dhe praktikat më të mira në përputhje me standardet e BE-së.
Ligji për mbetjet shkaktoi debate të forta në vend, duke hasur kundërshtime të forta nga ana e qytetarëve, opozitës, ambientalistëve etj. Pas debateve të shumta kundër miratimit të ligjit për importin e mbetjeve, kreu i shtetit, Bujar Nishani, nuk e dekretoi atë duke ia kthyer Parlamentit për shqyrtim.
Kreu i shtetit argumentoi se, ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet se: “Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”. Sipas tij, lejimi i importit të mbetjeve referuar ligjit, duke gjeneruar një ndotje shtesë në raport me popullsinë dhe territorin e vendit mund të komprometojë në mënyrë të pakthyeshme parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sanksionuar në Kushtetutë.
Ai shton se referuar Konventës së Bazelit, Shqipëria duhet të marrë masa për minimizimin e mbetjeve të brendshme dhe në asnjë rast nuk është e detyruar të importojë mbetje të tjera jo të rrezikshme nga jashtë. Duke kujtuar kundërshtimin e ligjit të bërë më herët nga opozita e asaj kohe, tashmë në mazhorancë, ai thotë se në kushtet që pas tri viteve nuk konsiderohet zëri i publikut dhe zhbëhet ajo që u arrit nga ligjvënësi pas përfshirjes së publikut në vendimmarrje në vitin 2013 është në kundërshtim me çdo standard të vendosur nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa e Aarhus-it e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë. Sipas tij, është e drejta e publikut të përfshihet në një vendimmarrje kaq të rëndësishme sa ç’është ajo e importit të mbetjeve që ndikon direkt në mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. “Ndërkohë, referuar procesverbaleve të seancave në Komision dhe dokumenteve të vëna në dispozicion nga ana e Kuvendit, ka rezultuar se koha ka qenë tepër e shkurtër, e papërshtatshme (korrik, shtator) dhe për më tepër edhe mendimet e dhëna me shkrim nga ana e ekspertëve apo grupeve të interesit nuk janë marrë në konsideratë”, arsyeton Nishani.