Investimet e huaja ranë me 65 milionë euro në 6-mujorin e parë

Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, investimet e huaja në Kosovë arritën në 97.5 milionë euro. Duke krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vihet re se janë 65.5 milionë euro më pak. Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregojnë se zvogëlimi i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) u evidentua sidomos në sektorin e pasurive të patundshme dhe në sektorin e shërbimeve financiare, pavarësisht se në vitet e tjera, kanë pasur më shumë investime.
Sipas të dhënave të BQK-së, investimet e huaja direkte të pranuara në Kosovë deri në qershor të 2016-s arritën vlerën prej 97.5 milionë eurosh, që paraqet nivelin më të ulët krahasuar me vlerën prej 163 milionë eurosh, të regjistruara në periudhën e njëjtë të vitit 2015, shkruan gazeta ‘Zëri’. “Në kuadër të strukturës së IHD-ve, me zvogëlim të vlerës u karakterizuan të dy format e IHD-ve, duke përfshirë kapitalin dhe fondin e investimeve në aksione, si dhe investimet në instrumentet e borxhit. Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione që përben rreth 77.4 për qind të gjithsej IHD-ve shënoi vlerën prej 75.5 milionë eurosh, që është 35,3 për qind më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Gjithashtu IHD-të në formë të instrumenteve të borxheve shënuan vlerën prej 22.0 milionë eurosh, një zvogëlim kundrejt vitit paraprak prej 52,5%. Zvogëlimi i IHD-ve në Kosovë u evidentua sidomos në sektorin e patundshmërive dhe në sektorin e shërbimeve financiare”, thuhet në raport.