Berisha: “Atalanta në rrugën e duhur”

Etrit Berisha është i kënaqur me barazimin 0-0 në një fushë të vështirë si ajo e Fiorentinës, edhe pse sipas tij, Atalanta mund të kishte dalë me pikë të plota nga ndeshja e sotme. “Sot u pa një Atalanta me dëshirë dhe vendosmëri të madhe. Mund të merrnim në shtëpi diçka më tepër, pasi krijuam shumë raste. Por edhe një pikë në këto momente është rezultat i mirë. Jemi shumë të kënaqur”, u shpreh portieri shqiptar për ueb-faqen zyrtare të klubit bergamask.
Barazimi i sotëm vjen pas fitores 1-0 kundër Napolit në javën paraardhëse dhe bluzinjtë duket se janë në rrugën e duhur pas nisjes së vështirë të kampionatit. “Kemi luajtur kundër dy skuadrave me dy prej sulmeve më të mira në kampionat. E kemi nisur keq sezonin, por tani jemi në udhë të mbarë”, shtoi 27-vjeçari nga Prishtina.
Berisha edhe sot ishte një nga pikat më të forta të Atalantës, dhe tashmë “gardiani” kuqezi e ka blinduar vendin e titullarit mes shtyllave. “Jam i lumtur që po mund ta ndihmoj ekipin. Trajneri dhe shokët e skuadrës kanë besim tek unë. Të gjithë bashkë po punojmë fort për të bërë diçka për së mbari”, përfundoi portieri i huazuar nga Lacio në ditën e fundit të merkatos së verës.