Barça përgatit rinovimet e Mascheranos dhe Iniestës

Lajmi po qarkullonte në ambientet futbollistike spanjolle prej disa orësh dhe më pas erdhi dhe komunikata zyrtare në faqen e Barcelonës: Javier Mascherano rinovon kontratën me blaugranat deri më 2019, duke zgjatur kështu me një vit kohën e qëndrimit në klubin katalanas. Akordi është arritur siç njofton zyrtarisht Barcelona dhe hedhja e firmave në kontratë me futbollistin që u kërkua me ngulm nga Juventusi gjatë merkatos së verës, është parashikuar për këtë të hënë.
Përveç kontratës së argjentinasit, Barcelona përgatitet për një tjetër rinovim me peshë, atë të Andres Iniestës, i cili është i gatshëm të lidhet me një kontratë të përjetshme te Barça, pas 20 vjetësh që ndodhet në klubin katalanas ku i ka hedhur hapat e parë që nga akademia e La Masia-s. Edhe ai është në skadencë kontrate në qershor të 2018, por drejtuesit e klubit i kanë formuluar mesfushorit spanjoll ofertën e tyre, një kontratë të përjetshme me lirinë për të zgjedhur rolin që do të mbulojë. Kjo do të thotë se do të jetë në fushë deri kur gjendja fizike t’ja lejojë për të vazhduar më pas duke mbuluar një rol drejtuesi ose si trajner i ekipeve të të rinjve, natyrisht me shpresën që nën drejtimin e tij të mund të rriten të tjerë Don Andres.