Impiant plehrash për mbetjet e rrezikshme nga Serbia në Tiranë

Mediat serbe kanë zbardhur Memorandumin e Plehrave, Rama-Vuçiç të nënshkruar në Nish gjatë takimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Gazeta serbe “Kurir” i ka kushtuar rëndësi këtij memorandumi dhe ka dhënë një pjesë të detajeve se si do të bëhet transferimi i impiantit të mbetjeve të rrezikshme nga Beogradi në Tiranë.

Lajmi i gazetës “Kurir”

Ndërmarrja për ekologji dhe mbrojtjen e ambientit “Ezo grupa” nga Beogradi ka firmosur në Nish me një partner shqiptar Memorandumin për themelimin e kompanisë së përbashkët serbo-shqiptare, e cila do të merret me administrimin e mbetjeve të rrezikshme industriale dhe riciklimin e mbetjeve të naftës në Shqipëri. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i “Ezo grupa”, Dragan Stankoviç.
Gjatë zhvillimit të Forumit të biznesit Serbi-Shqipëri, ai tha se kjo do të jetë kompania e parë e përbashkët, e cila do të merret me këtë punë, e cila është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e ambientit. Stankoviç tha se, “Ezo grupa” do të transferojë nga Serbia në Shqipëri teknologjinë dhe pajisjet, derisa biznesmeni Aleksandër Biberaj, me të cilin është firmosur memorandumi për kompaninë e përbashkët do të ketë pjesëmarrje prej 30%, ku do të marrë pjesë me kapital dhe lidhjet të cilat ai i ka në Shqipëri.
Pres që ky hapi ynë do të inkurajojë edhe kompani të tjera nga Serbia, që të thyejnë paragjykimet dhe me guxim të nisen në punë, dhe në vend të frikës se do të falimentojnë të përzgjedhin shpresën dhe të marrin pjesë në afarizëm me shtetin tonë të afërt, sepse ky është një potencial i  madh, e në veçanti në fushën e mbetjeve, theksoi Stankoviç, duke shtuar se pritet që kompania e përbashkët të regjistrohet zyrtarisht në nëntorin e vitit 2016 dhe deri në fund të vitit do të kenë një punë në fushën e pastrimit të depozitave të naftës.
Stankoviç theksoi se, “Ezo grupa”, selia e së cilës është në Beograd, aktualisht punon në rajon dhe ka kompani në Maqedoni. Sipas tij, “Ezo grupa” merret me administrimin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, pastrimin industrial të impianteve, riparimin e incidenteve ekologjike dhe ka marrë mirënjohje të Eko biznes partnerit në rajon.
Në Nish është zhvilluar forumi i biznesit Serbi-Shqipëri, ku morën pjesën më shumë se 300 përfaqësues të kompanive dhe biznesmenë nga të dyja shtetet, e forumin e hapën kryeministri i Serbisë dhe Shqipërisë, Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama.
Ky është tubimi i parë i madh i biznesmenëve serbë dhe shqiptarë, i cili duhet të kontribuojë në përafrimin e bashkësisë së biznesit serb dhe atij shqiptar.

Kompania në Tiranë për artikuj industrialë

Kompania ku pronar është Aleksandër Biberaj quhet “Set Communications”. Sipas të dhënave të marra nga ekstrakti i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se kjo kompani merret me “tregtim, import-eksport me shumicë e pakicë i artikujve të ndryshëm industrialë, në veçanti atyre elektronike, kompjuterike, radiotelevizive, elektrike të matjeve radio televizive dhe kalibrimit të pajisjeve. Projektimi, prodhimi, instalimi, shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e aparaturave të marrjes dhe të shpërndarjes së sinjaleve audio, video, telefonike, etj”. Sikurse shihet edhe nga ekstrakti i QKR-së, kjo kompani nuk ka asnjë lidhje me importin e mbetjeve dhe aq më pak me administrimin e mbetjeve të rrezikshme dhe riciklimin e mbetjeve të naftës. Se si mund të ushtrojë veprimtari në fushën e mbetjeve të rrezikshme dhe riciklimin e mbetjeve të naftës një kompani që merret me import-eksport kasetofonash, televizorësh apo produkte të tjera elektronike, kjo është një dilemë të cilën e pranon edhe Presidenti serb i kompanisë “Ezo grupa”. “Kompania e përbashkët do të regjistrohet zyrtarisht në nëntorin e vitit 2016”, thotë Aleksandër Stankoviç.

Transferimi i impiantit të mbetjeve nga Beogradi

Presidenti i “Ezo grupa”, Aleksandër Stankoviç është shprehur pas nënshkrimit të Memorandumit të Plehrave se kompania e tij do të transferohet nga Serbia në Shqipëri. Si është e mundur një biznes i suksesshëm të ketë një dashuri kaq të madhe për Shqipërinë që të transferojë këtë aktivitet nga Serbia në Shqipëri dhe madje këtë ta bëjë edhe përpara Kryeministrit serb Vuçiç?
Stankoviç thotë se, “Ezo grup” do të transferojë nga Serbia në Shqipëri teknologjinë dhe pajisjet, derisa biznesmeni Aleksandër Biberaj, me të cilin është firmosur memorandumi për kompaninë e përbashkët do të ketë pjesëmarrje prej 30%, ku do të marrë pjesë me kapital dhe lidhjet, të cilat ai i ka në Shqipëri.

Marrëveshjet e vetme për plehrat

Duket se Rama të vetmet hapësira që ofron për biznesin e huaj është të hapë të gjitha dyert e këtij vendi për ndërtimin e impianteve të mbetjeve. Nuk bëhet fjalë për impiante dosido, por për impiante, të cilat qartazi merren me mbetjet e rrezikshme. Janë biznese për të cilat kryeministrat edhe të vendeve fqinje si rasti i Vuçiç i përzënë me ceremoni nga vendi i tyre sikurse bëri tre ditë më parë në Nish, ndërsa Rama e priti me krahët hapur. Memorandumi i nënshkruar në Nish çuditërisht është mbajtur sekret nga Rama. Asnjë njoftim nuk ka në faqen e tij zyrtare në lidhje me këtë Memorandum. Nëse do të ishte një Memorandum produktiv, atëherë përse Rama do ta mbante të fshehtë dhe të mos e publikonte sikurse ka bërë pala serbe? Përse Rama ka frikë të tregojë se çfarë do t’u sjellë shqiptarëve nga Serbia?

Lista e gjelbër, bëhet e rrezikshme

Grupi ku specifikohen mbetjet e naftës ka të bëjë me grupin e mbetjeve që përmbajnë kryesisht komponentë inorganikë, të cilat mund të përmbajnë metale dhe materiale organike:
– sulfat kalciumi pjesërisht i rafinuar i prodhuar nga desulfurimi i gazit të oxhaqeve (flue)
– mbetje gipsi prej prishjes së ndërtesave
– zgjyra dhe hire të poshtëm (të bazës) të kaldajave me qymyr
– hiret fluturuese të qymyreve të dala nga kaldajat me qymyr
– cilindrat anodike të koksit të naftës dhe/ ose bitumit
– mbetje të karbonit të aktivizuar, rezultuar nga trajtimi i ujit të pijshëm dhe proceseve të industrisë ushqimore dhe prodhimit të vitaminës
– llumra bazike të dala nga përpunimi i hekurit dhe çelikut të përshtatshme për plehrat e fosfatit ose për përdorim tjetër
– zgjyra (llumra) nga prodhimi i bakrit, e stabilizuar kimikisht, me përmbajtje të lartë hekuri (mbi 20%) dhe e përpunuar sipas specifikimeve industriale kryesisht për ndërtim dhe si abraziv
– sulfur në formë të ngurtë
– gur gëlqeror prej prodhimit të cianamidit të kalciumit (që ka pH më të vogël se 9)
– balta të kuqe e neutralizuar nga prodhimi i aluminit
– klorure të sodës, potasit dhe kalciumit
– karbid silikoni
– beton i thyer
– litium-tantalum dhe litium-niobium të përmbajtur në skrapet e qelqit

Arben SHAHINI