Një shqiptar kapet në Itali me 1 milion euro drogë

Një 27-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në qytezën italiane Bagnoli Irpino, pjesë e provincës së Avellono-s dhe 1 kg kokainë e pastër dhe 11 kg kanabis janë sekuestruar. Siç raportojnë mediat lokale, vlera e drogës vlerësohet mes 700.000 dhe 900.000 euro.
Mbrëmjen e të dielës, efektivë të policisë mësynë në banesën e shqiptarit të arrestuar, i cili prej kohësh ishte nën vëzhgim nga policia. Droga është gjetur në banesë, marijuana në një çantë pranë shtratit të 27-vjeçarit dhe e ndarë në 14 paketime, ndërsa kokaina e fshehur në VC (banjo).
Gjithashtu, janë gjetur edhe materiale për paketimin e drogës, si dhe për të reduktuar riskun e gjetjes së saj, në një rast kontrolli nga qentë-antidrogë. Pra, me pak fjalë, mjetet e nevojshme të një “trafikanti perfekt”, shkruajnë mediat lokale.
Gjatë aksionit të policisë, shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur është shfaqur nervoz. Pasi u gjet sasia e marijuanës, i riu, nervoz, përsëriste: “Kjo është e gjitha, nuk ka më drogë në shtëpi”, por më pas agjentët gjetën edhe kokainën.
Analizat e drogës në laborator kanë përcaktuar edhe numrin e dozave që mund të ndahej sasia e sekuestruar: 3 mijë e 500 doza kokainë dhe 50 mijë doza marijuanë, që në treg kapte vlerën e disi më pak se 1 milion euro. Pas arrestimit, 27-vjeçari është dërguar në burg. Ndaj tij rëndon akuza për mbajtje të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin.