S’ka krizë te Bayerni

Bayern's Thomas Mueller celebrates after scoring during the German first division Bundesliga soccer match between FC Bayern Munich and Fortuna Duesseldorf, in Munich, Germany, Saturday, March 9, 2013. (AP Photo/Matthias Schrader)

Tek Bayerni i Mynihut nuk mund të flitet për krizë. Pasi e nisën sezonin në mënyrën më të mirë duke siguruar 8 fitore radhazi në të gjitha kompeticionet, kampionët e Gjermanisë u ndalën në dy raste. Në Champions League bavarezët u mundën nga Atletico Madrid-it me rezultatin 1 me 0 ndërsa në kampionat barazuan ndaj Koln. Një pikë e fituar në dy takimet e fundit, solli dhe reagimin e portierit të Bayernit, Manuel Nouer, i cili akuzoi skuadrën e tij se nuk dha maksimumin në fushën e blertë. Ai që hedh poshtë zërat se, bavarezët janë në krizë është sulmuesi Thomas Muller, i cili deklaron se nuk ka vend për panik.
“Kemi fituar 8 takimet e para dhe në dy raste ku nuk arritëm të merrnim tre pikët, menjëherë shpërthyen zërat, se tek Bayerni Mynihut ka krizë. Unë nuk mendoj kështu. Kemi arritur të grumbullojmë 16 pikë pas 6 javësh kampionat dhe nuk janë pak. Ecuria e deritanishme e tregon qartë se, skuadra është në formë të mirë”, u shpreh Muller.
Më tej, Muller shtoi se, humbja në Champions League dhe barazimi në  kampionat ndaj Koln-it nuk duhet ta shpërqendojë skuadrën. Gjithashtu 27-vjeçari nuk nguroi të komplimentente dhe trajnerin Karlo Ançeloti, i cili sipas Muller është duke bërë një punë të shkëlqyer tek bavarezët.
Pas humbjes me Atletikon në Champions dhe barazimit me Këlnin, Bajerni i Mynihut është kryqëzuar ashpër, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë. I qartë mesazhi i Nojerit: “Nuk luhet duke menduar se kështu do të shpallemi kampionë. Të luash në 95% nuk mjafton”. Akoma më i ashpër Boatengu: “Sulmuesit tanë lëvizin pak. Duhet të marrin shembull nga ata të Atletikos…”.
Dy ditë më parë, një analizë e Armih Fehut, ish-trajnerit mes të tjerash i Shtutgartit dhe Hamburgut thoshte: “Lojtarët duken të lodhur. Ndoshta sepse e kanë fituar kampionatin 4 herë radhazi”. Skuadra e ngadaltë dhe e lodhur? Për ta zgjuar provon Riberi: “Duhet të luajmë si skuadër dhe t’i harrojmë sa më shpejt dy rezultatet negative. Jemi një super skuadër dhe kemi një grup fantastik”.
Francezi, i cili mungoi me Këlnin, kërkon të shohë një skuadër më grintoze: “Duhet të kthehemi të punojmë dhe luftojmë së bashku”. Frenk beson shumë tek Ançeloti: “Është thjesht i shkëlqyer. Vjen shpesh te mua për të më pyetur si ndihem. E bën me zgjuarsi këtë gjë. Flet shumë me lojtarët dhe u ka dhënë hapësirë të gjithëve”. Pikërisht, Riberi është njëri nga pak lojtarët që e kupton qartazi se është në formë të shkëlqyer. Dy gola dhe 5 asiste në 5 ndeshjet në kampionat. Është rikthyer pas problemeve të gjata fizike dhe ndonjë keqkuptimi me Guardiolën. Nuk është rastësi që këto ditë në Mynih diskutohet një rinovim i mundshëm.
Kontrata e tij, ashtu si ajo e Robenit, skadon në fund të sezonit. “Nuk kam folur ende me klubin. Unë dhe Robeni jemi të lumtur, nëse arrijmë që të luajmë në vazhdimësi”, thotë 33-vjeçari për “Bild”. Riaftësimi i tij mund të penalizojë Komanin, për të cilin transferimi përfundimtar në Mynih nga Juventusi nuk është më i sigurt.
Ndërkohë, Xabi Alonso kërkon rinovimin me Bayern. Mesfushori spanjoll ka kontratë me Bayern Munich deri në fund të sezonit aktual, por palët ende nuk kanë nisur bisedimet për kontratën e re. Gjithsesi synimi i 35-vjeçarit është qëndrimi në “Allianz Arena”. Mediat spanjolle shkruajnë se Alonso shpreson të vazhdojë aventurën me kampionët e Gjermanisë dhe të firmosë kontratë të re, pasi ndihet shumë mirë me jetën e tij ne Mynih.