Qytetarët e Njësisë 8 i ankohen Bashës për drogën në shkolla

Pas rritjes së kultivimit të hashashit në të gjithë territorin e vendit, kryeqytetasit i kanë shprehur kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha shqetësimin për rritjen e ndjeshme të konsumimit të drogës nëpër shkollat e kryeqytetit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e dëgjimit dhe bashkëbisedimit me drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike të Degës 8 në kryeqytet, ku një nga shqetësimet kryesore që u diskutua ishte pikërisht rritja e konsumimit të lëndëve narkotike nëpër shkolla.
“Pranë shkollave të mesme ka çdo ditë persona që shesin hashash dhe droga të forta, ndërsa konsumimi nga të rinjtë është rritur në mënyrë tejet shqetësuese. Rritja e konsumit të drogës tek të rinjtë, përdorimi i qytetarëve si skllevër në parcelat e hashashit dhe vrasjet për drogën janë sot pasojat direkte të politikës kriminale të Edi Ramës, për ta kthyer Shqipërinë në hambar droge”, tha kryetari i Partisë Demokratike.
“Për një vit me radhë denoncuam fushatën e mbjelljes së drogës. Ju thamë se po pesëfishohet, dhjetëfishohet territori i mbjellur me drogë. Edi Rama tallej. Vetëm javën e fundit iu është kapur një sasi rekord droge, 3.2 tonë në Mat para dy ditësh, 11 tonë në Vlorë. Ku e kemi hokatarin Edi Rama dhe biçim ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri? Po pse erdhëm këtu?! Sepse Edi Rama dhe Saimir Tahiri kriminalizuan Policinë e Shtetit. Emëruan persona me precedentë të mëparshëm, persona të njohur për bashkëpunimin e tyre me krimin e organizuar dhe iu varën në qafë çelësat e drejtorive kyçe të Policisë së Shtetit në territor dhe në luftën kundër narkotikëve”.
Sulmet e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm ndaj opozitës, medias dhe Prokurorisë, tha zoti Basha, janë pasojë e bllokimit të tonelatave me drogë në Mat dhe Vlorë me paratë e të cilave Rama dhe Tahiri kishin planifikuar të blinin votat dhe të shtonin pasuritë e tyre.
“Pyetja që shtron çdo njeri normal, demokrat apo jo është: Si ka mundësi që ditën që kapeshin 11 tonë drogë ministri i Brendshëm rreshton në frontin e të keqes opozitën, median, Prokurorinë?! Përgjigjja është vetëm një: sepse ministri i Brendshëm është pjesë e këtyre 11 tonë drogë. Normalisht po të kapen 11 tonë drogë dhe ke pjesë e hisen tënde aty, të ikën zëri e të erren sytë, se po të shtrëngohet laku dhe më shumë do t’i shtrëngohet”.
Po dje, kreu i PD, Basha reagoi në lidhje me bilancin e vrasjeve në vend, ku përditë po ndodhin vrasje e plagosje, ndërsa hodhi poshtë pretendimet absurde të Ramës për ulje të kriminalitetit në vend. “Kur 3 shtetas u vranë me armë, dje Edi Rama nxori një shkarravinë, duke thënë se po vendos rendin, se numri i vrasjeve është ulur. U tall me 3 jetë të humbura, si të ishin dele e jo njerëz dhe u mburr me atë që është dështimi i tij i madh. Sepse rendi nuk ekziston. Rend nuk ka. Ka sundim të bandave, ka konflikt dhe vrasje me armë. Këtë pasiguri ekstreme e ka mbjellur ai në Shqipëri, me kanabizimin e vendit, me sprapsjen e ligjit, me rreshtimin e tij dhe Tahirit në krah të krimit. Dita sot nis me dy të vrarë, një në Shkodër dhe një në Korçë. Ndërkohë dje policia me urdhër të Ramës e Tahirit i ka bërë rezistencë drejtësisë, duke penguar hetimin e duke mbrojtur 11 tonelata me drogë në Vlorë. Një bandit i qeverisë i del para prokurorit me armë në dorë në Mat, duke i prerë rrugën drejt parcelave me kanabis. Ky është shteti i Edi Ramës, ndërkohë që ai llomotit në Kuvend për drejtësinë. Këtu ka përfunduar Shqipëria me Edi Ramën. Shqipëria do të jetë pa krime, pa drogë, pa plehra vetëm pa Edi Ramën”, tha Basha.