Noka: Tahiri sulmoi Prokurorinë për shkak të operacionit antidrogë

Ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka thënë se, në Vlorë dy ditë më parë u kapën plot 25 tonë kanabis sativa dhe jo 10 tonë siç thuhet në komunikatën zyrtare të policisë. Duke folur nga Parlamenti, Noka theksoi se droga i përket kushërinjve të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Deputeti demokrat replikoi me ministren Ermonela Felaj, e cila po fliste për Reformën në Drejtësi, e akuzoi duke i thënë se qeveria e saj nuk mund të realizojë këtë reformë, pasi vet ajo ka marrë para për të nxjerrë njerëz nga burgu. “Nuk mund të flasë për drejtësinë këtu një zonjë, që për të nxjerrë njerëz nga burgu ka marrë lekë. Ja ku e keni, këta që marrin lekë do bëjnë drejtësinë. E dyta, dje komunikata e policisë ishte që u kapën 10 ton drogë. E vërteta është që operacioni ishte informim nga SHISH dhe operacion i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. U kapën 25 tonë. Ky Kryeministri dhe ministri thonë që nuk ka hashash dhe të kujt ishin, të kushërinjve të ministrit, të habilajve. Rast tjetër. Çfarë ishin ata banditë dje në Mat, që i vunë automatikun në gjoks dje prokurorit? Njerëzit tuaj ishin. Ja ky është trajtimi që ju i bëni drejtësisë.  Po të them edhe një gjë tjetër. Pse u steros dje ministri jot i Brendshëm. Filloi të sulmonte Prokurorinë se ju kapën 25 tonë. Pse u fsheh? Shqiptarët janë për të vënë kujën dhe ju dilni flisni si e ëma e Zeqos majë thanës këtu”, u shpreh deputeti Noka.