Karteli i drogës me armë kundër prokurorit

Shefi i Prokurorisë së Matit, Abaz Muça deklaroi dje për mediat se, i ishte ndaluar të hyjë në parcelat ku kishte marrë informacione se kishte kanabis, duke u kërcënuar nga trafikantët e armatosur që ruanin parcelat. Muça deklaroi se, kërcënimet janë bërë në sy të Policisë së Matit dhe se, këtë fakt do ta referoj edhe në Prokurorinë e Përgjithshme. “Kur shkuam mbrëmë për të asgjësuar 10600 rrënjë kanabis në Njësinë Administrative Lis, afroheshim tek parcela, një person ka dalë me automatik dhe ia ka drejtuar furgonit të Policisë dhe makinës së Prokurorisë”, deklaroi prokurori Muça.
Kërcënimi me armë i prokurorit të Matit, Abaz Muça, nga trafikantët në fushat me kanabis u konfirmua dje edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme tha se, ngjarja ka ndodhur ditën e mërkurë paradite, kur Muça shkoi vetë të verifikonte informacionet për fusha me kanabis në rrethinat e Matit dhe i dolën përpara persona të armatosur, që nuk e lejuan të kryente hetimin në terren.
“E vërteta është që, prokurorit Abaz Muça i kanë dalë përpara me armë paraditen e djeshme, në kohën që ai po shkonte për të verifikuar në terren informacione për disa parcela me kanabis”, thotë zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme. Prokuroria tha se, ka nisur hetimin për të zbuluar kërcënuesin.
Mosndërhyrja e Policisë së Shtetit për sekuestrimin e kanabisit ka bërë që drejtues të Prokurorisë në rrethe të dalin në terren për të verifikuar fushat me parcela të hashashit. Mesditën e të mërkurës, shefi i Prokurorisë së Matit, Abaz Muça, i shoqëruar nga një hetues i Prokurorisë dhe shoferi janë nisur për në fshatin Myz, për të verifikuar informacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror se ajo zonë është e mbjellë me kanabis. Rrugës, thonë burimet nga Prokuroria, në hyrje të fshatit një person ende i paidentifikuar me makinë i ka prerë rrugën, duke kërkuar të kthehen mbrapsht. Pas kërcënimeve me armë, prokurori i rrethit, Muça, bashkë me hetuesin dhe shoferin janë detyruar të kthehen mbrapsht.
Vetëm pak metra pasi janë larguar, shefi i akuzës së Matit ka njoftuar Policinë e Shtetit, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por rruga ishte bllokuar nga mjeti tip “Toyota” me targa të falsifikuara. Pas largimit të mjetit nga Policia, prokurori dhe Grupi i Gatshëm ka ndërhyrë brenda në fshat, duke konstatuar dhe më pas asgjësuar 10600 rrënjë bimë narkotike. Gjithashtu, nën drejtimin e prokurorit të rrethit Muça, Policia ka ushtruar edhe kontroll në disa banesa, ku në shtëpinë e shtetasit Fatmir Shehi, i cili është shpallur në kërkim, janë gjetur rreth 2 kg hashash në proces tharje. Për këtë fakt është arrestuar bashkëshortja e tij, shtetasja Nexhmije Shehi.
Nga ana tjetër, sipas akuzës, po punohet për të identifikuar personin që i bllokoi rrugën prokurorit të rrethit dhe personat që kanë kultivuar hashashin në fshatin Myz, buzë rrugës së Njësisë Administrative Lis në Mat.
Ky operacion vjen vetëm pak ditë, pasi po me iniciativën e Prokurorisë është kryer një operacion në fshatin Rremull të Njësisë Administrative Rukaj të Matit, ku u gjetën dhe u asgjësuan 12966 bimë narkotike dhe u sekuestruan 3 ton hashash i tharë dhe gati për trafikim. Parcela e fundit ishte vetëm 5 kilometra larg qytetit të Burrelit, çka tregon se Policia e Matit nuk ka ndërhyrë për ta asgjësuar atë.

R.POLISI