Kapiteni Hamsik ëndërron titullin me Napolin

Marek Hamsik ka një objektiv të qartë dëshiron të fitojë titullin kampion me Napolin. Mesfushori sllovak është i bindur se me skuadrën që ka aktualisht në dispozicion Napoli mund t’ia arrijë qëllimit. Nuk do të jetë e thjeshtë, por kapiteni, i cili e ka kaluar tashmë kuotën e 100 golave me Napolin dëshiron të përsërisë atë që bëri Diego Armando Maradona në periudhën, kur luante me skuadrën e kaltër. Pas 7 javëve të para ekipi i Maurizzio Sarrit ka grumbulluar 4 pikë më pak se Juventusi që kryeson klasfikimin, por Hamsik mendon se, Napoli i ka realisht mundësitë për të rikuperuar këtë disavantazh dhe për të fituar në fund të sezonit Serinë A italiane.  Ëndrra ime më e madhe është të fitoj kampionatin me Napolin deklaroi mesfushori nga grumbulli me kombëtaren sllovake. Juventusi mund të duket i një tjetër kategorie, por ne kemi besim te aftësitë tona. Në fillim të kampionatit ishim në krye, ndërsa tashmë kemi 4 pikë disavantazh krahasuar me bardhezinjtë gjithsesi sezoni është i gjatë dhe kemi kohë për të rikuperuar shtoi në fund të fjalës së tij Marek Hamsik.  29-vjeçari deri tani numëron 103 gola me “Të Kaltërit” dhe është vetëm 12 finalizime larg Diego Armando Maradonës, i cili me Napolin është ndalur në kuotën e 115 golave.