Ka nisur lufta për Trepçën në Kosovë

Kryetari i Bordit të Agjencisë kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, i tha Radios Evropa e Lirë se, “Serbia nuk ka hise në asnjë pronë në Kosovë” dhe se “Beogradi është i vetëdijshëm se ‘Trepça’ është pronë e Kosovës”.
Gashi ka thënë se çështja e “Trepçës” është më shumë “politike” dhe një “çështje shumë komplekse që duhet shikuar jo vetëm nga ky prizëm, por edhe nga aspekti ekonomik dhe ai i sigurisë”.
Ai tha se nëse deri më 1 nëntor nuk gjendet zgjidhja për “Trepçën”, kombinati shkon në proces të likuidimit.
“Nëse eventualisht ky afat, që kërkon ndryshime në legjislacion përkatës, shtyhet për një kohë tjetër, do të mundësonte përgatitjen e një plani drejt zgjidhjes përfundimtare”, tha Gashi. Kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi tha se, “‘Trepça’ ka edhe 11 asete në territorin e Serbisë dhe 6 të tjera në Bosnjë dhe Kroaci”.

– Statusi i Kombinatit Metalurgjik “Trepça” ka kohë që është temë debati në Kosovë. Sipas jush, cila është zgjidhja më e mirë për gjigantin që gjendet në Mitrovicë?
Petrit Gashi: Çështja e “Trepçës” është një ndër temat më të rëndësishme në kuadër të ekonomisë, që është diskutuar në vitet e fundit. Por, gjatë vitit 2016 është trajtuar me seriozitetin më të madh, për mënyrën se si t’i gjendet zgjidhja përfundimtare gjigantit çfarë është “Trepça”. Gjatë këtij viti është diskutuar me të gjitha instancat apo aktorët që janë përfshirë me “Trepçën”, përfshirë këtu qeverinë, Kuvendin dhe Agjencinë kosovare të Privatizimit.
Ne si administratorë të “Trepçës”, është menduar, është shqyrtuar, është analizuar në mënyra të ndryshme se si ta trajtojmë “Trepçën”. Janë marrë raste të ndryshme studimore prej vendeve të ndryshme se si i kanë trajtuar gjigantet e tilla.
Ne si AKP, kemi iniciuar një studim të fizibilitetit tashmë kohëve të fundit, i cili është në proces dhe i cili do të japë disa përgjigje se si duhet transformuar përfundimi i “Trepçës”.
Të them të drejtën zgjidhja për “Trepçën” nuk është e lehtë, ne po e shohim edhe projektligjin që dje është proceduar në Kuvend. Edhe ai ligj në një formë krijon hapësira, është tejet fleksibël për zgjidhje përfundimtare të “Trepçës”, për arsye se thjesht nuk është e lehtë që të gjendet një zgjidhje e lehtë përfundimtare, e cila do t’i marrë për bazë të gjitha interesat e të gjithëve dhe dimensionet e “Trepçës”.
Duhet ta kuptojmë kompleksitetin e “Trepçës” në përgjithësi, ta shohim jo vetëm prej prizmit ekonomik, por edhe prizmit politik, të sigurisë dhe të tjera. Kështu që në tërësi është një hap shumë kompleks dhe duhet të jetë shumë mirë i menduar, para se të gjendet një zgjidhje përfundimtare.

– Sa herë që është diskutuar “Trepça” kanë ndërhyrë autoritetet në Beograd, duke thënë se pronari i vetëm i kombinatit është Serbia dhe problemi i “Trepçës” “pa të nuk mund të zgjidhet”. A ka hise Serbia në këtë kombinat?
Serbia nuk ka hise në asnjë pronë në Kosovë. Në bazë të legjislacionit mbi të cilin funksion AKP-ja të gjitha pronat janë prona të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe “Trepçën”. Në atë mënyrë ne e kemi trajtuar këtë kombinat dhe kemi bashkëpunuar, pa marrë parasysh se a flasim për operacionet e “Trepçës” në veri apo në jug. Besoj se është më shumë aspekti politik, pasi jam i bindur se ata janë të vetëdijshëm se “Trepça” nuk i takon Beogradit, por është pronë e Kosovës.

– Zoti Gashi, çka ndodh nëse në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës, nuk miratohet projektligji për “Trepçën”?
Nëse nuk miratohet ligji për “Trepçën”? Nuk dua ta mendoj si alternativë. Kemi afate kohore si agjenci. Si administratorë të “Trepçës” kemi një afat, që është si një lloj “tmerri” edhe vetëm ta përmendim 1 nëntorin.
Por, çfarë do të ndodhë me “Trepçën” më këtë datë, sipas moratoriumit mbi të cilin e përkufizon “Trepçën”? Më 1 nëntor “Trepça” do të shkojë në likuidim. Nëse eventualisht ky afat, që kërkon ndryshime në legjislacion përkatës, shtyhet për një kohë tjetër do të na bënte neve të mundur si AKP bashkë me aktorë të tjerë që janë të involvuar në “Trepçë”, që të përgatisim një plan drejt zgjidhjes përfundimtare të strukturës pronësore të “Trepçës“ ose të transformimit përfundimtar të “Trepçës”.

Punëtorët serbë të “Trepçës” nisin protestat

Punëtorët e “Trepçës”, në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë bllokuar për një orë rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë dhe përreth hapësirës së flotacionit të “Trepçës” në Leposaviç, duke shprehur “pakënaqësinë me vendimin që ligji për ‘Trepçën’ të futet për miratim në Kuvendin e Kosovës”.
Disa qindra punëtorë kanë bartur flamujt e Serbisë dhe të kombinatit “Trepça”, si dhe pankartat me mbishkrimet “Ligji nuk kalon” dhe “‘Trepça’ punon, populli jeton”.
Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend një ligj të veçantë për kompleksin e minierave “Trepça”, me qëllim të revitalizimit dhe rikthimit në treg. Projektligji pritet që të miratohet të premten, përkundër paralajmërimeve të deputetëve serbë që ta kundërshtojnë atë.
Dragisha Milojkoviç, punëtor në Metalurgjinë e Çelikut, në emër të sindikatës tha se, “me ligj po kërkohet që të përvetësohet”, siç tha, “pasuria e shtetit të Serbisë”.
“Në këtë mënyrë po vendoset një dhunë ligjore që ndikon drejtpërdrejt në jetën tonë dhe në punën e punëtorëve të ‘Trepçës’, që mund të ketë për pasojë rrezikimin e ekzistencës së popullit tonë. Nuk do t’i lejojmë ‘organet krahinore’, që me vendimet e tyre të pamundësojnë procesin e prodhimit dhe të drejtën tonë në punë dhe ekzistencë”, tha Dragisha Milojkoviç.