BSH mban të pandryshuar normën e interesit

Pasi shqyrtoi informacionin e ri ekonomik, Banka e Shqipërisë vendoi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit duke e lënë atë në nivelin, 1.25%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, tha se, informacioni i ri, i marrë në analizë në raportin e radhës të politikës monetare, ka rezultuar përgjithësisht në përputhje me pritjet e Bankës.
Ai tha se, aktiviteti ekonomik vazhdon të zgjerohet, inflacioni ka ardhur në rritje, ndërsa kostot e financimit mbeten rreth niveleve më të ulëta historike. Banka i tërheq vëmendjen qeverisë që të bëjë më shumë kujdes me shpenzimet publike. Banka e Shqipërisë gjykon se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, do të përmirësonte efektivitetin e tyre dhe do të reduktonte luhatjet në treguesit ekonomikë e financiarë.
Në bazë të informacionit të disponuar, Banka e Shqipërisë gjykon se tabloja e pritur e zhvillimeve ekonomike e financiare, e paraqitur në raportin tremujor paraardhës, mbetet ende e vlefshme. Ne parashikojmë një përmirësim progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë dy viteve të ardhshme. Ky përmirësim do të ndihmojë në kthimin e ekonomisë në ekuilibër gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017 dhe të inflacionit në objektiv gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018. Njëkohësisht, informacioni i disponuar sugjeron se balanca e rreziqeve në horizontin afatmesëm vazhdon të qëndrojë në kahun rënës.
Inflacioni i çmimeve të konsumit arriti në nivelin 2% në muajin gusht, duke vazhduar të ndjekë një trajektore rritëse pas vlerave të ulëta të shënuara gjatë tremujorit të parë. Rritja e inflacionit erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe e çmimit të naftës. Në terma makroekonomikë, rritja e inflacionit pasqyron efektin e rritjes së kërkesës agregate dhe reduktimin e goditjeve të ofertës të ardhura nga çmimet e ulëta të ushqimeve dhe të lëndëve të para në tregjet botërore.
Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet gjatë tremujorit të dytë e të tretë, me ritme të krahasueshme me ato të shënuara në tremujorin e parë. Kjo rritje është mbështetur nga zgjerimi i kërkesës së brendshme të sektorit privat, ndërkohë që shkëmbimet tregtare me jashtë dhe politika fiskale konsoliduese kanë ndikuar në kahun e kundërt.
Ambienti i favorshëm financiar, rritja e punësimit, përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë dhe vazhdimi i flukseve të larta hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte, kanë ndihmuar në rritjen e konsumit dhe të investimeve private. Banka e Shqipërisë vlerëson se këta komponentë të kërkesës agregate do të vazhdojnë të udhëheqin rritjen ekonomike edhe në tremujorët në vazhdim.