Betejë kundër kunetërve në qeveri dhe trafikantëve

Ish kryeministri Berisha deklaroi dje ashpërsimin e betejës së opozitës kundër trafikantëve që drejtojnë qeverisë si dhe kunetërve gjithashtu. Berisha ironizoi dje në Parlament tre kandidaturat për gjyqtarë që qeveria i propozoi Këshillit të Europës, kandidatura të cilat u refuzuan nga KiE.  “Mund të filloja fjalën time duke ju drejtuar Edvin Kristaq Ramës me fjalët “kazan” apo “zoti kazan” nuk shkon, me fjalët “legen” apo “zoti legen” nuk shkon, ndonëse një Kryeministër që merr përsipër të bëhet zëdhënësi i një ambasadori nuk mund të bëhet gjë tjetër veçse ashtu, por unë nuk do t’i them.
Unë do t’i them sot, së bashku me ju qytetarë, “shoku Xhemal”. Po pse shoku Xhemal, çfarë ka ndodhur? Pra, këtë zotëri sot duhet ta quajmë shoku Xhemal. Për të rinjtë që kanë fatin e mirë të mos kenë memorie nga koha e diktaturës, ishte një komedi, në të cilën shkëlqente Zef Deda dhe aty paraqitej një personazh që thuhet “kunati i shokut Xhemal”. Për hir të së vërtetës duhet të themi se kishte dhe një ministër me emrin Xhemal, ishte i tij apo jo ështe punë tjetër, por e gjithë Shqipëria qeshte me kunatin e shokut Xhemal. Po sot ku jemi? Atëherë ishte diktaturë dhe për definicion ishte sistemi i nepotizmit. Sot a e dini apo jo që të tre kandidatët që i dërguat në Venezia, xhemalët në katror, kunetërit në katror, u kthyen, u flakën duke mos denjuar as për t’u intervistuar? A e dini o qytetarë pse ka ndodhur kjo? Sepse njëri ishte kunati i shokut Xhemal, tjetri ishte kunati i shoqes Xhemile dhe i treti ishte ajo mbi tortë. Pra, kjo ndodhi. Dhe kunati i shoqes Xhemile ishte gjithashtu dhe një nga ekspertët kryesorë të grupit të reformës në drejtësi, kurse kunati i shokut Xhemal edhe ai ishte i përgatitur për të gjitha postet” u shpreh Berisha.
Nga ana tjetër, ish kryeministri reagoi edhe në lidhje me bilancin negativ të ekonomisë në vend. “Kryexhemali (Rama) iku. Mos i thoni sot as kazan, as legen, i thoni vetëm shoku Xhemal, se vetëm i atillë është. Në çdo fjali shqipton një gënjeshtër. Është e paimagjinueshme. U thotë shqiptarëve se janë vrarë në 25 vjet 8 mijë shqiptarë për pronat. Po vetëm një budalla mund të thotë një gjë të tillë, jo një Kryeministër. Ka një regjistër për numrin e të vrarëve në këtë vend. Vetëm ai që përpiqet të mbulojë gënjeshtrën me gënjeshtër. Iu thotë shqiptarëve se për herë të parë borxhi po ulet nën 70% në një kohë kur nga qeveria e Anastas Angjelit e kam marrë borxhin në 58%. Çfarëdo fantazie prej të sëmuri që i vjen në kokë e thotë. Ky fyen çdo njëri me daljet e tij të turpshme dhe i fyen sepse të tjerët sillen me një servilizëm të paimagjinueshëm ndaj tij, të neveritshëm. Mirë vetë se është tabula rasa, mirë vetë se s’ka asnjë koncept, se është një injorant që s’di asgjë përveçse atyre vizave po të tjerët që i rrini përreth i dinë.
Ç’të kushton ty t’i thuash që o zotëri, kur e kemi dorëzuar qeverinë e kemi dorëzuar borxhin 58%, mos gënje shqiptarët duke i thënë se për herë të parë po na ulet borxhi nën 70%. Ky është analfabet në çdo fjalë që flet, një copë injoranti. Shkon në Mokërr dhe u thotë se nuk ishte kontraktuar asfalti. Po a ka bankë në botë që të jep nulla ostën nëse s’ke kontraktuar të plotë çdo element të objektit? S’ka njohuritë më elementare në botë dhe shpif e trillon se kujton se bëhet interesant si hokatar. Po mësojeni pak këtë injorant se ky turpëron njeriun me mufkat që këput. Është e turpshme të mos thotë burri një fjalë të vërtetë. Unë pikërisht zgjodha sot shokun Xhemal dhe jo një epitet tjetër. Dhe të më falin të gjithë ata që e kanë emrin Xhemal, por kjo ka lidhje me komedinë, sepse zotëria çoi jo një kunat, por dy kunetër.
Në qindra dhe mijëra juristë, gjykatës, avoketër, noterë, pedagogë universiteti, që mund të shkonin në Strasburg për gjykatës vetëm dy kunetër gjeti ky. Kjo është t’i pështysh vendit në surrat” u shpreh ndër të tjera Berisha.
Gjatë kësaj kohe, Ministrja Harito flet nga vendi dhe përmend Ledio Brahon. Në kundërpërgjigje të saj, Berisha tha: “Ai që është sot është një nga intelektualët më të mirë të fushës së drejtësisë, i respektuar, i nderuar, nuk e ktheu njeri atë, nuk i përkiste asnjë partie politike ndaj dhe ti bën mirë të lash gojën kur flet për të. Ndërsa ju duhet të çonit kunatin e shokut Xhemal, kunatin e shoqes Xhemile, ndrikullën dhe kryendrikullën. Ju talleni me Shqipërinë, çfarë reforme në drejtësi po bëni ju? Ju vetëm po përpiqeni të sabotoni reformën e drejtësisë.
Unë ju them të dashur qytetarë se ky është Vetting-u i tyre. Për të kuptuar reagimin e opozitës ndaj ligjit të Vetting-ut shikoni se si e shkelmoi Vetting-un e Edi Ramës Strasburgu. Vetting-u i Edi Ramës nuk është gjë tjetër veçse nepotizëm, drogë, lidhje me krimin. Dhe kur me Vetting-un e tij për të dërguar në Strasburg zgjodhi këta individë, imagjinoni ju se me ligjin që miratoi pa votat e opozitës se kë do të zgjedhë Rama. Por reforma do të bëhet! Ju jap fjalën e nderit ju se reforma e drejtësisë do të kompletohet dhe do të shkojë deri në fund, asgjë nuk do të mund ta pengojë këtë reformë pa u shndërruar në një të mirë të madhe për shqiptarët dhe qytetarët e saj”.

Në tre vjet asnjë kilometër rrugë

Në tre vite qeveria zeroi investimet publike duke mos ndërmarrë asnjë projekt e duke mos ndërtuar asnjë kilometër rrugë. Berisha dënoi dje degradimin e qeverisë, e cila përditë bashkë me klientët e saj po zhvat përmes tenderave korruptivë fondet e buxhetit të shtetit ndërsa nga ana tjetër vendi po rrënohet në të gjitha drejtimet.
“Zoti Angjeli, a mund t’i vësh ato njohuritë e tua në financa në dispozicion të socialistëve dhe jo të të tjerëve, mos ta lësh Ramën të mashtrojë në mënyrë të turpshme. Shkon në rrugë (Rama) dhe sëmuret rrugëve sepse s’ndërtoi dot një km rrugë në katër vite. Po pse? S’e lënë vjedhjet, s’e lënë xhepat. Shkon vetëm te ndrikull Nushi. Normal, e çojnë vjedhjet. Pse nuk na tregon një spital të ri që ndërtoi, një poliklinikë të re, po vetëm lokalet me ndrikull Nushin? Ndërsa përditë kalohet nga një vdekje në një tjetër, nga një foshnje tek një nënë, nga drama te drama.
Kësaj studentes që vdiq, ndjesë pastë dhe ngushëllime, i erdhën prindërit nga Fieri më parë se ç’i erdhi ambulanca. Po me ndrikull Nushin i ndajnë mirë letrat, madje po ndajnë dhe një tender tjetër. Edhe mamografinë ajo do e fitojë mos u bëni merak. E kanë pasur falas tani do ja japë ndrikull Nushit.
Ju po i revoltoni në mënyrë shumë të egër qytetarët. Shoqërinë civile që patë me plehrat, ajo është maja e ajsbergut e pakënaqësisë dhe revoltës së thellë shpirtërore që ekziston te shqiptarët kundra jush.
….Mundësisht sillini ato tufa kanabisi t’ja u vëmë përpara secilit prej jush, jo trëndafila, por tufa me kanabis për ju zotërinj dhe zonja kanabiste. I sillni pak ato tufa t’ja u vëmë nëpër tryeza dhe flasin ato më shumë se sa ne për drogën” tha Berisha.
Ish kryeministri duke iu referuar ligjit të SPAK theksoi se ky ligj do të ngrejë një nga institucionet më jetike në lidhje me luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai paralajmëroi se kushdo që do të përpiqet për penguar zbatimin e këtij ligji do të dështojë.
“Pra, unë mendoj se ligji i SPAK është i dystuar me Kushtetutën dhe kjo është në meritën e qëndrimit të hekurt e të vendosur të përfaqësuesve të PD.
Dhjetë ditë më parë kunat Xhafa ja hoqi nenet SPAK-ut dhe e bëri siç e deshi kryekunati, por fatmirësisht qëndrimi i PD, për herë të dytë, pas qëndrimit herën e parë, gjeti mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe SPAK vjen në standardet më të mira për të cilën ne e votojmë sot. Nuk e votojmë si një akt, kurth për të rënë ju në të, e votojmë si një institucion jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe unë kam bindjen se votimi i SPAK-ut sot është një votim historik.
Përsa i përket ligjeve të tjera nëse ju i çoni të pajtueshme me frymën dhe germën e Kushtetutës ne i votojmë që sot përndryshe ne vazhdojmë betejën kundër kunetërve, kundër trafikantëve, kundër të gjithë atyre që duan të fusin drejtësinë në xhep dhe i garantoj se do të jenë të dështuar siç dështuan në mënyrë të turpshme duke e mbajtur dy vjet me radhë dhe në fund u detyruar të pranojnë çdo germë, çdo parim të rekomandimeve të Venezias” u shpreh Berisha.

ERE rrëzon Ramën për aferën me kaskadën e Drinit

Afera e qeverisë me Kaskadën e Drinit në lidhje me dhënien me koncension për optimizimin e energjisë. Berisha publikoi dje në Parlament të dhëna në lidhje me këtë aferë. “Po kush e pengon reformën sot? E pengojnë sarajet e Surrelit, se ka frikë dhe tmerr për të justifikuar ndërtimin gjigant, të cilën thotë se e ka blerë me dy dollarë metrin katrorë në një kohë kur që në vitin ‘95 shitej me 15-20 dollarë. Problemi është se do të dalin faturat e dydollarëshit, do të kërkojnë edhe faturat e pallatit 5-katësh dhe do të shkojë te Viktor Ponta pastaj. Do të dalë afera e fundit e miqësisë shqiptaro-serbe. Jashtë të gjitha rregullave, pa kaluar në agjencitë e prokurimeve publike KESH shpall në faqen e vet kërkesën për të shitur kaskadën e Drinit, për koncesion për tre vjet për optimizimin e energjisë. Paraqiten disa kompani, përjashtohen të gjitha pa ulur asnjërën për negocim dhe kalohet vetëm EFT, lugati i korrupsionit në Ballkan. Dhe kur EFT pranoi, kompanitë e tjera ankohen. Ku? Te institucionet tuaja, jo te opozita. ERE anuloi menjëherë dhe i thotë KESH-it të anulojë menjëherë veprimin. Por çfarë ndodhi? Edi Rama, në emër të miqësisë së xhepit, i sigurtë dhe ndonjë zyrtar i lartë serb i implikuar, urdhëron ERE-n me letër të Gjiknurit të tërhiqet pasi nuk ka kompetencë për problemin. E përshëndes ERE-n, e cila vetëm tre ditë më parë është mbledhur dhe në unanimitet ka hedhur në kosh të plehrave kërkesën korruptive të Ramës, duke mbrojtur interesin publik” ka theksuar Berisha.
Ish kryeministri theksoi se kjo është një aferë qindra milionëshe, është një aferë në të cilën Edi Rama me EFT shiste energji me 50 euro dhe blinte natën me 7-8 euro. “Kjo është afera më e fundit e Ramës. Ky është tmerri nga reforma, ky është tmerri nga Vetting-u ndaj dhe duhet patjetër që ligjet të mos jenë në asnjë mënyrë siç thotë Kushtetuta. Po pse? Sepse në nderin e kësaj opozite, në misionin e saj historik, me vendosmërinë e saj, por së bashku dhe me LSI-në ia dolën të garantojnë amendament për amendament standardin e Venezias për Reformën në Drejtësi. Ndërsa tani, ky i verbër, i frikësuar deri në palcë, i shpërfytyruar në çdo aspekt mendon si një hajdut të vjedhë, të shkelë parimet e Kushtetutës, të vendosë në ligje pikërisht ato që rrëzoi Venezia” është shprehur Berisha.

Arben Shahini