Telekomi i Serbisë do të operojë në Kosovë sipas ligjeve të vendit

Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit, duke përfshirë edhe përfaqësues  nga Agjencia  për Komunikim Elektronik dhe  Telekomit të Serbisë,  kanë vazhduar negociatat për kodin telefonik. Edhe pse bisedimet nuk kanë përfunduar ende, një nga pikat kryesore të marrëveshjes për marrjen e licencës së Telekomit të Serbisë që të veprojë në gjithë territorin e Kosovës, është një nga parakushtet e Beogradit për miratimin e kodit telefonik për Prishtinën, transmeton Telegrafi. Megjithatë, e përditshmja serbe Danas, shkruan se Telekomi i Serbisë do të funksionojë në territorin e Kosovës sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, parashikon që Telekomi i Serbisë nuk do të veprojë drejtpërdrejt por do të krijojë një kompani bijë, ngjashëm si funksionojnë degët e saj në Malin e Zi dhe në Republikën Srpska. Kjo kompani do të ofrojë shërbime të komunikimit mobil në tërë territorin e Kosovës, ku fokus primar do të ketë konsumatorët e nacionalitetit serbe, dhe pasi që autoritetet e Prishtinës nuk e kanë ndërmend të lejojnë veprimin e Telekomit serb sipas ligjit të Serbisë, ky operator do të veprojë në bazë të ligjeve të Kosovës.