Shefi i Komisariatit të Shkodrës, parcela me drogë në fshatin Brucaj

Shefi i Komisariatit të Policisë së Shkodrës ka në zotërim disa parcela me drogë në fshatin Brucaj, Njësia Pult. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Shkodra, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Në Kanabistan, arat e kanabisit të Edvin Shullazit në fshatin Brucaj, Pult! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje zoti Berisha. Jam një qytetar nga Shkodra, dua t’iu spjegoj se në Shkodër parcelat e hashashit nuk kanë fund, sidomos në fshatin Brucaj, Njësia Pult. Këto parcela mbrohen nga shefi i Komisariatit, z. Demrozi, në bashkëpunim me kryeplakun e fshatit, Bec Kovaçi. Ju lutem të mos bëhet emri publik”, shkruan qytetari nga Shkodra.
Tre ditë më parë, ish-Kryeministri Berisha publikoi një mesazh të një ish-efektivi policie për parcelat me kanabis të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Sipas ish-oficerit të policisë, Arben Ndoka ka në zotërim 10 hektarë ara me kanabis në Skuraj të Kurbinit me lejen e drejtorit të Policisë të Qarkut Lezhë si dhe të ministrit Tahiri.
“Në arat e ish-deputetit Arben Ndoka në Skuraj Kurbin janë mbi 10 hektarë parcela të mbjella me lëndë narkotike me lejen e drejtorit të Policisë të Qarkut Lezhë si dhe të ministrit Tahiri. Janë me qindra të punësuar në këtë aktivitet kriminal, të cilët ruajnë dhe patrullojnë zonën në një distancë rreth 1 kilometër. Kanë bllokuar edhe ujin e pijshëm”, shkruan ish-efektivi i policisë.
Para dy javësh u denoncuan publikisht nga opozita arat me kanabis në afërsi të Rinasit. Janë 6 ha me kanabis që lulëzon fare afër pistës së Rinasit, në Larushk, ndërsa policia nuk guxon t’u afrohet parcelave. Denoncimi është bërë nga Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj para medias, ndërsa publikoi video dhe pamje filmike që vërtetonin akuzat e ngritura prej tij. Janë të paktën 6 hektarëve me kanabis, në zemër të vendit, në Larushkë, 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit. Raportohet se këtu janë të paktën 50 mijë rrënjë, të mbjella krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë Krujë, partner dhe sponsorizues i tij. Shtëpia afër parcelave me drogë, është e një punonjësi të policisë, shërbëtor i kryetarit të Bashkisë Krujë, Bushi. Dhe shefi operativ i zonës, e ka banesën e tij 1 km larg këtij plantacioni me drogë.
Ndonëse denoncimi u bë publik para dy javësh, policia ende nuk ka shkuar për të korrur kanabisin, sepse pas këtyre parcelave qëndrojnë zyrtarë të lartë. Plantacionet e drogës shtrihen që nga Ujësjellësi i Bovillës për të vazhduar në të gjithë gjatësinë e saj deri në vargmalet e Krujës. Edhe këto parcela nuk preken nga policia, ndërsa ka nisur vjelja e kanabisit për t’u bërë gati për trafikim jashtë shtetit.