Përse OPEC-u nuk përfillet më?

Jeff Colgan

Më 28 shtator, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ra dakord për të reduktuar kolektivisht prodhimin e naftës deri në 740 mijë fuçi në ditë në përpjekje për t’i dhënë një shtysë çmimeve të ulëta. Edhe pse deklarata është e para e këtij lloji për organizatën prej pothuajse një dekade dhe fillimisht u shoqërua me një rritje prej 5 për qind të çmimit, marrëveshja në thelb është e kotë, nuk ka asnjë vlerë dhe madje nuk sjell asnjë pasojë.
E gjithë zhurma e krijuar përreth kësaj marrëveshjeje – disa analistë tregu thoshin se do të ndryshonte tërësisht aktivitetin e OPEC-ut – është shumë e parakohshme. 14 vendet anëtare me pak fjalë ranë dakord për atë që u vendos, duke lënë jashtë detajet e një marrëveshjeje që do të arrihet vetëm më 30 nëntor, atëherë kur do të merren vendimet më të vështira dhe ku do të përcaktohet se sa do të jenë kontretisht të gatshëm shtetet anëtare që të reduktojnë prodhimin e tyre.
Vendet anëtare të OPEC-ut gjithashtu arritën në konkluzionin se të paktën tri vende – Nigeria, Irani dhe Libia – do të duhet të përjashtohen nga marrëveshje duke i lejuar ata që të ruajnë, ndoshta edhe të rrisin nivelin e prodhimit të naftës për shkak se ndodhen ende në fazë rikuperimi të ekonomisë nga sanksionet apo nga trazirat e brendshme politike. Kjo do të thotë se anëtarët e OPEC-ut do të duhet t’i nënshtrohen reduktimeve akoma më të larta të prodhimit të naftës.
Arritja e konsensusit përfindimtar nuk ka për të qenë aspak e lehtë për vendet anëtare. Libia aktualisht pothuajse nuk ka qeveri qendrore. Irani dhe Arabia Saudite janë rivalë gjeopolitikë, madje edhe monarkitë e ngushta të Gjirit Perik nuk bien dakord për sa i përket konflikteve në Jemen, Siri dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme. Mosmarrëveshjet që burojnë nga interesat gjeopolitike janë duke e gërryer besimin ndërmjet palëve dhe do ta vështirësojnë së tepërmi zbatimin e normave të kësaj lëvizjeje kolektive që pretendohet të jetë në avantazhin e të gjithë vendeve anëtare.
Duke supozuar se OPEC-u arrin vërtet një marrëveshje në muajin nëntor, nuk është përsëri e sigurt që vendet anëtare ta zbatojnë atë. Gjatë një analize të detajuar të sjelljes së OPEC-ut që në vitin 1982, zbulova se OPEC-u ka mashtruar për prodhimin e vet agregat përgjatë 96 për qind të rasteve – dhe secili vend anëtar është njëlloj përgjegjës dhe bashkëfajtor në këto mashtrime.
Më keq akoma, ndryshimet e vazhdueshme të nivelit të prodhimit nuk kanë pasur impakt real në vetë sasinë e prodhimit. Ndoshta marrëveshja e vitit 2016 do të jetë ndryshe, por modeli i sjelljes i këtyre vendeve gjatë viteve të fundit nuk mund të injorohet.
Problemi thelbësor i OPEC-ut është se nuk ka asnjë mënyrë reale për të siguruar zbatimin e marrëveshjes nga secili shtet individual. Anëtarët si Algjeria, Iraku dhe Venezuela kërkojnë historikisht nga organizata që të ndjekë të njëjtat strategji të ndjekura nga kartelet: të ndryshojnë furnizimin dhe të rrisin çmimet botërore. Këto vende, edhe pse e kuptojnë qartë se kufizimi do të sjellë avantazhe për të gjithë organizatën në tërësi, ata nuk janë përsëri të gatshëm të sakrifikojnë asnjë pjesë të prodhimit të tyre.
Secili prej këtyre vendeve kanë një ekonomi tërësisht të varur nga të ardhurat që vijnë nga shitja e naftës për të balancuar buxhetin e tyre fiskal. Për ta përkeqësuar akoma më shumë situatën, të gjithë vendet vuajnë nga trazira të mëdha brenda vendit, gjë që e bën akoma më të vështirë vendimin për të bërë reduktime fiskale.
Dobësimi i Shtetit Islamik, njohur ndryshe si ISIS, gjatë vitit 2016 e ka vështirësuar shumë qëllimin e OPEC-ut. Shteti Islamik i bënte pa dashje një favor vendeve të tjera të prodhimit të naftës. Kudo që operonte organizata terroriste – në Irak, Libi apo Siri – industria e naftës fillonte menjëherë të pësonte rënie të mëdha.
Kjo ndodhte pjesërisht sepse vetë Shteti Islamik nuk arrinte të drejtonte dhe menaxhonte puset e naftës, por edhe sepse Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, vinin nën shënjestër operacionet e tij energjetike gjatë fushatave të bombardimit, pasi shitja e naftës ishte kthyer në burim të ardhurash për organizatën terroriste. Duke ndryshuar furnizimin e naftës, Shteti Islamik i vendoste presion të madh çmimit botëror të naftës. Teksa po tërhiqet gjatë këtij viti, disa zona dikur të zaptuara po fillojnë të ripërtërihen, duke vështirësuar qëllimin e OPEC-ut për të reduktuar prodhimin e përgjithshëm të naftës në këto vende.
Problemet që shfaqen në marrëveshjen e fundit nuk mbarojnë me kaq. Edhe nëse arrihet një marrëveshje e vërtetë në nëntor dhe OPEC-u fillon më pas të reduktojë prodhimin, kjo marrëveshje mund të mos ndikojë shumë në tregun global të naftës. Qëllimi i OPEC-ut është të reduktojë autputin me 240 deri në 740 mijë fuçi në ditë. Ky target është përsëri vetëm 1 për qind e konsumit global të naftës.
Është e pamundur që një reduktim i këtij niveli të arrijë të ndikojë në çmimin e naftës duke e rritur me ndonjë shumë të konsiderueshme. Me pak fjalë, edhe nëse çmimi rritet vërtet, do të jetë një sasi aq e pakonsiderueshme sa nuk do të mjaftojë, madje mund të nxisë prodhuesit e tjerë të shtojnë sasinë e ofruar prej tyre në treg për të paraprirë një rritje të mëtejshme.
Megjithatë, çmimi i naftës u rrit vërtet me 5 për qind po atë ditë që u bë publike deklarata e marrëveshjes, gjë që mund të ketë shtyrë disa tregtarë të ndryshojnë pritshmëritë e tyre ndaj OPEC-ut ose më saktë mund të ndryshojë planet e ardhshme të prodhimit të Arabisë Saudite. Por është përsëri e mundur që ndryshimi i çmimit mund të ketë qenë në thelb një efekt psikologjik për shkak të parashikimeve për këtë marrëveshje.
Historikisht, kur OPEC-u bën deklarata të tilla madhore, çmimet e naftës rriten gjithmonë në periudhën afatshkurtër, por më pas kanë tendencën të ulen përsëri gradualisht kur OPEC-u bie në qetësi. Ajo çfarë dimë me siguri është që OPEC-u tradicionalisht nuk parapëlqen t’i ndryshojë themelet e tregut të prodhimit.
Për të kuptuar vërtet dinamikën e tregjeve është e rëndësishme të dihet se vija ndarëse në tregun botëror të naftës ndodhet ndërmjet kostos së lartë dhe të ulët të prodhimit, jo ndërmjet prodhuesve që janë anëtarë të OPEC-ut dhe atyre që nuk janë. Prodhuesit me kosto të lartë nuk kanë asnjë inçentiv të investojmë me çmimet e larta që kemi sot, kështu vetëm prodhuesit me kosto të ulët si Arabia Saudite mund të kenë në dorë mundësinë strategjike për të vendosur nëse duhet të rrisin apo ulin prodhimin për të ndikuar në çmim.
Fakti interesant është që pozicioni i Shteteve të Bashkuara ka ndryshuar dramatikisht gjatë viteve të fundit duke qenë se kostot margjinale të prodhimit janë reduktuar ndjeshëm. Kjo është arsyeja përse Shtetet e Bashkuara nuk kanë vuajtur shumë nga rënia e çmimeve. Edhe pse pasojat afatgjata të çmimeve të ulëta janë duke ngushtuar shumë industrinë e naftës amerikane, përsëri duket se nuk do të ketë probleme me çmimin prej 50 dollarë për fuçi.
Scott Sheffield, drejtues ekzekutiv i “Pioneer Natural Resources”, një kompani e madhe e naftës në Shtetet e Bashkuara, thotë se nuk pret që të ketë projekte të reja eksplorimi për aq kohë sa çmimi i naftës qëndron ndërmjet 55 dhe 55 dollarë për fuçi. Vetëm në rast se çmimi rritet më shumë se 60 dollarë për fuçi, industria amerikane mund të fillojë të gërmojë përsëri. Por ky është pikërisht rezultati që OPEC-u dhe veçanërisht Arabia Saudite kërkojnë të evitojnë. Kjo është arsyeja përse ka shumë pak gjasa që organizata të bjerë dakord për të mundësuar pikërisht këtë skenar.
Të gjitha këto janë në thelb lajme të mira për konsumatorët e Shteteve të Bashkuara dhe ata europianë, të cilët përfitojnë nga çmimi i ulët i naftës. Çmimet e ulëta janë gjithashtu të mira për industrinë dhe tregtinë e Oragnizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Kështu, çmimet e ulëta e stimulojnë ekonominë në tërësi. Shumë ekonomistë përdorin një rregull që thotë se për çdo 10 dollarë rënie të çmimit të naftës, GDP-ja e Shteteve të Bashkuara rritet me rreth 0,2 për qind.
Rënia e çmimeve të naftës që pas vitit 2014 mund të fillojë më në fund të shfaqë disa tregues pozitivë ekonomikë në vitin 2016, si rritja e të ardhurave mesatare për familje. Për sa i përket prodhuesve të naftës në Shtetet e Bashkuara dhe Europë, edhe nëse në muajin nëntor OPEC-u miraton ose jo marrëveshjen, asgjë nuk ka humbur. Vendet anëtare të OPEC-ut mund të reduktojnë prodhimin e tyre të naftës, me apo pa marrëveshje gjithsesi, sepse rënia e çmimit të naftës gjeneron edhe përfitime më të ulëta për ta.
Që kur çmimi i naftës filloi të ulej në vitin 2014, teksa Shtetet e Bashkuara e kanë ulur prodhimin, prodhuesit e OPEC-ut e kanë rritur. Kjo në fakt është e kundërta e strategjisë që mund të ndjekë një kartel. Karteli zakonisht e ndryshon prodhimin e naftës atëherë kur çmimet bien, me shpresën se kështu ta nxisë çmimin të rritet. OPEC-u vazhdoi të pompojë sasi gjithmonë e më të mëdha për shkak se vendet anëtare, veçanërisht Arabia Saudite, nuk donin të humbisnin fetën e tregut që i takonte.
Disa anëtarë të tjerë si Irani, Iraku dhe Libia janë duke e rritur prodhimin për shkak të krizave të ndryshme politike. Me këto kthetra të ngulura në tregun e naftës, mund të presim vërtet një rënie modeste të prodhimit, edhe nga vendet anëtare të OPEC-ut- në fund të fundit, dimamikat e tilla të ngjashme i shtynë vendet prodhuese që të reduktonin prodhimin në vitin 1998 kur çmimet e naftës ranë më poshtë se 10 dollarë për fuçi.
Pyetja e vërtetë këtu është që, nëse marrëveshja e OPEC-ut është në thelb e kotë dhe jo domethënëse, përse Arabia Saudite është duke e ndjekur? Një mundësi është që ka në plan të ndjekë një reduktim të njëanshëm të prodhimit, pavarësisht rezultatit të marrëveshjes në nëntor dhe me këtë rast po përpiqet të nxisë edhe vendet e tjera anëtare të bëjnë të njëjtën gjë.
Një mundësi tjetër është që kjo lëvizje e ndihmon OPEC-un të qëndrojë në qendër të vëmendjes, gjë që i shton anëtarëve të OPEC-ut më shumë prestigj dhe pozicion. Çmimet e ulëta të naftës gjatë dy viteve të fundit kanë pasur pasoja të mëdha gjeopolitike dhe OPEC-u do të donte të shihej përsëri si një aktor i fuqishëm ndërkombëtar.
Por e vërteta është se tregu do të ishte pak a shumë i njëjtë edhe nëse OPEC-u një ditë të mos ekzistonte më. Me fjalë të tjera, tregjet dhe politikanët në përgjithësi do të bënim mirë ta injoronin me respektin më të madh makinacionin e radhës të OPEC-ut për të luajtur me çmimet dhe të mësohen të bashkëjetojnë me realitetin e çmimeve relativisht të ulëta të naftës.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI