Perëndimi i çorientuar

Joschka Fischer

Këtë vit dhe vitin e ardhshëm, votuesit në demokracitë kryesore të Perëndimit do të marrin vendime që mund të ndryshojnë thellësisht Perëndimin – dhe botën – siç e kemi njohur prej dekadash. Në fakt, disa prej këtyre vendimeve janë marrë tashmë, shembulli kryesor është referendumi i qershorit në Mbretërinë e Bashkuar për t’u larguar nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë, Donald Trump në Shtetet e Bashkuara dhe Marine Le Pen në Francë edhe mund të fitojnë zgjedhjet presidenciale në vendet e tyre. Një vit më parë, parashikimi i një fitoreje për secilin prej tyre do të konsiderohej absurd; sot, ne duhet ta pranojmë se të gjithë skenarët janë të mundshëm.
Pllakat tektonike të botës Perëndimore kanë filluar të lëvizin dhe shumë nejrëz ngadalë po kuptojnë pasojat e mundshme. Pas referendumit Brexit të Britanisë, ne tashmë dimë pak më shumë.
Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar ishte një vendim de fakto kundër një rendi europian paqeje bazuar te integrimi, bashkëpunimi, tregu i përbashkët dhe juridiksioni i njëjtë. Ai erdhi falë rritjes së presionit të brendshëm dhe të jashtëm mbi atë rend. Nga brenda, nacionalizmi është forcuar në pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE-së, nga jashtë, Rusia po luan politikën e fuqisë së madhe dhe po kërkon një “Bashkim  Euroaziatik” – një eufemizëm për të rinovuar dominimin rus në Europën Perëndimore – si një alternativë ndaj BE-së.
Të dyja këto forca kërcënojnë strukturën e paqes së BE-së dhe blloku do të dobësohet më tepër pa Mbretërinë e Bashkuar, garantuesin tradicional të stabilitetit. BE-ja është piketa e integrimit Europian-Perëndimor; ndaj dobësimi i saj do të shkaktonte një riorientim të Europës drejt Lindjes.
Ky rezultat do të bëhet edhe më i mundshëm nëse amerikanët zgjedhin Trump, i cili haptazi admiron presidentin rus Vladimir Putin dhe që do të mbështeste politikat e superfuqisë ruse në kurriz të lidhjeve europiane dhe transatlantike. Një moment i tillë Jalta 2.0 do të nxiste më pas anti-amerikanizëm në Europë dhe do të shkaktonte dëm gjeopolitik për Perëndimin.
Po kështu, një fitore nga nacionalistja e ekstremit të djathtë Le Pen pranverën e ardhshme do të sinjalizonte refuzimin e Francës ndaj Europës. Duke marrë parasysh rolin e Francës si një nga themelet e themelimit të BE-së (bashkë me Gjermaninë), zgjedhja e Le Pen do të nënkuptonte me gjasa fundin e vetë BE-së.
Nëse Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA do t’i ktheheshin neo-izolacionizmit dhe nëse Franca do ta braktiste Europën në favor të nacionalizmit, bota perëndimore do të shpërfytyrohej. Nuk do të ishte më një bastion stabiliteti dhe Europa do të zhytej në kaos për një kohë të pacaktuar.
Në këtë skenar, shumë do ta kthenin shikimin te Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës. Por, megjithëse Gjermania do të paguante çmimin më të lartë ekonomik dhe politik nëse BE-ja shkatërrohet – interesat e saj janë shumë të ndërthurura me BE-në – saqë askush nuk do të shpresonte për rinacionalizim gjerman. Ne të gjithë e dimë se çfarë shkatërrimi dhe katastrofe mund t’i sjellë kjo kontinentit.
Nga aspekti gjeopolitik, Gjermania do të futej në një status pasigurie të dikujt që ndodhet ndërmjet. Ndërsa Franca është qartazi një shtet perëndimor, atlantik dhe mesdhetar, Gjermania historikisht është lëkundur mes Lindjes dhe Perëndimit. Në fakt, kjo dinamikë ishte prej kohësh një element përbërës i Rajhut Gjerman. Pyetja Lindje apo Perëndim nuk u vendos përfundimisht derisa Gjermania u mund plotësisht në vitin 1945. Pas krijimit të Republikës Federale në 1949, kancelari gjerman Konrad Adenauer zgjodhi Perëndimin.
Adenauer ka dëshmuar spektrin e gjerë të tragjedisë gjermane – përfshirë dy luftëra botërore dhe rënien e Republikës së Vajmarit – dhe ai i lidhjet e Republikës së re Federale me Perëndimin si më të rëndësishmet për ribashkimin gjerman. Për të, Gjermania duhej të braktiste pozicionin e vet të dikujt që ndodhet në mes dhe izolimin, duke u integruar në mënyrë të pakthyeshme me institucionet Perëndimore të sigurisë dhe ekonomisë.
Riafrimi franko-gjerman pas luftës dhe integrimi europian nën BE-në kanë qenë elementë të domosdoshëm të orientimit Perëndimor të Gjermanisë. Pa to, Gjermania do të kthehej në një tokë strategjike të askujt, që do të vinte në rrezik Europën, do të shkaktonte iluzione të rrezikshme në Rusi dhe do të detyronte Gjermaninë vetë të përballej me sfida të pamenaxhueshme në kontinent.
Orientimi gjeopolitik i Gjermanisë do të jetë një çështje qendrore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Nëse vetë Bashkimi Demo-Kristian (CDU) i kancelares Merkel e përjashton atë për shkak të politikës së saj të refugjatëve, partia me gjasa do të anojë djathtas në një përpjekje për të rifituar votues anti-imigrantë dhe populistë nga Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Por çdo lëvizje nga CDU për të bashkëpunuar me AfD, apo për t’i provuar argumentet e saj, do të kthehej në telash. AfD përfaqëson nacionalistët gjermanë të krahut të djathtë (dhe më keq) të cilët duan të rikthejnë pozicionin e vjetër të ndërmjetësit dhe të imitojnë një marrëdhënie më të afërt me Rusinë. Bashkëpunimi mes CDU dhe AfD do të tradhtonte trashëgiminë e Adenauerit dhe do të ishte i barasvlefshëm me fundin e Republikës Bonn.
Ndërkohë, ka rrezik të ngjashëm nga ana tjetër, sepse çdo perspektivë koalicioni CDU-AfD do të duhej të mbështetej në Die Linke (Partinë e Majtë), disa prej anëtarëve drejtues të së cilës efektivisht duan të njëjtën gjë si AfD: marrëdhënie më të afërta me Rusinë dhe integrim më të pakët ose aspak me Perëndimin.
Le të shpresojmë që do të na kursehet kjo e ardhme tragjike dhe që Merkel ta mbajë postin e saj përtej vitit 2017. E ardhmja për Gjermaninë, Europën dhe Perëndimin mund të varet nga kjo.