Nishani në Jordani, pritet nga Mbreti Al Hussein

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, në kuadrin e vizitës shtetërore në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë u pritën dje me të gjitha nderet dhe ceremonitë përkatëse nga Madhëria e Tij, Mbreti Abudllah II Ibn Al Hussein dhe Mbretëresha Rania Al Abdullah. Pas nderimeve dhe ceremonive të rastit, Presidenti Nishani zhvilloi një takim të veçantë kokë më kokë me Madhërinë e Tij dhe më pas, krerët e të dy vendeve kryesuan takimin e zgjeruar mes dy delegacioneve. Presidenti Nishani vuri në dukje kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite të parë zyrtare në nivel kreu shteti në Jordani, si dhe shprehu vlerësimin pozitiv për vullnetin e përbashkët për të intensifikuar marrëdhëniet politike mes dy vendeve në vitet e fundit. Duke iu referuar edhe vizitës së Mbretit të Jordanisë një vit më parë në Shqipëri, Presidenti Nishani, theksoi se shkëmbimi i vizitave në këto nivele jo vetëm që shpreh dëshirën dhe vullnetin politik për t’i forcuar dhe zgjeruar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve, por ka ndikuar ndjeshëm në nxitjen e institucioneve të të dy vendeve për të vlerësuar dhe eksploruar më mirë mundësitë e bashkëpunimit, veçanërisht në sektorë të veçantë të ekonomisë dhe të sistemit shëndetësor. “Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve po mbyllin dekadën e tretë të lidhjes së tyre, por intensifikimi i shkëmbimit të vizitave në nivele të larta politike gjatë viteve të fundit po ndikon ndjeshëm në forcimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe dy popujve”, u shpreh Nishani. Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu se bashkëpunimi ekonomik e tregtar nuk i përgjigjet nivelit aktual të bashkëpunimit politik, duke shprehur bindjen se nga institucionet e të dy vendeve do të bëhet më shumë për të nxitur nivelin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe për të përmirësuar kuadrin e përbashkët ligjor, që do të inkurajonte më shumë këtë bashkëpunim. Kreu i shtetit vlerësoi iniciativat më të fundit të ndërmarra nga institucionet e të dy vendeve në këtë drejtim, duke theksuar se asgjë nuk mund ta pengojë veçanërisht konkretizimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, energjisë, bujqësisë, arsimit e shkencës dhe në fusha të tjera me interes për të dy vendet. Të dy krerët e shteteve ranë dakord për të inkurajuar strukturat qeveritare, por edhe ato parlamentare për të eksploruar sa më mirë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe vijuar me ide e projekte konkrete. Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për interesin e treguar nga Mbreti Abdullah II Ibn Al Hussein për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në këto momente kur rajoni dhe Evropa janë të kërcënuara nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Kreu i shtetit shqiptare falënderoi Mbretin e Jordanisë për mbështetjen e dhënë për pavarësinë e Kosovës, si përmes njohjes direkte në vitin 2009 si vendi i parë i Lindjes së Mesme që ndërmori këtë akt, ashtu edhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, duke theksuar se faktet sot tregojnë qartë se, Pavarësia e Kosovës i ka shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore, por jo vetëm. Mes dy kryetarëve të shteteve u bisedua edhe për çështjet e ndryshme të sigurisë dhe të bashkëpunimit në këtë kuadër, ku ndër të tjera u vlerësua bashkëpunimi mes institucioneve të specializuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.