Lazio përgatit rinovimin e Strakoshës

Tri ndeshje radhazi titullar në Serinë A, ku në 180 minutat e fundit e ka mbajtur portën të paprekur, duke i dhuruar skuadrës fitoren në Udine dhe mjaft garanci. Tomas Strakosha është kthyer në garanci te Lazio dhe pas paraqitjeve të shkëlqyera të 21-vjeçarit kuqezi, klubi është vënë menjëherë në lëvizje për t’i rinovuar kontratën që përfundon në vitin 2017. Skuadra e kryeqytetit italian kërkon ta blindojë portierin, duke i ofruar zgjatjen e kontratës me 4 ose 5 vjet të tjera.
Pasi ishte pranë transferimit te Cardiff në Championshipin anglez dhe e nisi sezonin si zgjedhje e tretë, Strakosha debutoi si titullar ndaj Milanit në “San Siro”. Prej atij momenti fitoi besimin e stafit teknik të trajnerit Inzaghi dhe admirimin e tifozëve. Edhe rikthimi i Marchetti-t nga dëmtimi duket se nuk mund ta largojë talentin shqiptar nga porta e Lazio-s.
Me rinovimin e kontratës së Tomas Strakoshës, te Lazio hapen një sërë skenarësh. Një mundësi është që klubi të nxjerrë në shitje Marchetti-n prej merkatos së dimrit.
Por, mund të vendoset që në janar të huazohet Strakosha, për t’i dhënë mundësinë që të luajë më tepër, ndërsa gjatë verës, portieri 21-vjeçar të rikthehet, me klubin që mund të vendosë të shesë si Marchetti-n, ashtu edhe kuqeziun tjetër, Etrit Berisha, për të cilin Lazio pretendon 7 milionë euro.
Për momentin Tomas Strakosha është i përqendruar në kombëtaren shpresa për sfidën e 10 tetorit me Izraelin, për t’u kthyer te Lazio, ku ishte pikërisht ai zbulimi më i bukur i një sezoni, ku objektivi është rikthimi në nivele të larta, pas një viti jashtë kupave të Europës.