Ballina Sport Hyka tregon Lihtenshtejnin

Hyka tregon Lihtenshtejnin

Ai ka shënuar golin më të shpejtë të kombëtares, gjithashtu ka realizuar në fitoren e vetme që Shqipëria ka përballë Lihtenshtejnit. Jahmir Hyka, me golin e tij të parë me fanellën kuqezi, është në librin e artë të Shqipërisë për zhbllokimin e takimit që në minutën e parë. Ndërkohë, gjatë grumbullimit të radhës me kombëtaren, pikërisht përpara ndeshjes me Lihtenshtejnin, mesfushori ka treguar se çfarë kujton nga ai gol.
“Ka qenë një ndeshje e veçantë, pasi shënova golin tim të parë me kombëtaren, një gol shumë të shpejtë. Nuk do ta harroj kurrë atë sfidë, por tashmë i përket të shkuarës. Unë dua, pse jo, të realizoj sërish një gol në ndeshjen e radhës”, tregon Hyka. “Disa nga lojtarët e Lihtenshtejnit, që luajnë në Zvicër, unë i njoh shumë mirë, pasi jam përballur shpesh me ta.
Ata nuk është se zotërojnë kualitete të veçanta, megjithatë, nëse jep shpirtin në fushë, çdo skuadër mund të të vendosë në vështirësi. Për sa i përket stadiumit, është një stadium i vogël, por fusha është e mirë dhe të lejon të luash futboll”, shprehet mesfushori i Luzernës.
Vështirësia
Është bërë si rutinë në këtë grumbullim që çdo lojtar ndjek deklaratën e De Biasit dhe shprehet se kjo është ndeshja më e vështirë për Shqipërinë. “Duhet t’i japim të drejtë trajnerit. Tashmë nuk ka më ndeshje të lehta, pasi diferencat midis skuadrave janë të vogla. Gjithsesi, unë mendoj se nëse dalim në lojën tonë, do ta kalojmë me sukses këtë ndeshje”, ka deklaruar mesfushori i Luzernës, Jahmir Hyka, për ndeshjen e radhës kundër Lihtenshtejnit.

Exit mobile version