Shqipëria, e mbërthyer në një krizë të gjatë kredish

Kredia për ekonominë u rikthye në stanjacion gjatë muajit gusht, teksa rritja krahasuar me një vit më parë zbriti në vetëm 0.1 për qind. Të dhënat statistikore nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, stoku total i kredisë që bankat kanë dhënë për biznesin dhe individët arriti në 550.5 miliardë lekë në gusht nga 549.9 që ishte në gushtin e një viti më parë. Ndonëse në gjysmën e parë të këtij viti u duk se, kredia po rigjallërohej të dhënat e dy muajve të fundit konfirmojnë se Shqipëria vazhdon të jetë e mbërthyer në një krizë të gjatë kredish. Kjo pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për rigjallërimin e kreditimit përmes uljes së normës bazë në nivelet minimale historike.
Të dhënat tregojnë se i vetmi segment i kredisë me rritje është ai i individëve. Sipas BSH, krahasuar me një vit më parë, kredia për individë është rritur me 4.2 miliardë lekë, apo me rreth 2.6%. Ndërsa biznesi vazhdon të mos ketë oreks për financim. Huaja për bizneset është ulur me rreth 5 miliardë lekë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar ose afro 1.2%. Sistemi financiar shqiptar është në ngërç dhe prej tre vitesh nuk po arrin të kryejë funksionin bazë, atë të ndërmjetësimit financiar. Stanjacioni i kredisë tregon se si bankat ashtu dhe biznesi hezitojnë të marrin përsipër rreziqe.
Shkaku kryesor për këtë janë kreditë e këqija. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, kreditë me probleme kërcyen në 21.1 për qind e totalit në gusht, duke u rritur me gati 3 pikë përqindje krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, ku shifra ishte 18.2 për qind. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që ka përjetuar rritje të kredive të këqija gjatë këtij viti, pasi në të gjitha vendet e tjera, huatë me probleme kanë rënë.
Po kështu pak ditë më parë,  Banka e Shqipërisë paralajmëroi se sistemi bankar po përballet me një valë të re të kredive të këqija. “Brenda strukturës së kredive me probleme, zgjerimi i konsiderueshëm i klasës nënstandard tregon se ka një fluks të ri në klasat e kredisë me probleme”, deklaroi BSH në raportin e fundit të sistemit financiar. Kjo rritje e re e kredive me probleme duket se ka dekurajuar sërish bankat private të disbursojnë kredi të reja për biznesin.
Nga ana tjetër, borxhi tatimor, që bizneset kanë ndaj organeve fiskale është rritur me ritme të frikshme duke kapërcyer shifrën 137 miliardë lekë ose 1 miliardë euro. Të dhënat e bëra publike nga Ministria e Financave tregojnë se pjesa dërrmuese e tij është krijuar pas vitit 2012 duke dëshmuar për një përkeqësim të administrimit fiskal, por edhe rëndim të krizës ekonomike dhe aftësisë paguese të biznesit. Sipas të dhënave, nga fillimi i tranzicionit e deri në 31 dhjetor të vitit 2011, detyrimet e papaguara të bizneseve në shtet ishin vetëm 44 miliardë lekë. Por pas kësaj periudhe borxhet e biznesit në shtet janë rritur me ritme të frikshme. Më konkretisht, nga 1 janari i vitit 2012 deri në fund të vitit të kaluar borxhet e papaguara të biznesit ndaj organeve fiskale janë rritur me 93 miliardë lekë ose 680 milionë euro të tjera.
Kjo do të thotë se në vetëm 4 vitet e fundit, janë krijuar mbi dy herë më shumë borxhe të biznesit në shtet se sa ishin krijuar në dy dekada të tëra nga rënia e komunizmit deri në dhjetor të vitit 2011. Sipas shifrave, pjesa dërrmuese e tij i përket Tatimeve, ndërsa doganat kanë vetëm 20 miliardë lekë. Një pjesë e madhe e borxhit tatimor i përket bizneseve tashmë të mbyllura, ose falimentuara, çka e bën atë të pamundur të arkëtohet më në arkën e shtetit. Një pjesë tjetër janë detyrime të disa kompanive të mëdha në vështirësi financiare, si Kurum, ARMO apo kompani të tjera në fushën e naftës.
Ndryshe nga qeveria, institucionet e së cilës pohojnë se ekonomia e vendit po rritet në mënyrë të qëndrueshme rreth 3%, bankat tregtare në vendin tonë kanë një perceptim krejt të kundërt për zhvillimet ekonomike të këtij viti. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur si rrezikun më të madh përkeqësimin e ekonomisë së brendshme.
Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka. Perceptimi për rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë është rritur ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, pasi kishte rënë për 3-6-mujorë radhazi, për të arritur në nivelin më të ulët në fund të vitit 2015.
“Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme” vijon të mbetet rreziku më i rëndësishëm sistemik dhe në perceptimin e bankave, niveli i rëndësisë së tij është rritur nga “mesatar” në “i lartë”, pohoi Banka e Shqipërisë, duke analizuar elementë që kërcënojnë stabilitetin financiar.