Nëna e Gacalin Kopshtit: Ma vranë djalin me bukë në gojë

Nëna e 30-vjeçarit Gacalin Kopshti ka qenë ndër të parët që ka shkuar në lokalin ku u vra i biri dhe një person tjetër mesnatën e të hënës në Dajç. Nëna ka vrapuar drejt lokalit e tmerruar dha ka nisur vajin për të birin, kur ka parë të shtrirë përtokë dhe të mbuluar me gjak: “Ma vranë djalin me bukë në gojë”, ka thënë ajo mes lotëve.
Ndërsa xhaxhai i tij në një prononcim për mediat tha se, Gacalini kishte qenë për peshkim dhe kishte kaluar me motorin e tij nga lokali për t’i sjellë një vegël pronarit të lokalit. “Ku ku për ne! Nuk di gjë çfarë është bërë për ne. Ka qenë duke gjujt peshk, ka ardh me e pru një vegël për me e ndez këtu. Motorin e ka aty i vdekuri. Gacalini e ka motorin aty”. Ndërkohë i plagosur ka mbetur dhe vëllai i viktimës Gacalin Kopshti, Vinçens Kopshti 26 vjeç.
I pyetur nëse Gacalini ka pasur ndonjë konflikt, xhaxhai i tij thotë se s’ka dijeni. “Nuk di gjë. Nuk kam haber. Një nip tjetër i imi është i plagosur dhe një tjetër i pronarit të lokalit. Ky ka ardh me i pru një vegël këtij Sejdinit”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave të policisë, 30-vjeçari dyshohet se u vra aksidentalisht, pasi nuk kishte lidhje me lojën e pokerit, por ndodhej si klient në lokal në momentin kur 33-vjeçari Miklovan Parubi qëlloi me automatik në drejtim të personave me të cilët po luante poker. Si pasojë e të shtënave, humbi jetën 30-vjeçari Gacalin Kopshti dhe 42-vjeçari Arjet Saiti dhe u plagosën Aleks Prendi  40 vjeç, Vinçens Kopshti  22 vjeç, Ndok Marku  35 vjeç dhe Kitas Molla 26 vjeç.
Mes autorit dhe viktimave ka pasur një sherr verbal. 33-vjeçari Parubi, sipas dëshmitarëve njihej si person me çrregullime emocionale dhe përdorues droge, nën ndikimin e të cilës dyshohet se ka qenë edhe mbrëmjen e të hënës.