2 ton kanabis e 90 kg heroinë nga Shqipëria sekuestrohet në Itali

Një operacion i Guardia di Finanza në Rimini çoi në sekuestrimin e 2 ton kanabis, 10 kg kokainë dhe 90 kg heroinë. Policia italiane bëri të ditur se ka shkatërruar një organizatë kriminale trafikantësh droge e përbërë nga italianë, shqiptarë dhe rumunë. Operacioni i koduar “100%” i kishte nisur hetimet në gusht të vitit 2013. Sipas mediave italiane, 16 persona janë arrestuar e disa të tjerë janë vënë nën hetim.
Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, droga trafikohej me anë të mjeteve lundruese përmes detit nga Shqipëria. Anëtarët e bandës komunikonin mes tyre me një gjuhë të koduar. Deri tani, anëtarëve të kësaj organizate kriminale u janë sekuestruar asete me vlerë 5 milionë euro. Operacioni i “100%” i Guardia di Finanza të Riminit është kordinuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Riminit dhe Prokurorinë e qytetit të Bolonjës.
Të dielën mbi 500 kilogramë kanabis u kapën nga Guardia di Finanza në një skaf që vinte nga Shqipëria. Bëhet e ditur se skafi me drogë është nisur nga Kepi i Rodonit, pranë zonës së Ishmit. Skafi me drogë është kapur nga Guarda Di Finanza italiane dhe në të udhëtonin dy italianë, një 38-vjeçar me inicialet A.M, dhe një 60-vjeçar me inicialet A.C.
Bie në sy fakti që trafikantët italianë tentuan të ngarkohen me kanabis në brigjet pranë Ishmit, aty ku disa javë më parë u ul avioni i pilotit Guido Guidit. Në këtë zonë, kultivuesit kishin ngritur një pistë për t’u ulur avionët e drogës, ndërsa disa ditë më parë, aty u gjet edhe një punishte për tharjen e kanabisit.
Kapja e gomones me rreth 500 kilogram kanabis është ngarkesa e dytë e drogës e kapur në 24 orë dhe që kishte si bazë pikënisje “Kepin e Rodonit”. Ditën e shtunë në afërsi të Gjirit të Lalzit në një kamion u gjetën 255 kilogramë kanabis. Dyshohej se droga po dërgohej buzë detit, për ta trafikuar më pas me gomone drejt Italisë nëpërmjet asaj që quhet Rruga e Adriatikut.
Kjo linjë trafiku u përmend pak ditë më parë edhe nga revista italiane “L’espreso” që zbuloi se veç Kanalit të Otrantos, Deti Adriatik është rruga kryesore nga ku hyn kanabisi shqiptar në Itali, prodhimi vjetor i të cilit llogaritet 900 tonë. Për transportin e saj, shqiptarët përdorin të gjitha mënyrat, deri tek motorët e ujit.
Gjatë muajit shtator, Guardia Di Finanza italiane ka mundur të sekuestrojë sasi prej disa tonë hashashi të nisura nga bregdeti i Durrësit, i kthyer në një nga bazat e nisjes së drogës. Për kalimin e drogës, trafikantët përdorin edhe Portin e Durrësit, ku vetëm pak ditë më parë u bllokua një kamion me 130 kilogramë kanabis, i fshehur në konfeksione.
Rasti më flagrant ishte ai i rrëzimit të avionit “Piper” në bregdetin e Ishmit, ku ishte ndërtuar dhe një pistë 1.5 kilometra e gjatë, e cila dyshohet se ishte në funksion të transportit të drogës nga ajri. Po në Ishëm, policia gjeti një magazinë me drogë, ku punëtorët pastronin kanabisin. Kjo banesë kishte kohë që shfrytëzohej nga trafikantët dhe ishte vetëm 1 kilometër larg pistës, ku u rrëzua piloti Guidi.