Landi Muharremi, masakruesi i paguar nga Rama kundër Mitrit?

Dhunuesi brutal i biznesmenit amerikano-libanez që braktisi vendin dhe investimin 450 milionë dollarësh me 1200 vende pune, është i lirë edhe pse Rama e di se kush është dhe ku ndodhet. Fotografia e dhunuesit Landi Muharremi iu dërgua policisë nga vetë biznesmeni një ditë pas ngjarjes në rrugën e Rinasit, por policia e mbajti të fshehtë dhe nuk e arrestoi dhunuesin. Një natë më parë, fotografia e dhunuesit u bë publike në emisionin “Opinion” nga Fevziu kur Rama deklaroi se, “dhunuesit e biznesmenit libanez janë arrestuar”.
Në momentin që gazetari Fevziu ka paraqitur foton e dhunuesit të biznesmenit, Rama është mekur. Atij i janë bllokuar fjalët dhe nuk ka mundur që të artikulojë asnjë fjali të saktë. Pamja e Ramës ishte ajo e një njeriu të trembur nga zbardhja e provave të krimit që ka kryer. Ka dyshime se dhunuesi është paguar nga krerët e qeverisë për të ushtruar dhunë dhe terror ndaj biznesmenit Mitri që të largohet nga Shqipëria dhe për këtë arsye, ai nuk arrestohet nga policia. Ai nuk arrestohet, sepse Rama dhe Tahiri kanë frikë se do të tregojë se kush e pagoi dhe urdhëroi që të dhunonte dhe kërcënonte me jetë familjen e biznesmenit amerikano-libanez që të largohej nga Shqipëria.
Partia Demokratike akuzoi dje kryeministrin Rama se, merr në mbrojtje autorët e dhunimit të biznesmenit amerikano-libanez, Faadi Mitri. Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj tha se, megjithëse investitori nxori emrin dhe fytyrën e banditit, Rama hesht pasi ka një qëllim, marrjen e truallit tek Gjiri i Lalzit.
“Dhunuesi brutal i biznesmenit që braktisi vendin dhe investimin 450 milionë dollarësh me 1200 vende pune, është i lirë, edhe pse Edi Rama e di se kush është, e di fare mirë se ku ndodhet. Ja ku është i dyshuari i identifikuar nga i dhunuari dhe familja e tij, Landi Muharremi. I dyshuari ka emër dhe fytyrë dhe është denoncuar nga vetë viktima. Kjo foto iu tregua mbrëmë Edi Ramës në ekran, në emisionin “Opinion”, dhe ai heshti. Jo vetëm heshti, por u kap dhe në mashtrim kur tha se autorët janë ndaluar, por i paska liruar Gjykata”, tha Alibeaj.
Ai deklaroi se edhe pse biznesmeni Faadi Mitri e ka identifikuar me foto dhunuesin dhe kërkon prej ditësh ndalimin e tij, policia nuk e arreston. “Ndërkohë, presidenti i OMNIX GROUP në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke folur për mediat shqiptare ka shprehur zhgënjimin e thellë se si qeveria nuk bën asnjë hap, dhe nuk ndalon autorin e rrahjes barbare të përfaqësuesit të kompanisë në prani të familjes së tij, në mes të ditës, në një aks të rëndësishëm kombëtar. Me gjithë këto fakte, me gjithë këto qëndrime publike, Edi Rama nuk lëkundet nga qëndrimi i tij, për të mos kapur autorin, për të mos dënuar ngjarjen”, u shpreh ai.
Alibeaj tha se Rama ka vetëm një qëllim dhe se ‘banditi që shëtit i lirë, është vetëm vegla e përdorur në këtë skenar kriminal e mafioz’. “Në të vërtetë, investitori u largua nga Edi Rama, sepse toka në Gjirin e Lalzit do të ndahet si plaçkë me oligarkët e tij. Kjo është e vërteta. Ky është realiteti. Edi Rama nuk është i interesuar për një investim serioz që i sjell ekonomisë 450 milionë dollarë, krijon 1200 vende pune. Edi Rama është i interesuar ta ndajë këtë pasuri me oligarkët, me banditët, me kartelet e tij të drogës”, tha Alibeaj.
Alibeaj tha se, Edi Rama nuk do investime në vend, por e do vendin në shërbim të planeve të tij për drogën dhe plehrat. “Shqiptarët nuk mund ta lejojnë këtë rrënim. Shqiptarët po bashkohen çdo ditë për të shpëtuar vendin. Shqipëria pa Edi Ramën, është Shqipëria pa plehra dhe pa drogë”, tha Alibeaj.

R.POLISI