Stoli i Anglisë, një histori skandalesh

Një histori e gjatë skandalesh. Stoli i Anglisë është një minë me sahat për këdo që merr guximin të drejtojë Kombëtaren e Tre Luanëve. Ndoshta një mallkim, por gjithashtu edhe një post prestigjioz dhe intrigues për një njeri që dëshiron të zbulojë horizonte të reja sportive. Largimi i Allardyce pas skandalit të ditëve të fundit është i fundit në radhën e gjatë problematike që ka shfaqur stoli i Anglisë në të shkuarën. Që prej vitit 1990, kur Sir Bobby Robson u largua, Tre Luanët janë drejtuar nga 9 trajnerë, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër, kanë hasur përherë pengesa të mëdha ose në rastin më të keq, i kanë kërkuar vetë telashet.
Në vitin 1999, Glenn Hoddle, i cili ndodhej prej tre vitesh në krye të bankinës, u shkarkua nga Federata për shkak të një interviste të shumëdiskutuar në “Sportsweek”. Ironike po të mendosh se intervista e tij nuk kishte asnjë lidhje me futbollin, por me çështjet fetare, pasi në këndvështrimin e ish-lojtarit të Tottenham, Zoti nuk ekziston. Sven Goran Eriksson u përfshi në dy debate publike edhe pse mund të konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm të Anglisë në tre dekadat e fundit. E kualifikoi skuadrën deri në çerekfinalet e Botërorit 2002 dhe 2006, por historia rozë me sekretaren e federatës, Faria Alam, ia uli ndjeshëm kuotat.
Skandali seksual plasi në vitin 2004, por pavarësisht kësaj, Eriksson arriti ta ruante vendin e punës. 18 muaj më pas, ai i mbijetoi edhe një incidenti tjetër, pasi u përgjua, duke deklaruar se ishte gati të largohej nga stoli i Anglisë për një pagë më të lartë. Gjithsesi, largimi i tij erdhi pas Kupës së Botës 2006. Një tjetër moment krize, Anglia pësoi edhe në vitin 2012, kur John Terry-t iu hoq shiriti i kapitenit nga Fabio Capello. Lojtari i Chelseat u akuzua për fraza raciste ndaj Anton Ferdinand dhe ky ishte një moment delikat edhe për trajnerin italian që duhej të menaxhonte një skuadër aspak komode.
Ky telash e komplikoi situatën për Capellon, që kishte arritur të ruante postin pas Botërorit 2010 ku nuk la një shije të mirë. Terry u shpall fajtor për frazat raciste, ndërsa në po të njëjtin vit, Capello u largua nga stoli i Anglisë. Roy Hodgson? Ndoshta një nga të paktët që i ka shpëtuar stuhisë së skandaleve. Plaku i urtë arriti të menaxhonte me kujdes dhomën e zhveshjes, edhe pse u kritikua ashpër për dështimin e turpshëm në Euro 2016, ku Anglia u eliminua nga Islanda. Ndoshta një nga disfatat më të rënda dhe të turpshme të historisë së futbollit ishullor.