Lila merr çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes

Andi Lila shpallet lojtari më i miri i ndeshjes Pas Janina-Platania për javën e 3-të të Superligës së Greqisë. Futbollisti i kombëtares shqiptare, i cili në këtë sfidë mbante edhe shiritin e kapitenit, megjithëse u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhave në minutën e 89, sërish u votua si më i miri i takimit. 31-vjeçari spikati me grintën e tij sidomos në fazën mbrojtëse, duke qenë një mur i pakalueshëm për kundërshtarët.
Pas marrjes së këtij çmimi, futbollisti i kombëtares shqiptare u shpreh se Pas Janina ka një skuadër të re me shumë futbollistë që kanë mbërritur gjatë merkatos së verës, megjithatë mbetet një rival i fortë për çdo kundërshtar.
I ngacmuar nga gazetarët për faktin se e la skuadrën me 10 vetë, Lila theksoi se është një futbollist luftarak dhe jep shpirtin në fushë. Më tej shtoi se e ka të pamundur t’i frenojë këmbët gjatë lojës. Futbollisti kavajas e mbylli intervistën e tij duke theksuar se dëshiron që verën e ardhshme të luajë në Kupat e Europës, duke e etiketuar Pas Janinën si Ajaksi i Epirit.