Kaçe, ringritja e një kampioni

Transferimi i Ergys Kaces te Viktoria Plzen mund të ketë qenë befasues për shumkënd, por në pak javë në klubin çek futbollisti i Kombëtares shqiptare ka dhënë një shembull se si një kampion mund të ringrihet edhe pas situatave të vështira. Në ditët e fundit të verës, pas aventurës në Euro 2016 me Shqipërinë, Kaçe vihej para një sfide të madhe. Kishte luajtur më shumë se 100 ndeshje në kampionatin grek, shumica prej tyre me Paokun e Selanikut, por situata me klubin grek ishte kthyer në një provë force me Paokun, që kërkonte rinovimin e kontratës, duke i mohuar madje edhe aktivizimin. Kaçe rinovoi dhe zgjodhi të huazohej për një vit te Viktoria Plzen, një klub që e njihte shumë pak, për të hapur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Si çdo fillim edhe ai në Çeki mund të ketë qenë i vështirëm por tani Kaçe po aktivizohet rregullisht te Viktoria Plzen, ka fituar vlerësimin e shokëve të skuadrës dhe trajnerit e madje ka shfaqur edhe aftësinë për të shënuar. Pengesa e mosnjohjes së gjuhës u kalua menjëherë, pasi futbolli flet një gjuhë universale dhe me aftësinë e tij në fushë vizionin e lojës dhe pasimet e tij, Kaçe ka treguar se di të kuptohet nga të gjithë. 23-vjeçari korçar e di se kjo është vetëm një fazë e karrierës së tij te Plzen është i huazuar dhe edhe pse klubi çek mund të mbështetet te opsioni i blerjes së tij pas përfundimit të huazimit, vitin e ardhshëm mund të jetë diku tjetër, ndoshta në një emër të madh të futbollit europian.