Analiza pas debatit, Hillary Clinton fituese

“CNN”
Në zgjedhjet presidenciale amerikane, debati i parë i kandidatëve kryesorë të republikanëve dhe demokratëve ka qenë tradicionalisht më i rëndësishmi, një lloj treguesi i rezultatit të zgjedhjeve që do të zhvillohen së shpejti. Në rastin konkret, debati i parë i rivalëve që kërkojnë Shtëpinë e Bardhë ishte veçanërisht i rëndësishëm. Komentet e para në fund të debatit presidencial në Hofstra University i kanë dhënë pothuaj unanimisht fitoren Hillary Clintonit. “Ishte një debat i çuditshëm, por Clintoni ishte qartësisht fituesja në çdo front”, ka shkruajtur Roxane Gay, profesore në Purdue University dhe opinioniste e “NYT”. “Ishte e përgatitur, e sjellshme dhe luftarake kur ishte e nevojshme”, ka vazhduar ajo, ndërkohë që “injoranca e Trumpit në çështje kombëtare dhe ndërkombëtare ishte e dukshme”.
Debat është një fjalë e dyshimtë për një ushtrim, në të cilin kandidatëve u kërkohet prej një moderatori që të japin, pak nga pak fjalimet e tyre, nën dritat e forta të skenës, ndërkohë që një orë numëron sekondat dhe ku çdo lojë fjalësh, goditje me fjalë apo ngecje fjalësh, përdoret për të shënuar pikë dhe për të shpallur një “fitues”.
Por kur vetëm një kandidat është serioz dhe tjetri është një kokë krejt bosh, ky term e humbet krejt kuptimin.
Përballja e të hënës mbrëma, mes Donald Trumpit dhe Hillary Clintonit ishte një spektakël, sigurisht: vetë rëndësia e tij, në kuptimin e reality-TV, audienca si prej finaleve të Super Bowl-it. “Debati i shekullit”, thoshte “Drudge Report”. “Amerika në ankth”, thoshte “Huffington Post”. Për një herë të vetme, gjithë kjo fryrje mund të ketë qenë e drejtë, po të kesh parasysh sondazhet kokë më kokë dhe datën e zgjedhjeve që afrohet.
Kishte një asimetri themelore në këtë ushtrim, për shkak të së vërtetës së tmerrshme, që njëri prej pjesëmarrësve nuk kishte asnjë të vërtetë për të ofruar. Por, të parit e tyre mbi të njëjtën skenë, në fakt distiloi ekzaktësisht atë që kanë qenë gjatë gjithë kësaj fushate.
Në podium, duke ndërprerë dhe bërtitur, duke luajtur fizarmonikën e padukshme me duart e hapura, penguar, trazuar sallatën e tij të fjalëve – vendet e punës dhe terrorizmi dhe NAFTA dhe Kina dhe çdo gjë e tmerrshme – Trumpi tha shumë. Por teksa debati vazhdoi, ai u lodh shumë për të konkurruar me një konkurrente, e cila ishte shumë më e përgatitur se cilido prej republikanëve që ai kishte ndeshur në zgjedhjet brenda partisë.
Nëntëdhjetë minuta nuk mund të kishin mjaftuar kurrë për Trumpin që të shpëtonte kandidaturën e tij, edhe nëse për shkak të ndonjë mrekullie ai do të kish dashur, po ta zëmë se krejt papritur do të kishte zhvilluar një seri koherent politikash dhe parimesh, një axhendë përkundrejt të cilës propozimet e Clintonit do të mund të peshoheshin dhe shqyrtoheshin apo edhe një nivel bazë sinqeriteti.
Moderatori, Lester Holt i “NBC” shpalli temat e “arritjes së prosperitetit”, “drejtimin e Amerikës” dhe “sigurinë e Amerikës”, më pas thjesht u tërhoq në heshtje, teksa Trumpi u hodh në sulm, duke fajësuar Clintonin për ISIS-in dhe papunësinë dhe globalizimin, duke e përshkruar vendin si një ferr për zezakët e Amerikës, një vend ku kanë pllakosur imigrantët e paligjshëm dhe bandat me armë dhe me oficerë policie që kanë frikë t’i ndalojnë. “Të gjitha vetëm fjalë”, tha ai në një moment, në përpjekje për të shpërfillur Clintonin, por që krejt pa dashje, po përshkruante zbrazëtinë e vetë fjalëve të tij.
Në varësi të polarizimit të lenteve që mban, Trumpi i përmbushi/tejkaloi/nuk i përmbushi pritshmëritë, të cilat ishin të ulëta që në krye të herës. Ai ka gënjyer vazhdimisht që kur ka hyrë në garë dhe u kap sërish të hënën mbrëma duke gënjyer (duke përsëritur, mes gënjeshtrave të tjera, se kish qenë Clintoni që e kishte nisur sulmin për vendlindjen e Obamës). Por sido që të fliste Trumpi në këtë debat, ai sërish mendohet të ketë mbështetjen e një pjese të madhe të elektoratit amerikan.
Edhe Clintoni i përmbushi/tejkaloi/nuk i përmbushi pritshmëritë, që ishin të ndryshme për të. Ajo duhej që të ishte e ashpër, por jo çjerrëse, e këndshme, por jo e shpenguar, e zgjuar, por jo pedante, në gjendje që t’i bënte ballë ngacmimeve. Nëse e vendos në ekuilibër, ia doli, duke përballur me forcë sulmet e tij dhe duke lëshuar plot siguri kritikat e saj, nga një pozicion më i lartë dhe më i qëndrueshëm.
Një seri kandidatësh më të aftë mund ta kishin ndalur këtë. Një Parti Republikane e përgjegjshme, me mendje tek interesi kombëtar, jo e fiksuar pas goditjes së Presidentit Obama, mund ta kish ndalur. Në një epokë politike më të mirë, të dy partitë – jo vetëm demokratët – do të kishin kandidatë të kualifikuar që do t’u përgjigjeshin shqetësimeve të Amerikës për terrorizmin dhe luftën, klimën dhe ekonominë, imigrimin dhe tensionet racore, arsimin dhe sigurinë publike.
Por jo këtë vit. Fushëbeteja e republikanëve ishte e mbushur me më të dobëtit e më të dobtëve. Gjë që i dha debatit dimensionin e tij të çuditshëm, mbase tragjik. Është absurde që fati i garës dhe e ardhmja e kombit, mund të shkojë në një drejtim apo në një tjetër, bazuar në një ritual televizin nëntëdhjetë minutësh, kaq të njollosur prej gënjeshtrave.

A triumfoi Hillary?
Hillary Clintoni detyroi Donald Trumpin të “luajë në mbrojtje” teksa e sulmoi atë për temperamentin, refuzimin për të paguar taksat dhe komentet e tij në të kaluarën në lidhje me racën dhe gratë. Debati ishte shumë i “luftuar”, një moment kulmor në këtë garë presidenciale “kokë më kokë”.
Clintoni, e cila ka parë avantazhin dominues në garën presidenciale të zhduket gjatë javëve të fundit, që nga Konventa e Partisë Demokratike, ofroi një performancë të fuqishme, në të cilën demonstroi një zotërim të fortë të politikës dhe një sens humori, duke buzëqeshur gjatë disa prej sulmeve më të fortë të Trumpit. Ajo ofroi batutën më të fortë të mbrëmjes, në përgjigje të kritikave të Trumpit për faktin që kish qëndruar jashtë fushatës së fundmi. “Mendoj se Donald sapo më kritikoi se jam përgatitur për këtë debat”, tha ajo. “Po, jam përgatitur. Dhe a e di për çfarë tjetër jam përgatitur? Jam përgatitur për Presidente. Dhe kjo është gjë e mirë”.
Trumpi e nisi në sulm fillimin e debatit dhe ofroi disa pika efektive për ekonominë dhe vendet e punës – disa prej aspekteve të fushatës së tij presidenciale që kanë gjetur jehonë tek amerikanët. Por debati nxori në pah tendencën e Trumpit për të thënë gjëra të rreme, teksa ai bëri disa deklarata të pavërteta për gjithçka, që nga ligjet mbi policinë, tek mbështetja e tij për luftën në Irak, si dhe pretendimin e tij se Clintoni ishte prapa të ashtuquajturit “komploti i çertifikatës së lindjes të Obamës”.
Në dhomën e gazetarëve pas debatit, Trumpi tha se ishte i lumtur me performancën e tij. Një sondazh i “CNN”/“ORC” mes atyre që e kishin parë debatin, i realizuar menjëherë pas tij, zbuloi se 62% ndjenë që Clintoni kishte fituar, në krahasim me 27% për Trumpin. Sondazhi linte të kuptohej se audienca e debatit ishte pak më shumë demokrate se sa publiku në tërësi.
Një prej momenteve më të fuqishëm të debatit erdhi kur biseda u fokusua tek i ashtuquajturi debat për çertifikatën, me Donald Trumpin që së fundi ka pranuar se Presidenti Obama ka lindur në SHBA – një fakt i cili ka qenë i qartë prej vitesh. Me Trumpin vetëm pak metra larg saj, Clintoni e sulmoi fort duke i thënë se ka përsëritur një “gënjeshtër raciste”. “Ai ka një histori të gjatë angazhimi në sjellje raciste”, tha Clintoni, teksa Trumpi tundte kokën. Trumpi kundërsulmoi, duke përmendur kritikat e forta që Clintoni i ka bërë Obamës gjatë betejës së tyre në primaret e vitit 2008.
“Ti e ke trajtuar me respekt të tmerrshëm dhe unë shoh tani mënyrën se sa me dashuri flet për të… nuk funksionon kështu”, tha ai. “Kur përpiqesh të veprosh si më shenjte se të gjithë, nuk funksionon”. Me afrimin e fundit të debatit, Clintoni sulmoi Trumpin për trajtimin që u ka bërë grave. “Ky është një burrë që i ka quajtur gratë dosa, llum dhe qen”, tha Clinton.
Ajo e akuzoi Trumpin se ka quajtur “Miss Dosa” një latino-amerikane që merrte pjesë në një konkurs bukurie, si dhe shtëpiake për shkak të etnisë, duke e nxjerrë krejt nga shinat Trumpin, i cili përsëriti dy herë: “Ku e gjete këtë”? Clintoni u përpoq vazhdimisht të korrigjonte deklaratat e Trumpit – duke u bërë thirrje madje votuesve të verifikojnë ato në faqen e tij në internet – teksa synonte që ta paraqiste atë si jashtë realitetit me kompleksitetet e ekonomisë amerikane.
“Unë e di që ti jeton në realitetin tënd”, i tha ajo Trumpit.
Clintoni dhe Trumpi e hapën debatin në një moment pozitiv duke shtrënguar duart, përpara se të vendoseshin prapa podiumeve në Universitetin Hofstra, në Long Island të Nju Jorkut. Bashkëshortët respektivë, ish-Presidenti Bill Clinton dhe Melania Trump, gjithashtu u takuan përpara se të zinin vendet e tyre në holl.
Prej aty, drama u shpalos me shpejtësi. Një Trump gjithnjë e më i zemëruar sulmoi Clintonin për vendosjen në faqen e saj të internetit të planeve për të luftuar ISIS – dhe duke i dhënë informacione pra, armikut të Amerikës. “Epo të paktën unë kam një plan për të luftuar ISIS”, u përgjigj Clintoni, duke iu referuar deklaratave të tij të mëparshme, se ka një “plan sekret” për ta shkatërruar grupin terrorist.
Clinton gjithashtu e sulmoi Trumpin për refuzimin e tij për nxjerrjen e të dhënave për taksat. “Pse nuk do ai të lëshojë deklaratat tatimore?”, pyeti Clinton. “Ndoshta ai nuk është aq i pasur sa thotë se është”, vazhdoi ajo. “Ndoshta ai nuk është aq bamirës sa pretendon të jetë”. “Ndoshta ai nuk do që populli amerikan të dijë se ai nuk ka paguar asgjë në taksat federale”. Clinton i bëri presion Trumpit mbi këtë çështje, duke thënë se, “Ka diçka që ai është duke e fshehur”. Trumpi u përgjigj se ai do të nxjerrë taksat e tij, kur Clintoni të bëjë publike 33.000 e-mail-e që janë fshirë nga serveri i saj privat i e-mail-eve. Kur Clintoni tha se Trumpi nuk kishte paguar asnjë tatim mbi të ardhurat federale në disa vite, Trump u përgjigj: “Kjo më bën të zgjuar”.
Clinton foli e vendosur, edhe në lidhje me të dhënat e biznesit të Trumpit, duke theksuar se ai e kishte quajtur veten “Mbreti i borxhit” dhe duke e akuzuar atë se ua kish hedhur me mijëra kontraktorëve që kishin bërë punë për biznesin e tij.
Kur debati u kthye në çështjet racore dhe krimin, Clintoni tha se ishte e rëndësishme për policinë që të punojë së bashku me komunitetet lokale për të rivendosur besimin. Trumpi akuzoi Clintonin se refuzon të thotë frazën “ligj dhe rend” dhe bëri kritika për gjendjen e qyteteve. Ai tha se afro-amerikanët dhe hispanikët “jetojnë në ferr”. “Nëse ecën në rrugë, të qëllojnë e të vrasin”, tha Trumpi. Clintoni e sulmoi Trumpin për faktin që paraqiti një peizazh kaq të zymtë të komuniteteve me ngjyrë.
Trumpi dhe Clintoni ndodhen në një moment kritik të fushatës, vetëm 43 ditë para zgjedhjeve. Një sondazh i “CNN”/“ORC” i ditës së hënë nxori se Trumpi është në avantazh 42 me 41% përballë Clintonit në shtetin “fushëbetejë” të Kolorados. Në Pensilvani, Clintoni është në avantazh 45 me 44%. Ish-sekretarja e Shtetit dëshiron që të marrë këto shtete për të shtruar rrugën drejt 270 votave elektorale që i duhen për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Në nivel kombëtar, sondazhi i “CNN” nxjerr Clintonin në avantazh 44 me 42%.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI