Zhduken 38 sirianë nga qendra e azilkërkuesve në Babrru

38 sirianë që strehoheshin në Qendrën Pritëse të azilkërkuesve në Babrru janë larguar pa marrë leje nga autoritetet. Sirianët kishin dalë të dielën nga qendra, por ndryshe nga çfarë parashikon marrëveshja për azilkërkuesit, ata nuk janë rikthyer në mbrëmje. Pasi kanë konstatuar mungesën e tyre, zyrtarët e Qendrës kanë njoftuar policinë, e cila është vënë në ndjekje të grupit të azilkërkuesve.
Sipas informacioneve, azilkërkuesit nuk dispononin leje qëndrimi dhe status, ndërsa policia tashmë është vënë në ndjekje të tyre. Po ashtu, sirianët me largimin e tyre, kanë thyer marrëveshjen e lidhur me shtetin shqiptar. Deri tani nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e sirianëve, të cilët e përdorin Shqipërinë si pikë kalimi për në vendet e BE-së.
Në Qendrën e Pritjes, azilkërkuesit kanë të drejtë që gjatë ditës të dalin për nevojat e tyre përreth godinës, por në bazë të marrëveshjes ata nuk mund ta kalojnë natën jashtë Qendrës. Ndërkohë mësohët se policia është vënë në  ndjekje të tyre, ndërsa dyshohet se shtetasit e huaj kanë arritur të kalojnë kufirin shqiptar.
Në këtë Qendër të ndodhur në periferi të Tiranës ndodhen të strehuar aktualisht rreth 40 refugjatë, shumica sirianë,  ndërsa kapaciteti i Qendrës është për 170 persona. Atyre u sigurohet fjetje ushqim si dhe një dietë ditore nga UNHCR. Pasi qëndrojnë për disa kohë në Qendër disa prej refugjatëve nisin proçedurat për të përfituar leje qëndrimi në Shqipëri, ose edhe azil politik.
Qëndrimi në Qendër është i përkohshëm, pasi shumë prej shtetasve të huaj arrijnë të largohen në banesa me qera dhe madje të punësohen. Ndërsa të tjerë kanë kërkuar të largohen nga Shqipëria për në vende të BE.