Totti 40 vjeç, Roma feston me kapitenin

Urime kapiten. Francesco Totti tashmë është 40-vjeç, por 4 dekada mbi supe nuk e pengojnë atë të vazhdojë të japë kontributin e tij të vyer për Romën. Këtë të martë, Totti festoi 40-vjetorin e tij të lindjes dhe si një profesionist i vërtetë që është  dita për të nisi në Trigoria, duke zhvilluar seancën e radhës stërvitore me Romën. Është ai njeriu simbol i skuadrës verdhekuqe. Për Romën, Totti është unik, i papërsëritshëm dhe mbi të gjitha i paarritshëm. Edhe pse kanë kaluar 23 vite e gjysmë që nga debutimi i tij  në Serinë A periudhë gjatë së cilës ka shënuar 250 gola me fanellën e Romës në kampionat, Totti vazhdon të zbresë në fushë me personalitetin dhe sharmin që e karakterizon. Sa shumë trajnerë që ka ndërruar skuadra kryeqytetase gjatë kësaj kohe, por Totti ka qenë gjithmonë aty për t’i ndihmuar ata me klasin dhe golat e tij. Nga titulli kampion i fituar me Romën në vitin 2001 te Kupa e Botës me Italinë në 2006-ën janë këto dy sukseset më të mëdha të 40-vjeçarit në karrierë. Ishte Vujadin Boskov ai që i dhuroi debutimin Tottit me fanellën e Romës në 28 mars të vitit 1993.
Në 4 shtator të 1994-ës me Mazzonen në stol në transfertën e Foggias ai realizoi golin e tij të parë me Romën. Sulmues i dytë, mesfushor i avancuar, numër 9-sh fals apo edhe sulmues i parë, për të ndihmuar Romën, Totti është përshtatur në çdo rol të repartit të avancuar. Me Italinë numëron 58 ndeshje dhe 9 gola të realizuar, ndërsa me Romën 306 gola në 763 paraqitje deri tani. Shumë e kanë dashur, madje Reali i Madridit në 2003-shin ishte gati të bënte çmendurira finanaciare për të, por Totti vendosi të qëndrojë te Roma, sepse një kapiten i vërtetë si ai nuk e braktis kurrë anijen. Të shumta ishin urimet në drejtim të Tottit në ditën e 40-vjetorit të tij, dhe një nga specialët mund të konsiderohet ai i Lionel Mesit, i cili nëpërmjet një video mesazhi i bëri me dije kapitenit të Romës se gjithmonë e ka admiruar si futbollist.