Të vërtetat dhe gënjeshtrat e debatit mes Trump-Clinton

Hillary Clinton dhe Donald Trump u përballën në debatin e parë presidencial dje duke shqyrtuar pikat e ekonomisë, sigurisë kombëtare dhe të dhënat për njëri-tjetrin. Dy kandidatët shkëmbyen sulme që ishin shumë të sakta, por kishin edhe disa probleme me faktet që lidheshin me vetë të dhënat e tyre

Trumpi përsëriti pretendime të pavërteta duke thënë se ka kundërshtuar luftën në Irak dhe se fushata e vitit 2008 të Clintonit filloi me këtë lëvizje. Clinton theksoi se Trump nuk paguan taksën e të ardhurave dhe theksoi pozicionin e saj për marrëveshjet e tregtisë

Këtu janë disa fakte të kontrolluara për vërtetësinë e tyre:
Trump: “Po e përdorin vendin tonë si bankë për të rindërtuar Kinën”
Në fillim të këtij viti, Trump pretendoi se Amerika ka rindërtuar Kinën. Ky është një përshkrim i thjeshtëzuar i marrëdhënies ekonomike ndërmjet dy vendeve. Ekspertët thotë se rritja e Kinës i atribuohet reformës së saj të fushës imobilare dhe përfshirjen në tregtinë globale. Shtetet e Bashkuara nuk mund të marrin të gjithë përgjegjësinë.

Clinton: “Plani i taksimit të Trumpit do të sjellë shkurtimet më të mëdha të taksave për 0,1 për qindëshin e popullsisë”
Kjo ishte e saktë për planin e taksimit të Trumpit. Elita 0,1 për qind e popullsisë, ata që fitojnë më shumë se 3,6 milionë dollarë në vit, do të përfitojnë 18 për qind të reduktimit të taksave, ndërkohë që pjesa tjetër e popullsisë vetëm 16,4.

Clinton: Ai e filloi biznesin me 14 milionë dollarët që ia dha babai
Clinton i referohet raportit të “Wall Street Journal” për licencën e një kazinoje në vitin 1985. Kjo tregon se Trump i kishte borxh babait të tij 14 milionë dollarë në atë kohë.

Trump: Im atë më dha një borxh të vogël në vitin 1975 dhe unë ngrita një kompani miliarda dollarëshe me asetet më të mëdha të botës
Duke qenë se Trump nuk i ka deklaruar taksat e tij, është e vështirë të thuhet se me sa para e ka nisur biznesin. Borxhi i vogël për të cilin flet Trumpi i referohet 1 milion dollarëve nga babai i tij, Fred, për të financuar hotelin Grand Hyatt më 1978.

Clinton: Në fakt, Donald Trump është një nga njerëzit që përfitoi nga kriza. Në vitin 2006 ai tha: “Shpresoj të rrënohet, sepse mund të blej diçka e të fitoj më shumë para. Dhe ekonomia u rrënua
Ky pretendim është vlerësuar si kryesisht i vërtetë. Ndërkohë që Trump nuk e ka mirëpritur humbjen e shtëpive nga shumë amerikanë, ai përsëri ka folur me optimizëm për shanset që krijoi kriza për të si investitor. Deklarata e Clintonit nuk ka përfshirë nuancën e duhur, por fjalët e Trump janë të vërteta.

Clinton: Ekspertët e pavarur kanë parë ç’kam propozuar unë dhe çka propozuar Trumpi dhe kanë thënë se plani i taksimit të tij mund ta rrisë borxhin deri në 5 trilionë dollarë
Sipas Tax Fondation, plani i Trumpit do të reduktojë të ardhurat nga taksat në 4,4 deri në 5,9 trilionë dollarë. Komiteti për Buxhetin Federal ka thënë se plani i Trump krijon një gropë prej 5,3 trilionë. Deklarat e Clintonit është e vërtetë.

Trump: Nuk kam thënë se ndryshimi i klimës është mashtrim i sajuar nga kinezët
Trump e ka thënë këtë në Twitter katër vite më parë. Edhe pse është përshkruar si “shaka” ai nuk e ka përgënjeshtruar këtë teori, pasi e ka quajtur ndryshimin e klimës një mashtrim në shumë fjalime të tij. Më 18 janar 2016 ka thënë se ndryshimi i klimës i ka sjellë shumë avantazhe Kinës. Deklarata ishte e pavërtetë.

Trump: Administrata e Obamës e ka dyfishuar borxhin kombëtar në tetë vjet
PolitiFact Virginia e vlerësoi këtë deklaratë si gjysmë të vërtetë. Edhe pse shifra është e gabuar, borxhi është rritur. Si fillim Obama nuk është i vetmi përgjegjës i rritjes së borxhit, edhe Kongresi e ka aprovuar. Së dyti, recesioni që filloi në vitin 2009 i preu të ardhurat qeveritare dhe nxiti rritjen e borxhit gjatë mandatit të tij.

Clinton: Kam votuar për marrëveshje tregtare. Për më të madhen, CAFTA, kam votuar kundër
Clinton i është shmangur debatit të marrëveshjeve tregtare për vite me radhë. Nga 10 marrëveshje që ka marrë pjesë, ka votuar me po për gjashtë dhe me jo për dy (CAFTA dhe Trade Act 2002) në votimet e tjera ajo nuk është shprehur, por i ka promovuar ato.

Trump: Shko në Nju Ingland, Ohaio, Pensilvani e kudo dhe do të shikosh shkatërrim sepse prodhimi është ulur me 30, 40 apo 50 për qind
Trump ka thënë saktësisht se Pensilvania ka humbur 35 për qind të prodhimit dhe vendeve të punës që në vitin 2001. Sipas Byrosë së Punës, Pensilvania humbi 300 mijë vende pune që nga janari 2001. Nga këtu del reduktimi prej 35 për qind i vendeve të punës që ka ndodhur 15 vitet e fundit.

Trump: Ti ke lavdëruar marrëveshjen e Partneritetit Trans-Paqësor si marrëveshjen më të mirë që ke parë ndonjëherë
Kjo është kryesisht e vërtetë. Clinton i ka përdorur këto fjalë në vitin 2002 kur diskutonte TPP-në në Australi. Duhet theksuar se kjo pikë e marrëveshjes ende po negociohet dhe për shkak se është bërë pas dyerve të mbyllura, nuk ka mundësi të dihet se sa ka ndryshuar. Duhet të pritet versioni final.

Trump: Kemi ripërtëritjen më të keqe të ekonomisë që pas Depresionit të Madh
Kjo deklaratë varet nga çfarë merr për bazë. Nëse shqyrtohet GDP-ja, Trump ka të drejtë. Por nëse shihet punësimi, ripërtëritja e vitit 2001 ka qenë më e keqe.

Clinton: Ai nuk ka paguar asgjë nga taksat federale sepse momenti i vetëm kur e ka bërë ka qenë kur është përpjekur të marrë licencën e kazinosë dhe i treguan se nuk kishte paguar taksat federale
Kjo është më shumë e pavërtetë. Të dhënat mbulojnë 5 vite taksash. Ato tregojnë se Trump nuk ka paguar taksat për dy vjet, 1978 dhe 1979. Por i ka paguar në vitet 1975, 1976 dhe 1977.

Clinton: E ke çuar biznesin në falimentim gjashtë herë
Kjo është e vërtetë. Trumpi deklaroi falimentimin katër herë brenda dy viteve më 1990, një herë më 2004-ën dhe një tjetër më 2009-ën. Por ekspertët thonë se Trumpi nuk e mban të gjithë përgjegjësinë, siç sugjeron Clinton, pasi shumica e falimentimeve ndodhnin sepse industria e kazinove ishte në vështirësi.

Clinton: Ti ke sugjeruar edhe se do të negocioje uljen e borxhit kombëtar të Shteteve të Bashkuara
Në dy intervista të ndara në maj, Trump sugjeroi se do të bënte diçka për të negociuar borxhin federal duke rifinancuar borxhin dhe për ta riblerë atë me çmim më të ulët. Por u tërhoq pas kritikave, duke thënë se fjalët e tij u keqinterpretuan. Deklarata e Clintonit është e vërtetë.

Clinton: Epidemia e armëve është shkaku kryesor i vdekjes së djemve të rinj amerikanë, mbi nëntë në dhjetë raste
Nëse për “djem të rinj” marrim në konsideratë moshën 15-24-vjeçare, atëherë Clinton ka të drejtë sipas të dhënave të CDC-së.

Trump: Në Chicago ka mijëra të shtëna, mijëra që pas 1 janarit
Kjo është e vërtetë. Sipas raporteve të mediave dhe ekspertët e dhunës së armatosur, ka mbi 3 mijë viktima vrasjesh në Chicago deri tani.

Clinton: Është fakt që nëse je një burrë afro-amerikan dhe bën të njëjtën gjë me të bardhët, ka më shumë gjasa të arrestohesh, gjykohesh dhe burgosesh
Kërkimi sugjeron se kur krahason atë që ndodh me zezakët dhe të bardhët që kryejnë të njëjtat aktivitete kriminale dhe kanë të njëjtën histori kriminale, afro-amerikanët janë më të prirur për t’u arrestuar dhe marrin dënime më të rënda. Kjo është e vërtetë.

Trump: Nuk dua të flas për faktin që ti ishe ajo që shpike termin “superkriminel” për të rinjtë zezakë
Kjo është kryesisht e vërtetë. Teksa mbështeste të shoqin në legjislacionin kriminal të 1994-ës, Clinton përdori fjalën “superkriminel”, duke iu referuar gangsterëve të vegjël. Ajo nuk tha se i referohej zezakëve, por konteksti i fjalimit të saj dhe fakti që më pas kërkoi falje sugjeron se për çfarë po fliste.

Clinton: Donaldi e nisi karrierën më 1973-shin duke u paditur nga Departamenti i Drejtësisë për diskriminim racial sepse nuk i jepte afro-amerikanëve apartamente me qira
Kjo është e vërtetë. Qeveria e 1973-shit e akuzoi Trumpin dhe babain e tij për shkelje të Aktit të Strehimit të Drejtë, pjesë e Aktit të të Drejtave Civile. Akuza pretendonte se kompania e Trumpit diskriminonte qiramarrësit zezakë dhe qiramarrës të tjerë potencialë në komplekset e tij.

Trump: E mbylla këtë akuzë pa marrë përsipër faj
Edhe kjo është e vërtetë. Trumpi dhe qeveria ranë dakord për ta mbyllur padinë më 1975-ës dhe kompania ra dakord të trajnonte punonjësit që të punonin në përputhje me kërkesat e antidiskriminimit. Trumpi kurrë nuk e pranoi fajin.

Clinton: U trondita kur Donald ftoi publikisht Putinin të kryente sulme kibernetike kundër amerikanëve. Kjo është e papranueshme
Kjo është gjysmë e vërtetë. Gjatë një konference për shtyp në Florida, Trump tha se shpresonte që Rusia të zbulonte 30 mijë e-mail-et që mungonin. Ai i referohet e-mail-eve të Clintonit, jo të amerikanëve në përgjithësi. Trump tha më pas se po fliste me ironi.

Trump: Kam thënë gjatë dhe ti duhet të jesh dakord sepse kështu ke thënë, se po ta kishim marrë naftën siç duhet të bënim, ISIS nuk do të ishte formuar dot, sepse nafta ka qenë burimi i tyre kryesor i të ardhurave
Trump ka të drejtë që ka nxjerrë prej kohësh këtë propozim dhe se nafta është burimi i tyre kryesor i të ardhurave, por kur thuhet se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin naftën, ekspertët thonë se ideja nuk është vetëm përqafim i imperializmit, por edhe e jashtëligjshme me sfida të mëdha praktike.

Clinton: Ai ka promovuar lëvizjet që bëmë në Libi dhe ka argumentuar se Gaddafi duhet të rrëzohej, pasi kishte bërë biznese me të
Dekarata e Clintonit është kryesisht e vërtetë. Në fakt nuk janë gjetur shumë komente të Trumpit për Libinë, por kur ka folur, ka qenë empatik. Në vitin 2011, përpara bombardimit të parë, Trumpi tha: “Duhet të ndërhyjmë, duhet ta ndalojmë Gaddafin”. Vetë Trumpi ka thënë se i ka dhënë me qira tokë Gaddafit kur lideri i Libisë vizitoi New York-un më 2009-ën.

Trump: Unë e mbështes NATO-n, por thashë që duhet të përqendrohet tek terrorizmi. Ata do ta bëjnë këtë dhe kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të kritikave që unë kam shprehur për NATO-n.
Kjo nuk është e vërtetë. Ndryshimi, të cilit ai i referohet ishte krijimi i një posti të ri të inteligjencës, një ndryshim në mënyrën se si aleanca trajton terrorizmin. NATO është marrë me operacione antiterrorizëm tashmë prej 30 vjetësh.

Trump: Nuk e kam mbështetur luftën në Irak. Të dhënat tregojnë se kisha të drejtë
Të dhënat tregojnë të kundërtën. Trumpi nuk ka komentuar shumë për pushtimin e Irakut atë kohë. Në vitin 2002 kur e pyetën nëse Amerika duhet të hyjë në luftë ai tha: “Besoj se po”. Më pak se tre muaj para pushtimit, Trumpi tha se Presidenti duhet të përqendrohet tek ekonomia, por nuk tha se ishte kundër fillimit të sulmeve. Ai nuk e ka kundërshtuar luftën, jo pasi kishin kaluar një vit e gjysmë nga pushtimi.

Clinton: John Kerry dhe Presidenti Obama arritën marrëveshjen që i vuri kapakun programit bërthamor të Irakut pa asnjë të shtënë
Nëse “vënia e kapakut” konsiderohet “mbajtje nën kontroll” atëherë Clinton ka të drejtë. Edhe pse ka pasiguri për mënyrën se si do të vazhdojë marrëveshja, ekspertët thonë se marrëveshja është efektive dhe rezultati më i mirë që mund të arrinin Shtetet e Bashkuara. Clinton ka të drejtë.

Trump: Mbrojmë Japoninë, Gjermaninë, Korenë e Jugut, Arabinë Saudite dhe vende të tjera. Ata nuk na paguajnë asgjë
I shqyrtuam pretendimet e tij për Korenë e Jugut. Nuk është e vërtetë. Aktualisht, Koreja e Jugut i jep Shteteve të Bashkuara 800 milionë dollarë në vit për prezencën e trupave amerikane në vend.

Trump: Kina është e pushtetshme sepse ka lidhje me Korenë e Veriut
E pavërtetë. Edhe pse Kina ka lidhje ekonomike me Korenë e Veriut, Trump e ekzagjeron shtrirjen e pushtetit që Kina ushtron mbi Korenë. Në fakt Koreja e Veriut kreu testime bërthamore mbi objekte të rrezikshme të Kinës dhe vendi pretendon se nuk e mban dot në kontroll Korenë e Veriut.

Trump: Pagesa që administrata Obama i bëri Iranit ka qenë shpenzimi më i madh i të gjitha kohërave, përfshirë edhe 400 milionë para në dorë. Askush nuk e ka parë këtë më parë. Kjo ishte e gabuar. Në fakt ishte 1,7 miliardë dollarë, ndoshta për pengje. Kështu duket
Vlerësuam një pretendim të mëparshëm të Trumpit, që 400 milionë dollarët ishin shpërblim për pengjet, i cili është i gabuar. Po atë ditë, kur u liruan disa të burgosur amerikanë, Shtetet e Bashkuara paguan 400 milionë dollarë, por ekpertët thanë se nuk ishte shpërblim. Irani kishte të drejta legjitime për të kërkuar para sepse Shtetet e Bashkuara i detyroheshin si pjesë e rezolutës për një konflikt financiar. Është e paqartë nëse të burgosurit dhe konflikti financiar ishin të lidhur.

Clinton: Ky burrë i ka quajtur femrat derr, baltë dhe qen dhe ka thënë se shtatzënia është shqetësim i madh për punëdhënësit
Kjo është e vërtetë. Trumpi ka përdorur pikërisht këto fjalë për të përshkruar Rosie O’Donnell, gazetaren e “New York Times”, Gail Collins dhe themeluesin e “Huffington Post”, Arianna Huffington. Ai gjithashtu ka thënë për një avokate që duhet të nxirrte jashtë qumështin e gjirit, se ishte diçka “e neveritshme”. Gjatë një interviste të vitit 2004 Trumpi tha për gratë shtatzënë: “Fakti është një shqetësim për një person që drejton një biznes”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI