Koncesioni i plehrave u dha para se të krijohej kompania

Partia Demokratike denoncoi dje një tjetër skandal që lidhet me dhënien e Landfillit të Fierit me koncesion. Përmes një deklarate për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma, bëri të ditur se kompania fituese e këtij koncesioni jo vetëm që ka qenë e paracaktuar, por nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin e landfilleve.
Duma bëri të ditur se më datë 13.07.2016 është hapur tenderi për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier.
Ndërkohë më datë 28.07.2016 kompania fituese e tenderit “Integrated Technology Services” e regjistruar për aktivitet në fushën e Teknologjisë së Informacionit papritur shton në objektin e aktivitetit të saj edhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (Incenerator) dhe landfille për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme.
Nga ana tjetër, më 15.09.2016 njoftohet se një bashkim operatorësh ndërmjet kësaj kompanie shqiptare “Integrated Technology Services”, me administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoto e njohur si kompani IT-e dhe shoqërisë italiane “Energy 2SRL” e specializuar në “green energy”, pa lidhje me riciklimin, kanë fituar garën për kontratën koncesionare me një afat 6-vjeçar.
“Kanë nisur të zbulohen arsyet e vërteta se pse Rama riktheu importin e mbetjeve. Akoma pa hyrë në fuqi ky ligj, qeveria ka vrapuar të hapë tenderin dhe të japë koncesionin e parë për djegien e mbetjeve. Skandali thellohet kur zbulohet se, kompania që ka fituar tenderin është regjistruar për këtë shërbim 15 ditë pas shpalljes së tenderit.
Gjithçka është bërë në fshehtësi të plotë. Në errësirë të plotë dhe me shpejtësi marramendëse. Ky është interesi i Edi Ramës dhe jo kompanitë e riciklimit që i përdor për show.
Kjo është arsyeja e vetme, shpjegimi i vërtetë se pse Edi Rama tri vite më parë bëri të anulohej referendumi, duke anuluar ligjin për mbetjet dhe sot riktheu ligjin dhe anatemon kundërshtarët e tij”, u shpreh Duma në fjalën e saj.
Ajo theksoi se, Partia Demokratike është e vendosur në qëndrimin e saj kundër importit të mbetjeve dhe do të bëjë gjithçka për ndalimin e tyre. “Ne i bëjmë thirrje qytetarëve të bashkohen për ta ndaluar këtë projekt të Edi Ramës që do të ndosë Shqipërinë, do të helmojë dhe do të mbjellë sëmundje dhe vdekje në këtë vend.
“Dhe ky është vetëm fillimi i të tjera kontratave koncesionare për djegien e mbetjeve në Shqipëri. Pyetjet që shtohen natyrshëm, duke parë nxitimin e qeverisë për këtë koncesion pa u miratuar akoma ligji i mbetjeve, lidhen me mbetjet që do të digjen nga ky impiant dhe dhjetëra të tjerë që parashikohen të ngrihen në Shqipëri.
A do të digjen në këto impiante mbetje, që do të importohen në Shqipëri?!
Me pretekstin e ligjit a do t’i hapë Edi Rama kufijtë, mafias së plehrave të rrezikshme ashtu siç bëri për baronët e drogës?!
Ky është shqetësimi i çdo shqiptari sot.
Padyshim që pas ligjit të plehrave qëndron kjo aferë dhe dhjetëra të tjera. Pas drogës, Edi Rama ka vendosur t’i helmojë shqiptarët edhe me plehrat dhe mbetjet e rrezikshme të Europës.
Prandaj shkeli fjalën që ju dha qytetarëve. Prandaj i tradhtoi ashiqare 65 mijë qytetarët që firmosën për refendum”, tha Duma.

Afera me koncesionin

Oferta mbi të cilën janë shpallur fitues operatorët është 3.7 miliardë lekë. Në fakt, bashkimi i dy kompanive që kanë rezultuar fituese është surprizuese në kushtet ku më herët e interesuar ishte shprehur “Building Construction & Green Energy”, që kishte kryer dhe studimin e fizibilitetit. Impianti në fjalë parashikohet që të ketë një kapacitet tretës prej 180¬200 tonë në ditë mbetje, fuqia termike do të jetë 18.4 megavat, kurse ajo elektrike 3.85 megavat, kurse prodhimi vjetor do të jetë 28.7 milionë kwh energji. Kompania fituese “Integrated Tchnology Services” rezulton se ka aksioner të vetëm Klodian Zoto, ndërkohë që sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, objektivi i kompanisë për “Përpunim, trajtim, menaxhim dhe transport të mbetjeve” ka ndryshuar vetëm më 28.07.2016, pak ditë pas shpalljes së tenderit nga ministria. Në kulmin e debatit pas miratimit të ligjit për mbetjet, qeveria jep me koncesion ndërtimin e landfillit të Fierit, me një vlerë prej 3.7 miliardë lekësh, i cili sipas specifikimeve në dokumentacionin përkatës parashikon tretjen e mbi 180 mijë tonë plehrash në ditë. Qeveria po përgatiste me kohë terrenin për importin e plehrave. Dy muaj më parë, në korrik të 2016, Ministria e Mjedisit shpalli dhënien me koncesion të impiantit të Fierit, i cili është fituar dje nga bashkimi i dy kompanive. Sipas Open Data, bashkimi i dy kompanive, “Integrated Tchnology Services” dhe “Energy 2 SRL”, janë fituese të koncesionit për ndërtimin e administrimit e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie. Në buletinin e fundit të Agjencisë së Prokurimit Publik u dhanë edhe detajet mbi këtë koncesion, i cili u hap në fillim të muajit korrik dhe pati si datë të fundit të mbylljes atë të 5 shtatorit. Tashmë operatorët duhet të negociojnë mbi kushtet me autoritetin kontraktues që në këtë rast është Ministria e Mjedisit.

AKIP: Revoltat nuk do të ndalen

Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka shpërndarë një deklaratë menjëherë pas takimit që Kryeministri Rama zhvilloi me kompanitë e riciklimit. Sipas AKIP, ligji i miratuar ka ndjekur një procedurë që konsumon disa shkelje të rënda të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare të nënshkruara nga vendi ynë.
“Ligji për importin e plehrave është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë javën e kaluar pa kaluar në procedurat e rregullta ligjore të konsultimit publik, duke shkelur Ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik” të miratuar nga shumica parlamentare aktuale si dhe Konventën e Aahrusit, të cilën Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar në vitin 2000. Në kuptimin e Konventës së Aahrusit, një ligj i tillë me ndikim negativ në mjedis, duhet të konsultohet para së gjithash me komunitetet që jetojnë pranë fabrikave që do të importojnë plehra. Por pavarësisht se ligjet janë në fuqi, Kuvendi i Shqipërisë dhe Kryeministri Rama kanë vendosur të “konsultohen” vetëm me njërën palë, palën e importuesve të plehrave, duke injoruar në këtë mënyrë palën tjetër, popullin shqiptar, i cili, në ushtrim të të drejtave të veta kushtetuese, ka bërë sakaq katërcipërisht të ditur se nuk e dëshiron importin e plehrave dhe nuk e gjykon si me leverdi për vendin zhvillimin e një industrie ndotëse”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Gjithashtu Aleanca denoncon edhe mënyrën sipas, të cilës u miratua ligji, duke kërkuar menjëherë pezullimin e tij dhe të nisë konsultimin e munguar me publikun, përndryshe pasojat do të jenë të rënda pas revoltave që nuk do të ndalen.
“Me dëshirën që diskutimi mbi importin apo jo të plehrave, të mos bjerë në spekulime, kërkojmë nga qeveria që të pezullojë menjëherë ligjin e miratuar dhe paralelisht, të nisë një proces konsultimi publik të vërtetë dhe transparent, në përputhje me ligjet për Njoftimin dhe Konsultimin Publik dhe në përputhje me Konventën e Aahrusit.
AKIP i bën thirrje popullit shqiptar të na bashkohen në protestën e madhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë më 1 tetor 2016”, thuhet në deklaratë.